EKSKLUZIVE/ Debati me trajnerin, Rebeka Pano: Ja si e la futbollin Panajoti (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2020 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Debati me trajnerin, Rebeka Pano: Ja si e la futbollin Panajoti (E PLOTË)

Për Panajot Panon mund të shkruash faqe të tëra gazete, por sërish do të ishte e pamjaftueshme të zbardhje “sekretet” e jetës së tij. Në rrëfimin e të birit pak ditë më parë për “Panorama Sport”, dolën detaje të pathëna më parë sa i përket mënyrës se si legjenda Panajot Pano e kishte lënë futbollin. Ai pati debatuar me trajnerin e asaj kohe për një zëvendësim 10 minuta para mbarimit të ndeshjes dhe kishte vendosur ta linte futbollin.

rebeka panajot pano

Kaq! Ngjarja u takon 45 viteve më parë dhe vështirësia për të hedhur sadopak dritë për vendimin final të ish-sulmuesit të shquar nis me saktësimin e emrit të trajnerit (Dyshime nëse në sezonin 1974-1975 të kuqtë i drejtoi Kolec Kraja, Ilia Shuke apo Loro Boriçi). Pikërisht këtu e merr “stafetën” Rebeka Pano, bashkëshortja e ish-futbollistit të shquar. “Trajner ka qenë Ilia Shuke, – saktëson ajo për gazetën. – Nuk patën ndonjë debat të madh, por Joti u prek shumë dhe vendosi të tërhiqej nga futbolli”. Rebeka tregon edhe se si i përjetoi Pano ditët pa futboll, teksa pohon me një sinqeritet të admirueshëm se kolosi i futbollit qante si fëmijë dhe se në çdo ndeshje të Partizanit vishte kostumin sportiv para se të ulej përballë televizorit.

Në intervistën e para pak ditëve, djali juaj, Ledjo, më tha se arsyeja që Panajot Pano e la futbollin për shkak të divergjencave që pati me trajnerin i cili drejtonte atëherë Partizanin.

Po. Trajneri që drejtonte Partizanin në atë kohë ishte Ilia Shuke. Pati fërkime me të dhe për të ruajtur një marrëdhënie korrekte me të vendosi të shkëputej. Por, duhet të them që edhe mosha ndikoi për ta marrë këtë vendim. Ishte 36 vjeç në atë kohë. Megjithatë, ai mund të vazhdonte të luante ndoshta edhe 1 ose 2 vjet të tjerë. Por, kryesorja që ndikoi ishte marrëdhënia me Shuken. Kjo e mërziti shumë. Shkak u bë nxjerrja nga fusha në 10 minutat e fundit të një takimi. Dhe atë ditë ai mori vendimin e prerë: “Këtu mbaron gjithçka”. Panajoti u vra shumë shpirtërisht nga kjo.

Shpesh është thënë që në atë kohë nuk pyetej për parametrat fizikë të një lojtari ose se çfarë mund të jepte në fushë. Thjesht shihnin moshën dhe i “digjnin”. A ndodhi kështu edhe me Panajot Panon?

Shuke nuk kishte qenë trajner futbolli. Partizanin nuk e kishte drejtuar ndonjëherë, por as ekipe të tjera. Më falni, por këtë më duhet ta them, që ky trajner ishte pak cinik. Panajoti stërvitej fort, me korrektësi. Stërvitja për të ishte primare. Shuke nuk njihej me Panajotin nga afër. Nuk e di çfarë synimi i kishte vënë vetes ky trajner dhe u kap pa një arsye me të. Kjo ndodhi sapo ai mori drejtimin e Partizanit. Jo se ndodhi ndonjë sherr i përmasave të mëdha. Thjesht fërkime, por Panajoti këtë e ndjeu shumë dhe vendosi të tërhiqej nga futbolli i luajtur, edhe pse Shuke këmbënguli që të mos e linte. Panajoti thjesht e “falënderoi” që ky ishte i pari trajner që e nxirrte jashtë nga fusha dhe aty u mbyll çdo gjë. Mbaj mend që Panajoti më tha: “Unë një ditë do ta lija futbollin, por me që ndodhi kështu, po tërhiqem që tani”.

Panajot dhe Ledio Pano

Shumë lojtarë e përjetojnë keq tërheqjen nga futbolli dhe doja të dija si e kaloi këtë situatë një legjendë si Pano.

Kur u kthyem në shtëpi, pas vendimit që mori, ai ka qarë si fëmijë. E tha dhe Ledjo para disa ditëve, në korridorin e shtëpisë kishim një pasqyrë të madhe dhe kur luante Partizani, por jo vetëm, ai vishte uniformën dhe shihej në pasqyrë. Kjo flet shumë që po e përjetonte keq. Jo vetëm Panajoti, të gjithë si familje e vuajtëm. Por gjithsesi, një ditë ai do të shkëputej nga futbolli se nuk mund të luante pafundësisht. Ajo kohë do të vinte, por mund të ishte pak më e largët.

Në atë kohë nuk të mundësohej që të përgatiteshe mendërisht dhe shpirtërisht për t’u shkëputur me qetësi, pavarësisht se kishe dhënë jetën për atë sport…

Ai e vuajti dyfish edhe për faktin se nuk ishte tip i debatit. Nuk kishte debatuar kurrë në jetën e tij me njeri. Ishte shumë i qetë. Të them të drejtën, jo se debati me Shuken ishte kaq i madh, por ai kështu e mendoi, ta linte futbollin në atë moment. Të mos vazhdonte më tej. Kjo ishte e tëra.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"