EKSKLUZIVE/ “Bravo Reja, ndeshja më e bukur pas ’90-ës”, Agustin Kola: Shqipëri me shtatë sulmues, u duk si Brazili (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 21:26

EKSKLUZIVE/ “Bravo Reja, ndeshja më e bukur pas ’90-ës”, Agustin Kola: Shqipëri me shtatë sulmues, u duk si Brazili (E PLOTË)

“Do të shkojmë për të tentuar rezultat, pse jo, edhe fitoren”. Kështu u shpreh Edi Reja dhe pakkush e besoi se do të ishte e vërtetë diçka e tillë.

Agustin Kola

Mes tyre edhe një ishsulmues i ekipit kombëtar. Agustin Kola, në një bisedë për “Panorama Sport”, tregon ndjesinë e tij për 90- minutëshin në Stamboll. Komenton paraqitjen e kuqezinjve, përgatitjen e ndeshjes dhe gjithçka ndodhi në mbrëmjen e të premtes.

Legjenda bardheblu analizon edhe situatën që po kalojnë 24 herë kampionët e vendit. Po, ka pak për të gjithë: për drejtuesit, për trajnerin, për gjithkënd. “Pas tri vitesh për mbijetesë, mos prisni shkëlqim”, thotë ai ndër të tjera për gazetën.

Kola, si ju duk ndeshja e Kombëtares në Turqi?

Gjynah i madh. Gjynah, sepse kam parë një ndeshje të madhe. Kisha vite pa parë një të tillë.

agustin-kola-dhe-ilir-meta

Profesor, po ironizoni dhe kë mbi të gjitha?

Jo, jo. Më besoni, e them realisht.

Vërtet ju pëlqeu aq shumë?

Ju betohem që po. Më pëlqyen shumë elementë të veçantë dhe tërësia, pavarësisht mërzisë për rezultatin. Sipas meje, nga viti ’90, unë nuk kujtoj të kem parë ndeshje më të bukur të Kombëtares sonë. Realisht, më është dukur sikur po luante Reali me ndonjë ekip tjetër…

Çfarë ju bëri kaq shumë përshtypje?

Shqipëria që luan me gjashtë apo shtatë vetë në sulm. Në transfertë. Në Turqi. Shtatë vetë që ishin para-mbrapa gjatë gjithë kohës, vërtet e rrallë për ne. Për mua ishte një ndeshje e madhe.

Agustin-Kola

Në fund, e pësuam sërish me atë “sindromën e minutës së fundit”. Çfarë ndodh, si mund ta riparojmë këtë defekt?

E di si është puna? Ne krahasohemi me të gjithë botën, thuajse të barabartë, por në fakt, ata kanë rezerva. Heqin pesë apo fusin pesë të tjerë, ata janë po njësoj. Ne mbase mund të mos i kemi, por gjykoj që ka qenë një ndeshje e mirë, pavarësisht episodeve.

Po thoni që ka vend për të diskutuar zëvendësimet?

Jo, jo. Fare! Përkundrazi, bravo i qoftë trajnerit! Bravo për lojën sulmuese që ka zhvilluar! Ne kemi parë edhe ndeshje të mira me Francën, por jo kështu ama.

Shqiperia

I ktheheni kohës suaj?

Jo, jo. Nuk po flas për kohën tonë, sepse ne ishim… Si të na vinte për mbarë. Kohëra të tjera. Për të vijuar mendimin, më erdhi shumë keq si përfundoi në raport me çfarë treguam në aspektin taktik, për përgatitjen e ndeshjes dhe gjithçka tjetër. Gjithsesi, është edhe fati në një ndeshje futbolli, i cili nëse nuk është në anën tënde, të peshon dhe rëndon shumë.

Profesor, pati episode në sulm që nuk u shfrytëzuan dhe një në zonën tonë na ndëshkoi. Si duhet t’i gjykojmë?

Sipas meje, nuk ka pse të gjykohet asnjë. Jua them me realizëm. Shpesh, ne nga dëshira për Kombëtaren tonë, nuk e shohim më se kush është kundërshtari. Jua përsëris, kam parë një skuadër si të ishte kë të them… Brazili. Ndër vite, nuk e kam parë një ndeshje të tillë.

Turqi-Shqiperi

Pse gabojnë sulmuesit tanë në raste të tilla të shumta?

Duhet lexuar me kujdes ai moment. Në atë rastin e Manajt, që na u duk të gjithëve me portën bosh, ka pasur një prekje të topit nga portieri. Të gjithë njerëzit e diskutojnë, por portieri turk e zgjidhi me zgjuarsinë maksimale, teksa me maja të gishtave e preku aq sa për t’i penguar finalizimin Manajt. Ishte një fragment, në të cilin turku e shpëtoi.

Trajnerit i përfundon kontrata në nëntor. Jeni pro apo kundër rinovimit të tij?

Sipas meje, Reja e meriton, sepse e ka ngritur Kombëtaren. Kujtojeni pak ekipin me Panuçin. Sot kemi një skuadër që duket krejt tjetër nga ajo e mëparshmja, një ekip që prodhon lojë dhe po luan edhe në sulm.

Profesor, po për ata që fiksohen pas statistikave dhe mund të përmendin humbjet në transfertë ndaj Islandës, Francës dhe Turqisë…?

Meqenëse po më pyesni sërish për trajnerin, kur ai tha para ndeshjes që “do të ikim në Turqi për rezultat dhe pse të mos e fitojmë si ndeshje”, më besoni që jam habitur. Dhe e kam kujtuar këtë gjë sapo mbaroi ndeshja. Ishim në transfertë ndaj Turqisë, me publikun dhe gjithçka tjetër, ama ai hodhi në fushë një ekip që luajti në sulm me shtatë vetë përpara. Nuk kam parë ndonjëherë futboll kaq të bukur. Ka ndodhur që të kemi pasur edhe rastësi të këndshme apo edhe momente të mira. Por dje (të premten), na mungoi vetëm fati. Nuk gjykoj askënd, që nga porta e deri te punëtori i fushës, te Tosi (magazinieri). Pamë një skuadër të grupuar, të bashkuar.

kombetarja shqiperia

Si i vlerësoni elementët e rinj të afruar?

Shkëlqyeshëm. Kjo më bën përshtypje që të gjithë bëjnë mirë. Na bëri përshtypje kur ikën Cana me shokë, pasi vërtet kanë mbajtur peshë. Ama sot, shihni çfarë brezi kemi. Çfarë loje prodhohet. Po më pëlqejnë shumë këta lojtarët e rinj, kanë bërë një ndeshje të madhe si të jenë Brazili. E përsëris këtë, sepse të gjithë e harrojmë se me kë po luanim. Ishte Turqia. Mos e harroni këtë fakt. Dhe për të dalë në konkluzionin që është diçka vërtet e bukur, kujtoj edhe fitoren 4-2 ndaj Islandës. Pra, vazhdimësi në lojë, në manovra, në përgatitjen e ndeshjes dhe në rritjen e ekipit.

Si shpjegohet ai gabim i Strakoshës?

Kush ka parë futboll, e di që është diçka që ndodh. Kam besim tek ai portier dhe ka nevojë për mbështetje, për vlerësime. Ne shqiptarët vetëm të shajmë dimë… Ama, ja ku i pamë futbollistët shqiptarë profesionistë që i përgjigjen futbollit sot. Që bënë diferencën, përgatiten dhe stërviten jashtë vendit. Jo si këtu te ne, që duan të bëhen lojtarë apo skuadra me vetëm 2 orë stërvitje.

Meqenëse e përmendët, si e gjykoni situatën e Tiranës nga fillimi deri më tani?

Nëse flasim me logjikë, faktikisht Tirana nuk ka ecur keq. Dakord, të gjithë duam fitore në çdo ndeshje, por mendoj se është në pozita të pranueshme. Unë e vlerësoj që është një Tiranë edhe për kampionat, që e synon titullin për vetë mënyrën si është ndërtuar këtë vit. Pra, ndryshe nga ecuria e viteve të fundit.

agustin Kola-Halili

Ama dy humbje me rivalet direkte dhe disfata në derbi e “paralizoi” për të mos fituar as ndaj Flamurtarit. Si shpjegohet që një kontingjent i tillë të vuajë presionin psikologjik?

Shikoni se duhen marrë gjërat me qetësi, sipas meje. Nga një periudhë dy apo trevjeçare, ku diskutohej rënia dhe ndodhi, tani ngritja duhet pritur dalëngadalë. Nuk mund të shpërthejë ekipi menjëherë. Por, në optikën time, janë mirë dhe është një skuadër që, sipas meje, primare duhet ta ketë luftën për të qenë në vendet e para që futen në Kupat e Europës. Por, e vazhdoj mendimin që për lojtarët që kanë, mund edhe të synojmë kampionatin. Ju përmendët me të drejtë edhe derbin, por pavarësisht çfarë po ndodh këtu në kaq vite pa fitore nga Tirana, unë them se derbi humbet. Ndodh.

Në këtë situatë që është ekipi, si e vlerësoni situatën e trajnerit Mema, i cili u vu edhe në diskutim?

Sipas meje, është diçka që matet me rezultate dhe nuk më takon mua ta them se çfarë duhet bërë. Ama, të isha unë personalisht në vend të Ardit, menjëherë pas derbit do të isha larguar direkt. Pas atyre fjalëve që dolën nga klubi (referuar drejtuesve dhe presidentit), nuk do të kisha qëndruar më aty. Siç ika në vitin 2009, pasi më shitën Kupën, nuk do të kisha ndenjur edhe pas asaj situate. Drejtuesit i dinë vetë punët se çfarë duhet bërë, unë vetëm u referohem fjalëve të dala nga klubi, nga drejtuesit që përmendën se do të bëjnë ndryshime.

Ju personalisht, çfarë gjykimi keni nga jashtë për këtë çështje?

Trajneri e di pozicionin e tij vetë. Presidenti apo drejtuesit e dinë vetë se çfarë vendimesh marrin. Nuk mund të them unë se çfarë të bëjnë me Ardin, por thashë çfarë do të kisha bërë unë në atë situatë. Unë di të them që Tirana këtë vit ka mundësinë të luftojë edhe për kampionat, edhe për Kupën, edhe për zonën e Kupave të Europës.

Është vetëm një pikë larg ekipeve që kryesojnë, dy prej të cilave janë ato që vijnë nga Kategoria e Parë…

Vërtet që kanë ardhur nga Kategoria e Parë, por Bylisi ka afruar futbollistë me eksperiencë. Ka afruar Bicajn, Isli Hidin.

Si e vlerësoni situatën e ndëshkimeve të lojtarëve, si Hoxhallari apo të tjerë që u dërguan tek ekipi B, ku sipas asaj që është mësuar nga brenda klubit, arsyeja kanë qenë gabimet në derbi?

Shikoni, këtu është puna e trajnerit. Pse nuk del vetë ai dhe të mbrojë futbollistët? Shikoni, unë i kam mbrojtur futbollistët e mi, sepse presidentët janë ata që investojnë, por në disa raste nuk kuptojnë sa duhet. Po flas në përgjithësi. Një president nuk mund të kuptojë teknikisht më shumë se ne trajnerët. Këtë rast i del detyrë trajnerit të mbrojë futbollistët e tij. Në të kundërt, të dalë të deklarojë largimin e të mos qëndrojë më aty. Lojtari mund të gabojë edhe në një ndeshje. Po, edhe Strakosha gaboi. Për t’iu kthyer bisedës së mëparshme, ama ka nevojë për mbrojtje, për mbështetje. Trajneri në këtë rast merr përsipër.

Ka aq fuqi trajneri në Shqipëri sa të kundërshtojë presidentin?

Shikoni, më vjen keq për trajnerët në Shqipëri, sepse i njohin mirë presidentët. E dinë çfarë sjelljeje kanë. E dinë mirë, sepse janë trajnerë që e njohin kampionatin. Por, trajneri duhet të flasë atëherë kur është për të folur. Shoh shumë që flasin vetëm kur ikin dhe jo atëherë kur duhet. Çfarë të thotë Agustini më tepër? Dy gjëra janë: Flit kur duhet, për të mbrojtur ekipin, lojtarin dhe punën tënde ose ik!

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"