Edon Hasani tremb Kastriotin, Emiljano Çela “rifiton” mesfushorin tjetër përpara duelit me Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2022 | 10:00

Edon Hasani tremb Kastriotin, Emiljano Çela “rifiton” mesfushorin tjetër përpara duelit me Laçin

Kastrioti vijon të marrë rezultate pozitive dhe pika e siguruar të dielën ndaj kryesuesve të momentit në Kategorinë Superiore ka bërë që atmosfera në skuadër të vijojë të jetë pozitive.

edon hasani

Në ndeshjen e së dielës ndaj Partizanit Edon Hasani doli nga fusha me barelë dhe kjo ka alarmuar sërish stafin teknik, që do t’i duhet të presë rezultatet e ekzaminimeve mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit të mesfushorit, i cili ka një peshë të madhe në ekip, duke qenë një ndër liderët e skuadrës.

Sa i takon pjesës tjetër të ekipit, ditën e djeshme lojtarët që luajtën ndaj “demave” janë spostuar në pishina, ku edhe janë relaksuar, ndërsa pjesa tjetër e grupit që ka luajtur më pak ka zhvilluar seancë normale stërvitore, në fushat e Kamzës, aty ku tashmë krutanët do të kryejnë stërvitje rregullisht, pasi me afrimin e reshjeve nuk mund të kryhej më stërvitje në stadiumin e Fushë-Krujës.

Këtë fundjavë krutanët do të presin në fushën e tyre Laçin, një ekip, që pavarësisht renditjes aktuale mbetet një kundërshtar i fortë.

Për ndeshjen me kurbinasit mbetet në dilemë gjendja e Hasanit, por rikthehet një tjetër lojtar që mungoi në sfidën e fundit.

Bëhet fjalë për mesfushorin Xhulio Mehmeti, i cili ndaj Partizanit mungoi për shkak dëmtimi, por këtë ndeshje do të jetë i gatshëm për stafin teknik.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"