EKSKLUZIVE/ 500 mijë euro te Boavista, Skënderbeu do të mbajë 20% të kartonit të lojtarit (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2020 | 14:49

EKSKLUZIVE/ 500 mijë euro te Boavista, Skënderbeu do të mbajë 20% të kartonit të lojtarit (E PLOTË)

Skënderbeu bën lëvizjen e madhe në merkato. Nuk bëhet fjalë për afrime, por për largime. Klubi ka shitur Agon Elezin në Portugali dhe për një shifër realisht të majme, e cila do i sigurojë financat e duhura për të mbajtur ekipin në nivele të larta në Kategorinë Superiore. Dënimi i marrë nga UEFA i ka rënduar jo pak në këtë drejtim, e megjithatë një shans të artë Ardjan Takajt ia kanë servirur lojtarët e talentuar që kanë qenë pjesë e ekipit të drejtuar nga Ilir Daja.Agon Elezi

TRANSFERIMI

Agon Elezi është drejt kalimit te Boavista. Edhe pse ende asgjë nuk është bërë zyrtare, duket se firma nuk do të vonojë. Palët janë duke diskutuar detajet e fundit dhe shumë shpejt do të marrë formë ky “operacion”. Burime të sigurta në klub dhe pranë menaxherëve të angazhuar për këtë çështje nga Skënderbeu, bëjnë me dije ekskluzivisht për “Panorama Sport” se mesfushori i qendrës sezonin e ardhshëm do të militojë në Premier Ligën portugeze. Interesimi i Boavistës ka qenë i vazhdueshëm në muajt e fundit, ndërsa cilësitë e 19- vjeçarit, një kampion i lindur, duket se u kanë pëlqyer mjaft luzitanëve që nuk ka vonuar të mbyllin parimisht marrëveshjen.

dita bregu elezi

OFERTA

Akordi mes palëve është arritur dhe Boavista do t’i paguajë Skënderbeut një shumë prej 500 mijë eurosh për të marrë shërbimet e lojtarit të kombëtares së Maqedonisë së Veriut U-21. Elezi do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me portugezët dhe do të përfitojë një pagesë që shkon diçka më shumë se 5000 euro në muaj. Marrëveshja tani mund të quhet e “kopsitur” dhe shumë shpejt do të bëhet edhe prezantimi zyrtar i lojtarit në radhët e ekipit portugez. Elezi ishte një prej xhevahirëve të Skënderbeut, prej të cilit korçarët ishin të sigurt se mund të fitonin të ardhura financiare të shëndosha për menaxhimin e klubit.

DETAJET
Nëse finalizimi i marrëveshjes nuk është kryer ende, kjo vjen për shkak se palët janë duke diskutuar detajet e fundit të kontratës mes klubeve. Burime të sigurta thonë për gazetën se klubi portugez është gati që të derdhë në arkat e Skënderbeut shumën prej 500 mijë eurosh dhe t’u ruajë korçarëve të drejtën e 10% të kartonit të Elezit, në rast të një transferimi tjetër nga Boavista në një klub të ri. Nga ana tjetër, Skënderbeu është i vendosur që të mbajë 20% të kartonit të lojtarit edhe nëse do të ulet shifra e transferimit në 400 mijë euro. Me pak fjalë, korçarët duke ditur cilësitë e Elezit kërkojnë që të përfitojnë më shumë nga një ritransferim i shqiptaro-maqedonasit në të ardhmen, të bindur se vlera dhe cilësitë e tij do të shumëfishohen. Në kushte të tilla duket se gjithçka do të mund të mbyllet në javën e parë të gushtit, kohë kur Elezi mund të prezantohet në radhët e ekipit të ri për sezonin e ardhshëm. Me bardhekuqtë ai u aktivizua në 24 ndeshje në total, konkretisht 22 në kampionat dhe 2 në Kupë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"