Edlir Tetova skanon Egnatian: Dua më shumë agresivitet!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 13:55

Edlir Tetova skanon Egnatian: Dua më shumë agresivitet!

Puna me ide dhe objektiva të qartë që ka shtruar presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, ka qenë për këtë sezon të ri një motivim më tepër për drejtuesit e stafit teknik, të cilët njëzëri shprehen se si Kupa ashtu edhe Kampionati janë njësoj të vlerësuara.

EDLIR TETOVA 1

Në lidhje me situatën më të fundit, trajneri Edlir Tetova theksoi për “Panorama Sport”, se ky moment që po kalon skuadra, ka ndërtuar tek ai bindjen, se potenciali i futbollistëve të Egnatias meriton të shkojë edhe më lart si në cilësi ashtu dhe në rezultate.

Prandaj në këtë realitet, sipas teknikut durrsak të rrogozhinasve, është punuar fort për lojën kolektive në bllok, me dublim të pozicioneve, pasi edhe alternativat që ka ekipi lejojnë të krijohen ura mirëkuptimi për të gjithë futbollistët.

“Do të luhet për Kupën e Shqipërisë të mërkurën e ardhshme në Peqin ndaj Shkumbinit dhe kjo ndeshje po vlerësohet seriozisht nga ne”, paralajmëroi Tetova.

Njëkohësisht me përgatitjet për ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 26 shtator, kampionati, natyrisht edhe për nga rëndësia si kompeticion, merr një vlerësim edhe më të madh. Në tri ndeshjet e fundit dihet se çfarë përmirësimesh janë parë të ndodhin tek Egnatia.

“Reagimi i menjëhershëm, jo thjesht në aspektin psikologjik për të mos u trishtuar prej dy humbjeve të startit, por mbi të gjitha tendosja e forcave për të dhënë më të mirën në vijimësinë e ndeshjeve të tjera, solli rezultatet konkrete që tashmë dihen. Rastet e shumta të humbura dhe ajo formë që tregoi portieri ballshiot, ishin pengesa e vetme që nuk e la Egnatian të merrte tri pikë. Na duhet të përmirësojmë agresivitetin në sulm, shpejtësinë dhe befasinë.

Goli nuk vjen vetë. Kërkohet qetësi, saktësi e përqendrim për të finalizuar lojën sulmuese dhe nuk duhet të presim në asnjë rast se goli do të zbresë nga qielli”, ka thënë numri një i rrogozhinasve. Kujtojmë që për javën e gjashtë Egnatia pret në shtëpi skuadrën e Kastriotit, teksa ndeshja është parashikuar të zhvillohet të shtunën e 1 tetorit në orën 15:00.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"