Ekipi i Kategorisë së Parë gjen zgjidhje për pankinën, kapiteni kthehet në trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2021 | 17:29

Ekipi i Kategorisë së Parë gjen zgjidhje për pankinën, kapiteni kthehet në trajner

Lushnja vazhdon të jetë pa trajner. Ambienti po “zien”, e megjithatë kryebashkiakja nuk ka marrë ende një vendim për pasardhësin e Ilir Gjylës. Ky i fundit u shkarkua për mungesë rezultatesh, ndonëse skuadra e mbylli me fitore bindëse fazën e parë. Klubi i kishte vënë kusht pesëshen e parë të renditjes, por dështoi. Sikundër edhe dihet, pas 15 javësh janë në zonën e ftohtë dhe rrezikohet seriozisht rënia në Kategorinë e Dytë. Janë vetëm 14 pikë të grumbulluara pas 3 fitoresh dhe 5 barazimesh.

Spaho Lushnja

ZGJIDHJA PROVIZORE – Që prej 24 dhjetorit pankina mbetet bosh. Gazeta ka zbuluar se në “pole” për këtë post është Judmir Gaxheli. Ai punon në sektorin e moshave (konkretisht është një nga dy trajnerët e Lushnjës U-19). Nuk bëhet fjalë vetëm për një dëshirë, por më shumë se kaq. Ka qenë vetë Ersileda Sefa që e ka kontaktuar, duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit për pjesën e mbetur të këtij kampionati.

Mund të ketë edhe kandidatë të tjerë, por ajo që mësohet, është se preferohet sërish lushnjar dhe një trajner që të njohë ambientin. Deri sa t’i jepet zgjidhje përfundimtare, presidentja ka menduar që t’i japë një provizore. Ajo ka komanduar Mikel Spahon në “timon” për ditët e mbetura. E mërkura e 29 dhjetorit do të jetë dita e fundit e stërvitjes së ekipit lushnjar. Këto seanca do të drejtohen nga kapiteni.

Sefa ka urdhëruar portierin që të vijojë procesin stërvitor me skuadrën, gjë që e konfirmon vetë ai për “Panorama Sport”: “Skuadra do të stërvitet deri ditën e mërkurë dhe më pas do të marrë pushimet. Po i drejtoj unë seancat, derisa të zgjidhet trajneri i ri. Jemi të plotë dhe nuk e kemi ulur ritmin. Plani është që pas pushimeve të fundvitit, në datën 5 janar, t’i rikthemi punës”. Sapo t’i jepet drejtim çështjes së stolit, do të mendohet për merkato. Duhet thënë që buxheti nuk i mungon, pasi pak ditë më parë u lëvruan 400 milionë lekë të vjetër për 2022-shin. Paratë nuk janë vetëm për rroga dhe shërbime të tjera operative, por do të shërbejnë edhe për infrastrukturën.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"