EKSKLUZIVE/ “Do të ishte bukur nëse vjen titulli kampion në Shkodër”, ish-kapiteni Lici: Ndryshimi i trajnerit, zgjedhja e duhur te Vllaznia (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 19:35

EKSKLUZIVE/ “Do të ishte bukur nëse vjen titulli kampion në Shkodër”, ish-kapiteni Lici: Ndryshimi i trajnerit, zgjedhja e duhur te Vllaznia (E PLOTË)

Vllaznisë, sipas të gjitha gjasave, do t’i duhet të luftojë vetëm për fitore në gjysmëfinale të “Final 4”, sepse barazimi me Tiranën e ka zbritur në vend të 3-të.

lici-e1591706994201

Ka edhe ndeshjen e fundit të kampionatit me Skënderbeun për të luajtur të shtunën në Shkodër dhe shpresat matematikore për vendin e dytë janë ende, por vështirë që Partizani rival të gabojë. Suad Lici, kampion me Vllazninë në titullin e saj të fundit dhe ishkapiten i kuqebluve, në një intervistë për “Panorama Sport” komenton sezonin e kësaj skuadre dhe shanset për trofeun e shumëdëshiruar. Ai thekson mes të tjerash se drejtuesit e klubit kanë bërë zgjedhjen e duhur me ndryshimin e trajnerit pak javë më parë, edhe pse nuk i heq asnjë meritë ish-trajnerit Qatip Osmani. Sipas Licit, të tria skuadrat që janë aktualisht në vendet e para, e meritojnë të shpallen kampione. Ai pret që Balaj, Kryemi e lojtarët e tjetër me eksperiencë të udhëheqin Vllazninë drejt titullit.

Suad, janë edhe 90 minuta të fundit nga ky kampionat, por është kuptuar se kush janë tri skuadrat e para në “Final 4”, mes tyre edhe Vllaznia. Si e shikon këtë treshe?

Egnatia e ka merituar plotësisht, të themi të drejtën. Ka bërë një sezon shumë të mirë. Për Vllazninë mund të them se jam i kënaqur, po të kemi parasysh faktin se si e filloi këtë kampionat. Mund të ishte edhe në vend të dytë krejt kollaj, por gjithsesi finalet janë finale dhe këtu ka të bëjë shumë fanella, pesha e saj. Sepse 90 minuta janë ato. Mendoj që të tria skuadrat që janë aktualisht të parat në renditje, janë aty me meritë. Cilado që do ta fitojë titullin kampion në fund, them se e meriton.

Partizanin apo Egnatian, kë do të preferonit si kundërshtar të Vllaznisë në gjysmëfinale?

Të dyja skuadrat janë mjaft të forta, si Egnatia, ashtu edhe Partizani. Nuk ka shumë diferenca, por dihet që Partizani është Partizan dhe mbetet Partizan. Nuk vdes kurrë.

Si do ta cilësonit sezonin e Vllaznisë deri në këtë pikë?

Mendoj se Vllaznia ka marrë maksimumin nga kjo skuadër që ka. Ka siguruar Europën dhe nuk është pak. Do të ishte diçka shumë e bukur në fakt, nëse do të shpallej kampione e Shqipërisë, pasi do të rikthente titullin pas 23 vitesh në Shkodër. Ne shpresojmë shumë që Vllaznia të dalë kampione dhe presim të ndodhë kështu, por gjithçka e vendos fusha e blertë.

Trajneri këto ndeshjet e fundit ka filluar të “ruajë” lojtarët për “Final 4”. Si do ta komentonit këtë vendim të tij?

Brdariç e njeh mirë ambientin te Vllaznia dhe futbollin tonë. Mendoj se ka vepruar drejt. Mendimi im është se kur drejtuesit vendosën që të ndërronin trajnerin, kanë bërë zgjedhjen e duhur për momentin, pavarësisht se edhe trajneri që ishte, Osmani, ka punuar mirë. Skuadra nuk po përgjigjej, prandaj dhe them se ishte vendimi i duhur, në mënyrë që për pjesën finale të sezonit Vllaznia të ishte më një marsh tjetër. Ardhja e Brdariçit ka sjellë gjëra të tjera, ka sjellë një impenjim më të madh në skuadër. Çdo futbollist kërkon të japë maksimumin në këtë fund të sezonit, sepse mendon edhe për sezonin tjetër. Vllaznia ka bërë ndryshimin e duhur, pa i hequr asnjë meritë ish-trajnerit, sepse ka punuar mirë, bashkë me drejtorin sportiv Tefik Osmani. Kanë pjesën e vet te kjo skuadër.

A është penalizim për Vllazninë që çështja e titullit të diskutohet në kryeqytet, ku tifozët e saj mund të mos jenë aq të shumtë?

Kushtet ku luhet futbolli sot janë bërë të tilla që ke kënaqësi të jesh aty, kështu që mendoj se nuk ka për të qenë problem për çështjen e tifozëve. Besoj se Vllaznia do të ketë mbështetjen që ka pasur gjithmonë, jemi të gjithë në mbështetje të saj.

Sipas jush, cilët janë lojtarët që mund ta marrin skuadrën për dore në këtë moment vendimtar?

Patjetër që Balaj dhe të gjithë lojtarët me më shumë eksperiencë duhet të japin më të mirën në këto ndeshje. Balaj e ka bërë më së miri këtë gjë deri tani dhe besoj se me Krymin e me shokë të tjerë do të jenë udhëheqësit kryesorë të Vllaznisë. Pa nënvlerësuar aspak pjesën tjetër të skuadrës.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"