EKSKLUZIVE/ “Brigel i rrezikoi jetën Strakoshës”, rrëfimi i ish-mjekut të Kombëtares, Lluka Heqimi: Si e lanë refugjatët pa ngrënë Kombëtaren në Francë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2021 | 19:05

EKSKLUZIVE/ “Brigel i rrezikoi jetën Strakoshës”, rrëfimi i ish-mjekut të Kombëtares, Lluka Heqimi: Si e lanë refugjatët pa ngrënë Kombëtaren në Francë

A tij i kanë parë sytë nga të gjitha. Ka punuar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj. Ka udhëtuar shumë dhe shpeshherë nuk ka qenë vetëm mjeku i Kombëtares, por një zyrtar i rëndësishëm që i dëgjohej fjala dhe shpesh e ndihmonte skuadrën me përkthimin apo me gjëra të tjera që nuk i takonin një mjeku. Po flasim për Lluka Heqimin, doktorin legjendar që i shërbeu për 22 vite Kombëtares shqiptare.

pjimage (2)

“I vetmi trajner që vuri në rrezik jetën e një lojtari ishte Brigeli. Aktivizoi Strakoshën të dëmtuar rëndë dhe atëherë kam përjetuar një ankth të jashtëzakonshëm”, thotë Lluka Heqimi në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Ju keni qenë mjek i ekipit kombëtar, sa kohë dhe në cilat vite?

Mbas specializimit në Institutin e Mjekësisë Sportive në Vjenë në vitin 1981, në ’82-shin mora detyrën e mjekut të përfaqësueses së Shqipërisë. Vija me ëndrrat e një të riu.

Nuk doja që t’i bëja një shërbim të zakonshëm sportiv duke e ruajtur skuadrën nga traumat, por desha të merrja pjesë edhe me planet stërvitore duke thënë edhe konsideratat e mia sportive që edhe i kisha të freskëta. Nga ’82-shi deri në 2004-ën kam qenë mjek i ekipit përfaqësues. Një kohë prej 22 vitesh. Krijova ato kartelat mjekësore respektive, që unë të kisha njohuri për aftësitë fizike të futbollistëve.

Ju keni kaluar shumë lojtarë të mëdhenj, doktor. Cilët kanë qenë ata që ju kanë ngelur në mendje?

Unë lojtarët i ndaj në dy grupe. Grupi i atyre që luanin këtu, dhe veçoj Sulë Demollarin, një sportist i nivelit shumë të lartë, për kapacitetet e tij të qëndrueshmërisë, por edhe të forcës, këto ishin të matura. Pjesa tjetër ishte me lojtarët që luanin jashtë. Mund të përmend Rrakllin, Bushin, Taren, Haxhin, Xhumbon, Lalën.

Pjesa e mjekësisë sportive, sa e pasur ka qenë atëherë?

Unë kur u ktheva këtu, nuk gjeta shumë mjete, shumicën i solla prej andej. Njeriu ka qenë në nivel më lart sesa aparaturat. Pastaj ne gradualisht furnizuam Qendrën e Mjekësisë Sportive. Unë jam nisur për specializim nga klubi i Partizanit e pastaj u instalova në Qendrën e Mjekësisë Sportive.

Konkretisht doktor, me dëmtimet, tërheqjet, këputjet, si ia bënit?

Ato ishin pjesët e mia sepse unë e njihja mirë traumatologjinë. Indet e buta, por jo kockat, sepse nuk isha ortoped. Thuhet që shumë lojtarë atë kohë luanin me tërheqje muskulore, edhe pse kishin ishin të dëmtuar… Nuk ka ndodhur, ka edhe gjëra konspirative, normale, por ne nuk kemi lejuar asnjeri të luante i traumatizuar. Kujtoj një rast, në Njukasëll donte të futej Vata, edhe pse ishte i dëmtuar. I kam thënë që absolutisht nuk mund t’i përgjigjej lojës.

Cili ka qenë lojtari që dëmtohej më shumë?

Nuk kemi pasur ndonjë që të dëmtohej shpesh, sepse u morëm shumë me parandalimin e traumës. Si? Duke i parë edhe këpucët sportistit, duke i parë palestrinat, t’i mbante edhe në stërvitje. I dhamë rëndësi streçingut dhe bënim një plan paraprak.

Po nga pjesa e këpucëve dhe terreneve të këqija a vinin dëmtime?

Shumë. Na ka qëlluar një herë të shkonim në Algjeri dhe kemi luajtur në një fushë artificiale. Aty sportistët ndienin dhimbje muskulore. U gërvishtën dhe të gjithë u infektuan sepse edhe këpucët ne nuk i kishim për terren plastik në atë kohë.

unnamed

Dëmtimi më i çuditshëm që keni hasur?

Dëmtimi i Strakoshës, gjatë një dyluftimi në Irlandën e Veriut u godit me gjurin e kundërshtarit në zonën refleksogene ku është dhe ekuilibri i veshit të mesëm. Ai doli nokaut dhe u munduam që e sollëm në vete. Goditje të tilla mund të japin pika të vogla hemorragjike në tru dhe kjo është e rrezikshme. Strakosha nuk mund të luante, por me një dëshirë të padrejtë të Brigelit dhe me forcat e tjera të federatës e futën Strakoshën në portë.

foto strakosha

Por ekziston sindromi sekondar postkomocional që ka të bëjë me faktin kur truri nuk është rikuperuar plotësisht nga goditja. Edhe boksierët, kur dalin nokaut, rrinë 6 muaj dhe pastaj luajnë përsëri, kurse ai luajti pas dy ditësh. Dhe sigurisht ndodh që 50% është vdekje nëse truri pëson një tjetër goditje. Unë mendoj që Brigeli ishte kampion i madh, por kurrë trajner i mirë sepse ka futur në lojë një njeri që e ka rrezikuar dhe unë e kam parë atë ndeshje me drithërima dhe thosha: Ishalla nuk shkon e të goditet nga kundërshtari!

Po regjimet ushqimore si ishin, abuzonin, përfshi këtu edhe alkoolin dhe duhanin?

Alkool jo, ndërsa duhanxhinjtë ishin shumë të rrallë. Këtu futej ndonjëherë edhe nevoja pasi në vitin ’94 futbolli ynë iku, u eksportua dhe ne me vështirësi mblidhnim lojtarët, mblidhnim edhe ata lojtarë që nuk i donim në Kombëtare, por i merrnim sepse s’kishim njerëz.

Kjo ndodhi sepse pas ’90-ës futbollistët kaluan në një liri personale, por më vonë e kuptuan nga fakti që futbollistët që luanin jashtë vinin dhe ishin të dobët, të mirë ndërsa këta tanët ishin me pak dhjamë nga mënyra e ushqimit. Pastaj futëm dhe vetëshërbimin në Kombëtare, duke vendosur ato ushqime që duheshin.

Trajnerët?

Kam punuar më shqiptarë dhe të huaj. Përmend Shyqyri Rrelin, Bejkush Birçen, Agron Sulajn, Demollarin, Bajkon, Hafizin, Zhegën. Nga të huajt, Brigel dhe Dosena, që për mua ishte një nga kënaqësitë e mia, një filozof i futbollit dhe ishin presionet e gazetarëve ato që e larguan dhe ai pastaj iku në interesat e vet.

Ka pasur ndonjë ndikim nga lart sa i përket grumbullimit të lojtarëve të ekipit përfaqësues?

Influenconin, por nuk kishin pushtet absolut. Në përgjithësi këtu funksiononte kështu. Trajnerët thërrisnin aleatët e vet, ishte Sh.Rreli, besnikët e tij ishin të Tiranës, ishte B.Birçe, besnikët e tij ishin të Partizanit. Nuk grumbulloheshin gjithmonë më të mirët, e zhvillonin luftën me “ushtarët” e tyre.

Ndonjë pikante gjatë këtyre viteve doktor?

Ka disa…

Na thoni një si fillim…

Kjo është për të vënë duart në kokë… (qesh). Refugjatët shqiptarë që kishin shkuar në atë kohë në Francë, hëngrën drekën e Kombëtares. Kur shkojmë ne, gjetëm një tavolinë të shpartalluar dhe prezantohem me mazhordomin për ta pyetur se çfarë ndodhi.

Ai menjëherë nisi të thoshte se ishte çuditur se si hanin futbollistët tanë. Atëherë unë i tregoj skuadrën pas meje: “Këta janë ekipi ynë kombëtar… dhe nuk kanë ngrënë akoma… Kush e mori ushqimin tonë?” Ai shtangu edhe më tha: “Por ata flisnin shqip…”. Më vonë e kuptova se kishin ardhur emigrantë nga Shqipëria dhe kishin ngrënë ushqimin e kombëtares. Më pas i thashë mazhordomit të hotelit: “Ata kanë qenë shqiptarë të tjerë, refugjatët e vendit tonë dhe refugjati e ka pak lirinë të tepruar…”.

Po tjetër çfarë mbani mend?

Ka ndodhur diçka me Shyqyri Rrelin në Durrës në konvaleshencë… U mësuam himnin kombëtar lojtarëve të përfaqësueses. E shkruam, ua u dhamë ta mësonin, sepse çuditërisht himni ynë as në fillore nuk mësohej. Aty morëm dhe një fizarmonicist të Durrësit që të luante dhe u bënim prova si të qëndronin me dorën në zemër dhe të këndonin himnin. Më vonë gjetëm një magnetofon dhe në orën që donim të zgjonim ekipin nga gjumi, vendosnim himnin dhe të gjithë zgjoheshin me muzikë. Por ka edhe nga ata pastaj që ankoheshin për ushqimin…

Për çfarë ankoheshin?

Zakonisht mbas ndeshjes preferohen proteina të lehta, si peshku, sepse organizmi është i lodhur. Në një darkë mbas ndeshjes ishim ulur dhe vjen kamerieri, shërben një levrek të madh, të mirë. Këta menduan se ishte vetëm kjo pjatë. Dhe ngrihet njëri nga lojtarët e thotë: “Doktor, edhe një gotë raki tani edhe jemi në rregull…”. Pastaj vjen kamerieri i dytë me ato garniturat dhe çohet përsëri dhe thotë: “Doktor, të më falësh…”.

Si është ajo puna me dorashkat në Rusi në vitin 2003?

Ishim edhe njëherë në Vollgograd në Rusi, 3-1, dhe nuk kishim dorashka, sepse ishte e vështirë atë kohë. Unë kam dalë në tregun rus për të blerë dorashka dhe mezi kam gjetur 2 aty, 3 atje derisa i bëra 10 copë. Por më kujtohet dhe një rast tjetër. Ishim në Sarbruken të Gjermanisë, ndeshja ishte mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ishte “jetë a vdekje” për gjermanët pasi u duhej vetëm fitorja për t’u kualifikuar në Europianin e ’84-ës.

Edhe çfarë ndodhi aty?

Shënuan Rudi Fëler për ata dhe për ne Arben Minga, dritë pastë. Vjen trajneri i madh, Jup Derval, të cilin e kisha takuar edhe një herë më përpara në Turqi dhe më thotë: “Kam qejf të futem dhe t’i jap dorën ekipit tuaj”. E kishte zënë frika. Pyes trajnerin Shyqyri Rreli dhe më thotë: “Jo mo, çfarë do Derval”.

Heqimi

“Po lëre ta futim, se ky është një lloj dorëzimi”, i them Rrelit. Dhe vjen si përfundim dhe na dhuron nga një statujë të vogël me një gjerman me një gisht lart, kjo tregonte që ne jemi fitues. Ndërkohë, kur po bënte ritin e takimit, unë u them çunave: “Çuna, e ka zënë frika Dervalin”, dhe ata i këpusin një të qeshur me të madhe. Por më mbrapa i kisha avazet sepse më ka ardhur Derval dhe kërkonte të dinte se çfarë u thashë lojtarëve: “U thashë që ju ka zënë frika”. “E vërtetë, doktor”, thotë.

Çfarë mbani mend tjetër nga ndeshja në Gjermani?

Mbaj mend një episod me Perlat Mustën… Për çfarë bëhet fjalë? Në Sarbruken Perlat Musta ishte në portë. Po bënim stërvitjen e fundit. Toka kishte ngrirë dhe ishte shumë ftohtë. Perlati hidhu këtej, fluturo andej, prit këtej përsëri. Aty afrohet një burrë, gjerman, mjeku i ekipit të Sarbrukenit dhe më thotë:

“Gjermania nesër nuk mund të fitojë me këtë portier, këtij nuk i bëhet gol fare”. Dhe me të vërtetë ka qenë mbret. Për fat të keq, ka ngrënë një gol në minutën e 80-të që mund të evitohej, por Minga që kërceu në atë top ishte shumë i lodhur, nuk arriti ta largonte me kokë dhe gjermanët shënuan.

A keni ndonjë peng për ndonjë rezultat sportiv?

Në Londër shënoi një perlë Demollari dhe gjyqtari e anuloi. Një skandal mund ta quajmë dhe në aq vite mjek i ekipit përfaqësues, unë e them më plot gojën që shtetet e vogla gjithmonë janë persekutuar nga FIFA dhe UEFA. Nuk na kanë dashur asnjëherë sepse ne nuk kemi as të ardhura, asnjë gjë, ne jemi thjesht surprizat e një kampionati dhe gjithmonë na kanë bllokuar.

Madje aq shumë u mërzita për atë rast saqë në pushim të ndeshjes vrapova mbrapa trajnerit të Anglisë, Bobi Robson dhe e pyeta. “Mister Robson, si do të kishit vepruar ju nëse do t’ju anulonin atë gol?” Më ka thënë tekstualisht: “Unë do ta kisha mbledhur ekipin dhe do të kisha dalë jashtë fushe. Goli ka qenë i rregullt”.

Po Kombëtarja e tanishme si ju duket?

Ne kemi një skuadër shumë të mirë, kemi një skuadër në kompleks, nuk kemi ndonjë yll botëror, por shenja të mira kemi. Mendoj që ne i kemi shanset dhe kam besim te trajneri Reja sepse mobilizon grupin, bën edhe skarcime.

Gjatë kohës që keni punuar me ekipin kombëtar, cili prej trajnerëve ka qenë motivues i mirë?

Trajnerët kanë dhënë më të mirën e tyre, por luftëtar të mirë që e mobilizonte skuadrën maksimalisht kam parë Shyqyri Rrelin. E bënte ekipin për vete dhe e hidhte në sulm.

Ekipet e Superiores a janë të kompletuara nga ana e mjekësisë sportive? Klubet këtu te ne, a bëjmë kontrolle të imtësishme që të sigurohemi që këta sportistë janë të shëndetshëm për të luajtur futboll?

Këtu të ne është një fat i madh që nuk ka ndodhur gjë. Pse? Fati ka të bëjë edhe me kompeticionin. Ne nuk kemi një kompeticion të nivelit të lartë, por duhet të dimë që sa më shumë të rritet niveli, aq më shumë shtohet rreziku. Qendra më e mirë e ekzaminimeve mjekësore sportive është në Institutin e Fizkulturës. Aty janë pothuajse të gjitha aparaturat, por ajo duhet të jetë një qendër më aktive.

Në kohën time ne i testonim të gjithë, sepse unë kam drejtuar dhe 22 vite Qendrën e Mjekësisë Sportive dhe u bënim vizita të rregullta dhe të shpeshta ekipeve kombëtare dhe ekipeve të vendit. Kurse tani sa më shumë të shkojmë drejt lojërave të forta dhe rritjes së nivelit, po të mos kemi kontrolle të forta, do të kemi edhe incidente, largqoftë. Në 1996 unë kam qenë në Atlanta disa muaj para Olimpiadës dhe kam parë si do të bëhej shërbimi mjekësor.

Makinat ishin projektuar në mënyrë të sofistikuar, defibrilatorët dhe të gjitha mjetet që duhen për ta kthyer njeriun në jetë dhe të vdekur. Aty më ka ikur mendja dhe na duhet shumë kohë që ta arrijmë këtë. Ne nuk kemi nëpër stadium qendra ku t’i trajtojmë. Ndoshta tani që u bë stadiumi i ri, mund të ketë, flas për vende apostafat që të jenë ambulancë, që t’i shërbejnë aktivitetit gjatë ndeshjes.

Substancat e ndaluara a i përdorin këtu te ne?

Te futbolli nuk mendoj, ndërsa në sportet e tjera kemi kapur raste me doping. Rasti i fundit ishte i futbollistit Jashanica, i cili doli gabimisht sepse kishte marrë një medikament që po ta referonte, nuk do të kishte asnjë problem dhe nuk do të dënohej. Një pjesë e mjekëve nuk e njohin mirë kodin e VADËS. Kur ishim ne botoheshin që në janar listat e substancave të ndaluara, kush hyn, kush del, kush shtohet. Tani për shembull ka dalë VADA dhe ka propozuar që sportistët mundet të marrin edhe kanabis.

Cili ekip e fiton këtë vit kampionatin shqiptar?

Tirana ma prishi pak qejfin me këtë Egnatian, por prapë ka një sy të mirë prezantimi. Dinamo më pëlqen se unë jam edhe pak dinamovit si sportist. Partizani nuk diskutohet, është një skuadër me pretendime sepse ka një president të fuqishëm dhe ka një ëndërr për të fituar.

Edhe Shkodra pretendente po ashtu. Skënderbeu i Memellit sigurisht që ka bërë një punë të mirë në Korçë, e shpëtoi. Tani nuk e di, është edhe fillim. Fillimi është edhe me kostum të ri, kur të fillojë të bëhet pis kostumi do të shikojmë se kujt do t’i bëhet më shumë pis.

Një koment për Ylli Mihalin?

Nuk është vetëm një rast i thjeshtë, është një dhimbje për mua, për faktin sepse unë kam punuar 12 vite me të. Ylli ishte një djalë i shkëlqyer, erdhi në kohën e Neptun Bajkos, ai e ka sjellë dhe unë e futa në provë dhe e fitoi vendin. Vetëm një gjë i thashë: “Ylli, ti vrapon më shumë se unë, por nuk ke për të më dalë asnjëherë para kur të shkojmë te lojtari, do rrish mbrapa meje”. Dhe këtë e ka zbatuar gjithmonë për 12 vite sa kemi qenë bashkë. Kemi edhe fotografi me Yllin kur mbanim bashkë futbollistët për t’i nxjerrë nga fusha.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"