Akuza për vjedhje, borxh 1.8 miliardë lekë, prokurori dhe referendum, zbardhen debatet për Vllazninë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2020 | 12:20

Akuza për vjedhje, borxh 1.8 miliardë lekë, prokurori dhe referendum, zbardhen debatet për Vllazninë (E PLOTË)

Akuza për vjedhje, borxhe, prokurori dhe deri te një referendum për Vllazninë. Në Bashkinë e Shkodrës ka nga të gjitha kur diskutohet për klubin kuqeblu. Situata kaotike ka sjellë dje përplasje mes anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Nuk ka munguar as tensioni. Pas një pushimi 10- minutësh, gjatë daljes nga salla, administratori i Vllaznisë, Suad Lici, i është drejtuar anëtarit të këshillit, Arbis Vjerdha: “Hajdutë janë ata shokët tuaj. Ato shih ti…”. “Panorama Sport” ka ndjekur nga afër të gjitha diskutimet dhe zbardh disa nga debatet më pikante.101099606_3023295957737369_8225187019827970048_o

OLTION LULI (anëtar i asamblesë Vllaznia sh.a PS): “Që në dhjetor të 2018-ës anëtarëve të këshillit mbikëqyrës u ka mbaruar mandati. Sot nuk e shoh në pikat e rendit të ditës këshillin mbikëqyrës dhe propozoj që në rend dite të futet edhe votimi për këshillin mbikëqyrës”.

ARBIS VJERDHA (anëtar i asamblesë Vllaznia sh.a): “Mos bini në gropën e kryetares së bashkisë, por kërkoni llogari se nuk i lan as lumi Buna e Drin me atë që kanë bërë me Vllazninë. Mund ta fusni në rend dite, por po bëni diçka të gabuar dhe do votoni vjedhjen që bëhet tek akademia Vllaznia. Po votoni drejtorin teknik që merr pagën dhe nuk është në punë, sepse ka muaj që nuk është në Shqipëri fare”.

BRISELA KADIA (kryetare e asamblesë së Vllaznia sh.a): “Që në dhjetor të 2018- ës, këshillit mbikëqyrës i është mbaruar mandati dhe nuk ka pasur një këshill tjetër të emëruar nga kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi. Pa u miratuar pasqyrat financiare të 2018-ës, që i kemi në rend dite, nuk mund të regjistrohet në QKB as këshilli mbikëqyrës”.

OLTION LULI (anëtar i asamblesë Vllaznia sh.a PS): “Unë do propozoj 5 emra dhe pastaj nëse të tjerë kanë emra të tjerë, mund t’i propozojnë. Atëherë unë propozoj për anëtar të këshillit mbikëqyrës Myzafer Bushin, Agron Okajn, Hysen Zmijanin, Mhill Shkambin dhe Fatjon Nurjan”.fg

JONA LEQEJZA (anëtare e asamblesë së Vllaznia sh.a): “Është retorikë boshe se çfarë ka ndodhur me Vllazninë me atë se çfarë do të ndodhë. Kritika që dëgjova më përpara e bazuar në pesë emra të nderuar dhe profesionistë nuk m’u duk e drejtë, sepse duke dashur të sulmohet politikisht një grup, cenon integritetin e atyre emrave të propozuar. Të propozuarit nuk kanë asnjë lidhje partiake”.

ARBIS VJERDHA: “Kjo e politizuar është për sa kohë vijnë pesë emra nga PS. Retorikat boshe i bëni ju dhe jo unë. Borxhi është 1 miliard e 800 milionë lekë të vjetër dhe bordi i ri duhet të merret me këtë punë se si janë krijuar dhe t’i dërgojë në prokurori dhe ku të dojë”.

 SUADA SELIMAJ (anëtare e asamblesë PSD): “Unë them që sot këshillin mbikëqyrës ta kalojmë vetëm parimisht, pra pa emra, sepse pa dashur që t’u futem arsyeve politike, kjo duket qartazi. Është mbledhur një grup që ka diskutuar dhe ka arritur edhe në emra konkretë, në një kohë kur grupet e tjera këtu kanë qenë në dyshim nëse do miratohet apo jo ky bord. Të vijmë në mbledhjen tjetër dhe t’i miratojmë”.

LUSH MARKU (anëtar i asamblesë së Vllaznia sh.a): “Është e pafalshme për ne që po marrim një barrë shumë të rëndë për të kryer disa procedura dhe ne akuzohemi se kemi bllokuar ekipin e Vllaznisë, në një kohë që personat përgjegjës që me këtë ekip kanë bërë politikë dhe e kanë zhytur në një gjendje financiare të mjerueshme, nuk janë këtu. Është e pafalshme që kryetarja e bashkisë të mos jetë këtu, është e pafalshme që anëtarët e këshillit mbikëqyrës të mos jenë këtu për të dhënë llogari për gjithçka dhe këtë duhej të kërkonim si asamble.

Ka ardhur administratori dhe askush tjetër. Që një plagë të shërohet, duhet të dihet mirë diagnoza. Nuk i ka miratuar asambleja e PD-së pasqyrat financiare që ka pasur shumicën dhe tani akuzohemi ne. Ato anëtarët e mëparshëm, a kanë ndonjë ndjenjë qytetare që të vijnë këtu dhe të thonë na falni se kemi keqmenaxhuar ekipin e Vllaznisë dhe se është faji ynë për këtë. Duhet të nxirren edhe përgjegjësitë”.

JONA LEQEJZA: “Për pasqyrat financiare mban përgjegjësi ai që firmos dhe në këtë rast është administratori, i cili në mbledhjen e kaluar të asamblesë ka dhënë përgjigjet e tij për pasqyrat financiare. Është e kotë dhe nuk jemi ne organi që duhet të marrim përgjigje për aludimet që bëjnë kolegët për të kaluarën e Vllaznisë. Është një organ që quhet prokurori dhe të gjithë janë të mirëpritur që të shkojnë. Nuk jemi këtu që të bëjmë biseda dhe të recitojmë”.

SUADA SELIMAJ: “Këtu jemi të gjithë të barabartë. Më vjen çudi e madje edhe të qesh se ka persona këtu që duan të bëjnë prepotentin dhe kalojnë edhe në fyerje. Nëse dikush këtu nuk do që të bie në përsëritje, të mos bie dhe po ashtu të mos pretendojnë që dikush të bëjë juristin, ekonomistin apo kryesuesin se jemi të gjithë të barabartë. Vllaznia nuk ka shkuar për një ditë në këtë situatë dhe s’ka shqiptar që nuk e di se nuk është këtu për fajin tonë dhe se ka shkuar këtu sepse gjërat kanë shkuar duke u shtyrë. Nëse duam të bëjmë si prepotentë dhe t’i shtyjmë gjërat, atëherë asgjë s’do zgjidhet”.lici

HILMI LAKTI (anëtar i asamblesë së Vllaznia sh.a PS): Nuk e di pse ka kaq shumë rëndësi bordi, sepse ne kemi ardhur këtu për tri pikat e rendit të ditës dhe ju na devijuat. Mund ta lëmë një herë tjetër bordin dhe të miratojmë për çfarë kemi ardhur. Nëse më pyet kush mua, unë Vllazninë e nxjerr në referendum dhe jo të votojmë ne 30 vetë”.

SUAD LICI (administrator i Vllaznia sh.a): “Zakonisht në muajt qershor dhe korrik lojtarët dhe stafet nuk janë të angazhuar në kampionat. Kontratat e punës janë me një afat 10-mujor brenda vitit. Të tilla do të mbeten, duke marrë në konsideratë faktin që dy muajt e pezullimit prej virusit, zëvendësohen me angazhimin në punë në muajt qershor-korrik. Ajo që do të rëndojë është realizimi i të ardhurave nga biletat, pasi presim që kampionati të përfundojë me ndeshje pa tifozë. Kjo do të shkaktojë dëm të konsiderueshëm financiar, sikurse ka ndodhur në të gjitha klubet në mbarë botën.

Ju kemi paraqitur tabelën e ndryshuar të planit ekonomiko-financiar që merr në konsideratë respektimin e kontratave për të gjithë trajnerët dhe sportistët, zbritjen e të ardhurave nga biletat me 15 milionë e 117 mijë lekë. Në këtë plan ekonomikofinanciar nuk janë parashikuar rritje të shpenzimeve për shkak të situatës së ‘COVID-19’ për qiratë, protokollet e sigurisë gjatë trajnimit, lojës dhe për tifozërinë. Po punojmë për përdorimin me eficencë të parave në dispozicion për të gjetur mundësinë e mbajtjes në të njëjtin nivel të shpenzimeve operative”.

SENAD NIKSHIQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"