EKSKLUZIVE/ “Asnjë hakmarrje me Tiranën”, Asion Daja: I mposhtim bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 15:00

EKSKLUZIVE/ “Asnjë hakmarrje me Tiranën”, Asion Daja: I mposhtim bardheblutë

Skënderbeu sfidon Tiranën këtë të shtunë dhe Asion Daja nuk do të donte kurrsesi që ta humbiste këtë takim. Përballet me të shkuarën, e megjithatë nuk e mendon hakmarrjen. Edhe pse e larguan nga kryeqyteti në merkaton e verës, mesfushori mundohet të shmangë polemikat.asion daja

E megjithatë, idetë i ka të qarta: do vetëm t’i mposhtë. Dëmtimet nuk e kanë lënë të qetë 29-vjeçarin, por pas dy javësh ndihet 100% gati për të zbritur në fushë dhe shijuar fitoren e radhës. Këto edhe të tjera i thekson gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”.

Dëmtimet nuk po ju ndahen këtë sezon. Si duket gjendja e Asionit aktualisht?

Është e vërtetë. Dëmtimet po më përndjekin këtë sezon. Ka qenë një periudhë dyjavore që nuk kam punuar as me grupin dhe kjo sjell normalisht probleme. Por, tani jam rikuperuar plotësisht dhe në ndihmë më erdhi pushimi. Mund të them se jam gati për ndeshjen e radhës.

Çfarë po ndodh me Skënderbeun, që humbet brenda dhe fiton jashtë?

Ekipi në ndeshjen e fundit ka treguar forcë karakteri në një transfertë të vështirë si ajo e Ballshit. Në fund u shpërblyem edhe me pikët e plota. Normalisht që pas asaj fitoreje duhet të ruajmë ritmin dhe të marrim maksimumin në çdo takim.

Kjo javë ju vendos përballë Tiranës, sa e vështirë është për ju kjo ndeshje?

Çdo ndeshje është e vështirë në këtë kampionat. Çdo takim i ka të tria rezultatet brenda, por ne e kemi vlerësuar dhe studiuar gjatë gjithë kësaj kohe kundërshtarin. Faktor pozitiv kemi fushën, do ta luajmë në Korçë, na favorizon. Por edhe grupi i futbollistëve është pothuajse i plotë, ndaj jemi gati për këtë përballje.asion daja skenderbeu

A e shihni si një hakmarrje këtë duel?

Jo. Nuk e shoh si hakmarrje aspak. Për ne është ndeshje radhe që duhet fituar. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të zbatojmë udhëzimet e trajnerit pasi me klasifikimin e këtij sezoni, një fitore të çon afër kreut edhe e kundërta. Pas largimit tuaj, Tirana duket se nuk po i përmbush pritshmëritë. A ju vjen keq që jeni larguar? Tirana për mendimin tim është një nga pretendentet për kreun. Kështu ka qenë gjithmonë me apo pa mua në ekip. Unë tani jam në një skuadër tjetër dhe duke menduar vetëm për Skënderbeun.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"