Ekskluzive/ Agustin Kola: Vllaznia e rënë, Skënderbeu është bërë si Juventusi. Ja kush vlen te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2018 | 14:51

Ekskluzive/ Agustin Kola: Vllaznia e rënë, Skënderbeu është bërë si Juventusi. Ja kush vlen te Tirana

Agustin Kola e sheh të rënë Vllazninë, ndërsa mendon se Kamza e meriton plotësisht qëndrimin në Kategorinë Superiore. Ish-sulmuesi legjendar i Tiranës, dje në një intervistë për “Panorama Sport”, u mundua të analizonte kampionatin e deritanishëm, me të mirat dhe të këqijat e tij. Luftëtari është skuadra që i jep më shumë kënaqësi, ndërsa Partizanin e sheh jashtë Europës. Në fund ka edhe një këshillë për bardheblutë, ku dallon vetëm pesë lojtarë si të denjë për elitën.

agustin kola
Agustin, është renditja aktuale pasqyrë e kampionatit që është zhvilluar deri më tani?

Skënderbeu e ka merituar plotësisht, sepse ka investuar për të qenë në këto nivele. Përjashto dy vitet e para që e morën si e morën titullin, për këto sezonet e tjera duhet t’i japim atë që i takon. Kanë ecur me meritë, duke krijuar skuadër të fortë dhe me një buxhet stabël. Skënderbeu tani është bërë si Barcelona në Spanjë dhe Juventusi në Itali, që dihen shumë shpejt se do të dalin kampionë. Edhe për Kukësin isha i bindur që do të dilte në vendin e dytë.

Nuk ka diçka tjetër që ju ka bërë përshtypje?

Ajo që më bën më shumë përshtypje është fakti se trajnerët shqiptarë, kur shkojnë në Korçë apo në Kukës, dalin kampionë. Ndërsa kur marrin ekipe që luftojnë për mbijetesë, bien nga Superiorja. Rasti më konkret është ajo që ndodhi vjet me Tiranën dhe po ndodh tani me Vllazninë. Të dyja morën trajnerë kampionë, por Josa dhe Gjoka u rrëzuan nga kategoria. Nuk mund të përballosh kampionatin me dy orë stërvitje në ditë.

Keni rezerva për aspektin e stërvitjeve në ekipet e Superiores?

Po, kjo është diçka që më bën shumë përshtypje në ekipet e Superiores. Edhe vetë kur kam trajnuar Tiranën, jam munduar që të stërvit skuadrën nga dy herë në ditë, për të qenë ana fizike sa më optimale. Niveli i kampionatit tonë i përgjigjet kësaj loje që po zhvillohet, nuk kam parë diçka befasuese në paraqitjet e skuadrave.

Ashtu si në sezonin e kaluar, ku Tirana u rrëzua pas një finaleje mbijetese me Vllazninë, tashmë janë shkodranët me një këmbë në Kategorinë e Parë. E prisnit apo nuk e mendonit kurrë?

Më vjen keq për Vllazninë, sepse nuk ka nxjerrë vetëm lojtarë të mirë ndër vite, por edhe trajnerë të mirë. Nuk më pëlqeu fakti që Shkodra i besoi një trajneri jashtë qytetit, duke ditur që ishte në luftë për mbijetesë. Vllaznia e këtij sezoni ishte si një film i parë. E kam shprehur gjithnjë, që klubet duhet të privatizohen dhe jo të mbeten në dorë të bashkive. Me administrimin e bashkisë, këto gjëra do ndodhin.

Vllaznia është në dorë të ndeshjes Kamza-Laçi. E shikoni të pamundur apo mendoni se mund të bëhet një mrekulli dhe shkodranët të shpëtojnë?

Deri para pak javësh besoja se Vllaznia do të shpë- tonte dhe Kamza do të ishte ekipi që do të shoqëronte Lushnjën. Mendova se Kamza nuk do ta përballonte dot presionin, por edhe financat për të vazhduar në Superiore. Që të jemi realistë, nëse kërkon të mbash një skuadër në elitë, duhen të paktën 60 milionë lekë të vjetër në muaj shpenzime. Gjithsesi, Kamza ka ekip të mirë dhe e meriton qëndrimin. Presidenti Qarri dhe kryebashkiaku Mziu kanë investuar dhe janë shpërblyer. Me keqardhje e them, por Vllaznia është e rënë nga Superiorja.

Si e keni parë sezonin e Partizanin?

Partizani më duket si e njëjta histori. E nis me premtime të mëdha, duke synuar titullin, por dështon. Për mua në këtë mes nuk ka faj presidenti i Partizanit. Ai po investon çdo vit, por mendoj se kur hyn politika në mes, çdo gjë merr fund.

Cili ekip mendoni se siguron Europën dhe cili mbetet jashtë sipas jush?

Shikoj pa diskutim Luftëtarin në Europë. Edhe sezonin e kaluar e kam shprehur dhe nëse do të shikosh futboll, me sinqeritet këtë kënaqësi ta jep Luftëtari. Shembulli është konkret. Flamurtari merret me arbitrat dhe nuk shikon çfarë prodhon vetë, ndërsa presidenti i Luftëtarit lë skuadrën të qetë të punojë dhe merr frytet. Ndiej keqardhje për Vlorën, por sërish i shikoj jashtë Europës.

Ka një lojtar që ju ka befasuar këtë sezon?

Jam i befasuar nga Guri i Kukësit, më ka pëlqyer shumë si sulmues. Një superlojtar, që pasi iu dha besimi, e shpërbleu. Ky është shembulli konkret, jo t’u besojnë disa brazilianëve, që nuk e di se ku u gjejnë. Ka disa çuna të rinj, që kanë nevojë për mbështetje. Klubet duhet t’i afrojnë sa më shumë elementët e rinj, mos të shohin jashtë vendit.

Tirana u rikthye në Superiore, çfarë duhet të bëjë tani për të qenë ai klub që presin të gjithë?

Kam ndjekur ndeshjen e fundit që luajtën në Elbasan dhe për mendimin tim, pesë lojtarë që janë pjesë aktuale e ekipit, vlejnë për Superioren. Portieri Lika, mbrojtësi Hoxhallari, kapiteni Karabeci dhe sulmuesit Greca dhe Sentamu. Pra, për të pasur një ekip që do trofe, duhen patjetër disa përforcime cilësore për të shtuar edhe konkurrencën. Këtë e ka në dorë presidenti Halili, por e theksoj se me këtë skuadër që ka, nuk bën dot diçka të mirë në Superiore. Më pëlqyen thëniet e kapitenit Karabeci pas finales me Kastriotin.

Në ç’kuptim?

Mbaj mend që pas rënies nga Superiorja, më ka kërkuar një këshillë për të ardhmen, duke më pyetur se çfarë duhet të bënte. I kam thënë kështu: “Ju e nxorët Tiranën, kështu që mos ik nga kjo skuadër, pasi vetëm kështu mund të mbahesh mend për mirë”. Pak a shumë të njëjtën deklaratë kishte thënë edhe për gazetën tuaj, pra ata që e nxorën, ata e rikthyen Tiranën.

JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"