Pse dëshiroj që Vllaznia të bjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 14, 2020 | 19:20


Pse dëshiroj që Vllaznia të bjerë

BESNIK DIZDARI 

besnik dizdari

VETËM KËSHTU DO TË PËRMBYSET KY DREJTIM I FSHF-SË. Sepse, nëse bie Vllaznia, ma do mendja se do të shpërthejë revolucioni dhe drejtimi i sotëm i FSHF-së do të përmbyset. Përse do të përmbyset? Do të përmbyset sepse Kategoria e Dytë (kurrë e Parë) do të ketë në përbërje sidomos këto skuadra, që po i vendos në germa kapitale, madje në “Bold”:

VLLAZNIA / Shkodër

FLAMURTARI / Vlorë

DINAMO / Tiranë

BESA / Kavajë

KS ELBASANI / Elbasan

TOMORI / Berat

LUFTËTARI / Gjirokastër

Kjo do të thotë që nga 10 skuadrat më të mira të të gjitha kampionateve të Shqipërisë, e pakta nja 5 prej tyre nuk do të jenë pjesëmarrëse të kampionatit. Ndërkaq, kujtoj se në 10 më të mirat bëjnë pjesë ato skuadra të cilat në kampionatet e Shqipërisë kanë zënë më shumë se të tjerët 1 nga 3 vendet e para.

MOMENTI-NE-VLLAZNIA-BYLIS-400x220

Dhe janë këto: SK Tirana, Dinamo, Partizani, Vllaznia, Skënderbeu, KS Elbasani, Flamurtari, Teuta, Besa, Luftëtari. Dhe me që iu është bërë mendja “Itali”, kjo do të thoshte sikur në kampionatin e Italisë (Seria A) të mos merrnin pjesë Roma, Lacio, Torino, Fiorentina, Bolonja apo Napoli. Po të ndodhte kjo, atëherë do të përjetonim një tërmet italian të llojit. Dhe e dini se çdo të ndodhte? Do të ndërhynte Komiteti Olimpik Italian (CONI) i cili do të shkarkonte Federatën e Futbollit dhe Ligën Profesioniste e do të merrte vetë drejtimin e futbollit italian.  E kujtoni se kështu ky CONI ka vepruar disa herë. Madje, deri kohëve të fundit…

Kështu pra, duke rënë dy herë brenda tre vjetëve Vllaznia e Qytetit të Futbollit që është Shkodra, atëherë revolucioni do të sjellë, e pakta, këto dy veprime të fuqishme:

1.Demostrata të fuqishme qytetare para selisë së FSHF-së ku do të kërkohet rënia e kësaj federate.

2.Që Shkodra, Vlora, Elbasani, Berati, Kavaja apo Gjirokastra, por edhe Dinamo e Tiranës 18 herë kampione – të bashkohen dhe të formojnë një ligë të pavarun me kampionatin e saj po të pavarun. Do të mund të ishte shumë më me peshë se kjo tjetra, që më kot quhet Superligë. Kësisoj, ngaqë kjo Superligë do të kishte në përfaqësim vetëm 3 qytete madhorë të futbollit: vetëm Tiranë, Durrës dhe Korçë! E shikoni se sa poshtë që rrezikoni të bini…!

Ky do të ishte fundi njëherë e mirë i vlerës së vërtetë të gjeopolitikës të kampionatit të futbollit në Shqipëri. Më saktë, do të ishte shkatërrimi i traditës së tij në historinë e Shqipërisë. Shtrohet pyetja: A ka njerëz në Federatën Shqiptare të Futbollit që e njohin këtë traditë…? E, ndërkaq, ka edhe një pikë të tretë:

Që brenda gushtit të vendoset shpërbërja e të gjitha kampionateve të tashme; ose e thënë më butë, të vendoset riorganizimi i të tria kampionateve: 16 skuadra në Kampionatin e Parë Kombëtar (ajo që rrejshëm quhet Superligë); me Kampionatin e Kategorisë së Dytë (ajo që rrejshëm quhet Kategori e Parë) me nja 18 skuadra; si dhe atë të Kategorisë së Tretë (që rrejshëm quhet Kategori e Dytë) me nja 20 skuadra. Pa grupe e nëngrupe “gegë e toskë” apo me “marrina” të tilla si “play off” e “play out”.

Si dhe pa këtë “play out”-in e Vllaznisë si e 8-ta e kampionatit, çka do të thotë një dëshirë e paatdhetari e FSHF-së për të përjashtuar 30 për qind të skuadrave të qyteteve tradicionale të një kampionati me vetëm 10 skuadra. Dihet, si askund tjetër në Europë…! Këtë skemë do ta përpiqem ta përimtoj mbas pak kohe, duke mbështetur edhe mendimin e gati nja 50 trajnerëve e presidentëve të klubeve për shtimin e skuadrave.

Vllaznia-fituese-e-Grupit-A

Kërkesë për të cilën deri më sot me mospërfillje, nuk ka thënë asnjë fjalë drejtimi i futbollit në Shqipëri. Kjo pra, është ajo, diktatura e federalistëve ose “privatizimi” i organizimit të sotëm të futbollit në Shqipëri.

NDËRKAQ, NËSE BIE VLLAZNIA, MUNDET QË DO TË BJERË EDHE PËR SHKAK TË GJYQTARIT.

Kështu pra, nëse bie fjala, do të ndodhë që në fund të këtij kampionati Vllaznia e Shkodrës do të jetë 1 pikë më pak nga Bylisi i Ballshit, dijeni mirë se ajo ka rënë për faj të gjyqtarit të ndeshjes Flamurtari – Bylisi. Kjo nga që, siç e shpjegoi fort mirë edhe “Panorama Sport”, goli fitimtar i skuadrës së Ballshit u shënua në minutën e 97- të, pra 2 minuta më tepër nga shtesa prej 5 minutash.

Kjo do të thotë që nëse atë ditë që skuadra e Ballshit do të jetë 1 pikë mbi Vllazninë, në të vërtetë do të duhej të jetë 1 pikë nën Vllazninë. Mirëpo, indiferenca apo mosvëmendja e gjyqtarëve shqiptarë në çastet e fundit të ndeshjeve janë vërtet shembullore. Ata kanë dhënë plot 37 gola përtej minutës së 90-të, një pjesë e mirë prej të cilëve krejt jashtë mbarimit të vërtetë të ndeshjeve…! Nuk dua t’i sulmoj gjyqtarët, sepse mjaft i kanë sulmuar. Më tepër do të doja të kritikoj (jo sulmoj) vëzhguesit dhe delegatët e ndeshjeve të cilët, me sa duket, janë shndërruar në “eminenca gri” të FSHF.

Për shembull, nuk dimë se çka kanë relatuar për rastin Flamurtari – Bylisi, ashtu siç nuk dimë se çka kanë relatuar edhe për ndeshjen Bylisi – SK Tirana të Kupës. Do të ishte mjaft interesante ndërkohë, publikimi, qoftë dhe i pjesshëm, i këtyre relatimeve. Në rast të kundërt, do të shkoja te rasti i një vëzhguesi që dilte në TV dhe mbronte gabimet e qarta të gjyqtarëve. Dhe kur unë në prani të një kolegu gazetar të mirënjohur, i thashë përse mbron atë që nuk mbrohet, ai vuri buzën e në gaz dhe më tha: “Kështu më thotë ky apo ai shef”.

Pra: “Dil e na i mbro gjyqtarët”. Tjetër temë mandej skema e njëjtë e emisioneve televizive, teksa vërejmë që në të, jo rrallë janë ulur këmbëkryq deri dhe shitblerës të futbollistëve, çka përveç dukurisë së pranisë me shumicë të madhe të ish-futbollistëve apo të ish-trajnerëve. E, kjo, në fund të fundit, do të thotë gjithnjë e më tepër mosprani e gazetarisë prej ku mund të vijë edhe guximi për kritika ndaj FSHFsë, kritikë që sot, sidomos në TV-të, ka heshtur deri aty sa nuk shkon më.

Servilizëm i pashoq…? Qofsha i gabuar, po ndoshta ka ardhur koha që pjesa më e madhe e vëzhguesve dhe delegatëve kryeqytetas të ndërrohen, doemos, duke përfshirë edhe më shumë sesa janë, të tillë nga qytetet e rrethet. Ngaqë shihet qartë se sundon klani i FSHF dhe klani i kryeqytetit. Nuk besoj të jetë thjesht punë përfitimesh nga pagesat e këndshme…

HESHTJA E PAFALSHME KU PËRFSHIHEN EDHE INSTANCAT QEVERITARE.

Këtu, si dhe herë të tjera, e kam fjalën për gënjeshtrën e madhe të themelimit të Ligës Kombëtare të Futbollit, e cila, për sa kohë nuk vepron në asgjë, ajo nuk ekziston. Pa shkuar te absurdi tjetër: që ky pseudothemelim paska caktuar si president zëvendëspresidentin e FSHF-së! Çka, i vë vulën diktaturës federaliste në fjalë. Ndonëse unë (dhe jo vetëm unë) gjithashtu besoj se kjo do të përmbyset shpejt…

Do ta përmbysin forcat përparimtare të të përjashtuarve të mëdhenj që janë qytetet më tradicionale e më futbollistike të Shqipërisë. Një përmbysje e domosdoshme federaliste kjo, ngaqë Shqipëria është bërë i vetmi vend në Europë pa Ligë Kombëtare të Futbollit. Mendja të thotë se ndërkohë, do të ndërhyjë sidomos Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, të cilën në shumë vende të botës e quajnë ministri e edukimit apo e arsimimit publik, të rinisë e të masës.

Duke i paraprirë ajo pra, edhe riorganizimit të kampionateve kombëtare të futbollit, kur dihet vlera edukuese, çlodhëse, kulturore e këtij sporti për krejt popullin e një vendi, për çka përgjigjet sidomos Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Dhe e shihni që në Shqipëri nuk bën gati aspak përshtypje që ndeshjet zhvillohen pa spektatorë? Ngaqë edhe në jopandemi, tribunat e stadiumeve të kampionateve të Shqipërisë janë thuajse të boshatisura.

Do ta kujtoj pak më vonë rastin apo gjestin e ministrit të Kulturës dhe të Sporteve, të të paharrueshmit Teodor Laço, me ndërhyrjen e të cilit një herë u shpëtua çqytetërimi i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Ai, falë kulturës dhe guximit të tij intelektual, thuajse pati vënë veton. Natyrisht, kur situatat bien kaq poshtë si sot, vërtet na duhet të shkojmë te shembulli i ministrit Laço…

Pikërisht për të gjitha këto që thashë në këtë editorial, unë e dëshiroj rënien e Vllaznisë së Shkodrës për herë të dytë brenda tre vjetëve. Do të nxiste atë pra, revolucionin, çka do të ishte vërtet historike. Natyrisht historike në shkatërrim. Të mjerët ata që do ta shkaktojnë. Janë ata që kanë shkaktuar edhe rënien e Vlorës, Elbasanit, Beratit, Kavajës, Gjirokastrës e të Dinamos së Tiranës 18 herë kampione, nëse vërtet do t’i lejojmë që ta shkaktojnë…




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com