Katërshja angleze nuk është sukses i futbollit të Anglisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2019 | 22:08

Katërshja angleze nuk është sukses i futbollit të Anglisë

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Duke filluar nga sot do të përpiqem që në modestinë time të trajtoj një temë në të vërtetë intriguese edhe për vogëlsinë e një problemi të madh shqiptar të futbollit. E vërteta është se këto ditë, dy ngjarje të mëdha kanë tronditur pak a shumë futbollin e Europës.

Katër klube të kampionatit kombëtar të Anglisë, të emërtuar Premiership: Liverpool e Tottenham në Ligën e Kampionëve dhe Arsenal e Chelsea në Ligën e Europës, kanë rrëmbyer dy finalet përkatëse. Një katërshe angleze, siç të vjen ta thuash menjëherë.

Premier Liga trofeu

Çka do të thotë një sukses i madh i futbollit anglez. Po a vërtet kjo katërshe e klubeve angleze është një sukses i futbollit të Anglisë? Them se jo. Për një çast kjo duket si paradoksale, teksa ky është rasti i vetëm (unikal) në histori i kualifikimit për dy finalet e Kupave të Europës të katër klubeve të kampionatit të Anglisë, madje plot tri prej të tyre, klube të një qyteti të vetëm: Londrës!

E pra, që dy kupa ndërkombëtare i synon një qytet i vetëm, futbolli ndërkombëtar, nuk të duket se është më ndërkombëtar. Dhe kjo ndodhi. E megjithatë, them se ky sukses i bujshëm nuk është një sukses që i përket futbollit anglez. Po marr vetëm përbërjet e kombësive të 56 lojtarëve të aktivizuar në ndeshjet e dyta finale të katër klubeve të kampionatit Anglez, të cilët sapo pushtuan Europën e Kupave.

LIVERPOOL: Në 14, vetëm 4 lojtarë i përkisnin kombësisë dhe shtetësisë angleze: Henderson, Arnold, Gomez, Sturridge. Madje në 11-shin e parë, vetëm 2!

liverpul

TOTTENHAM: Në 14, vetëm 3 lojtarë i përkisnin kombësisë dhe shtetësisë angleze: Trippler, Rose, Ric! Madje në 11-shin e parë, vetëm 2!

totenhem

ARSENAL: Në 14, vetëm 1 lojtar i përkiste kombësisë dhe shtetësisë angleze: Maitland-Niles.

Arsenal5

CHELSEA: Në 14, vetëm 2 lojtarë i përkisnin kombësisë dhe shtetësisë angleze: LoftusCheek dhe Barkley. Madje në 11-shin e pare, vetëm 1!

chelsea

Këto të dhëna janë vërtet tronditëse për zhvillimin social e kombëtar të futbollit, sidomos të një shteti parësor të zhvillimit të këtij sporti, siç është Anglia – shpikësja e futbollit dhe vendi që, siç pranohet prej të gjithëve, ka kampionatin më tërheqës, më të ndjekur dhe më të pasur. Kështu pra: nga 56 lojtarët e aktivizuar prej këtyre katër klubeve të Anglisë, vetëm 10 janë prodhim i futbollit të Anglisë! Fakt kryefortë, për të mos thënë sensacional (i bujshëm).

Kjo do të thotë se nga 56 lojtarët e aktivizuar, vetëm 10 ose vetëm 17.8 për qind e tyre janë prodhim i futbollit anglez. Madje kur shton, bie fjala, edhe mungesën e një ylli botëror siç është egjiptiani Mohamed Salah, pesha e kësaj përqindjeje e një shifre kësisoj humbëse angleze, thellohet edhe më tej.

methode_times_prod_web_bin_8fdd0ff0-1f51-11e9-9fac-490c95b1919e

Ky pra është revolucioni i futbollit të sotëm europian i cili në katër skuadrat “angleze” që rrëmbyen dy finalet famëmëdha europiane, kemi vetëm 10 anglezë ndër 56 lojtarë në tanësi! Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se futbolli i sotëm po humb tejet përfaqësimin e etnisë kombëtare të shteteve. Dhe se komercializimi i sportit të futbollit ka kapur Everestin. Se “flamuri kombëtar” i futbollit të klubeve nuk mund të shpaloset më. Është një arrogancë krejt e pamëshirshme. E, ndoshta, më e rëndësishmja mund të jetë kjo tjetra: që futbolli po shkon edhe ai te globalizimi apo globalizmi i jetës shoqërore, shpirtërore, kulturore e sportive të popujve.

Ndërkaq, vetvetiu të lind pyetja tjetër: a treguan stil anglez katër skuadrat e Anglisë “joangleze”? Ndoshta kjo për sot, është një pyetje e pavend, teksa sheh se me përjashtim të Shqipërisë, shkollat e futbollit po unifikohen, po njëtrajtësohen, po humbasin çdo origjinalitet. E vërteta është se ndeshjet qenë tejet tërheqëse, madje dramatike dhe me përmbysje që nuk di kur kanë ndodhur kësisoj. Nuk ka specialist a shkencëtar futbolli të shpjegojë se si ka qenë e mundur që Barcelona e famshme e Lionel Mesit nga 3-0 të shkojë në 0-4. Apo që Ajaksi “i ri” nga 3-0 (duke marrë edhe 1-0-n e ndeshjes së parë), brenda 48 minutash të shkojë në 3-3 dhe të shuajë një ëndërr të vjetër për rikthim te legjendat e tij. Por në fund të fundit, as kjo nuk është më e rëndësishmja.

Për shembull, më e rëndësishmja mund të jetë kjo tjetra: që në këtë paraqitje spektakolare të Ajax të Amsterdamit, deri edhe prej analistëve e komentatorëve “të guximshëm” shqiptarë, u tha se “ky është futbolli holandez”. Në një kohë që në 11-shen e kësaj skuadre holandeze, kishte vetëm 4 holandezë. Pa shkuar mandej te suksesi “anglez” apo për te rikthimi i lavdisë së futbollit anglez, në një kohë kur Arsenali dhe Chelsea kishin vetëm nga 1 lojtar anglez! Apo kur Liverpool dhe Tottenham në 11- shen e tyre kishin vetëm nga 2 lojtarë anglezë!

Premier-League

Konkluzioni më duket se është ky: futbolli i sotëm europian i klubeve, ose më mirë me thënë, revolucioni i sotëm i futbollit elitar të klubeve europiane, me gjithë bukurinë e tij, falë shndërrimit të shfrenuar të skuadrave në shumëkombëshe, nuk paraqet asnjë risi.

Edhe pse është tejet tërheqës. Taktikat janë po ato, atletizmi po ai, baraspeshat mbrojtje – sulm po ato, ritmika po ajo. Duke mbetur gjithnjë të fundit futbolli i një krijimtarie apo elegance klasike dëfryese si dikur… Kohë kur Garinça e Pele po të mos ishte i bukur goli i tyre, nuk gëzoheshin fort…

Të gjitha këto mendime apo përfundime, sigurisht hapin diskutime, mëdyshje, kundërshtina. E megjithatë, ja që – përjashto fenomenin Christiano Ronaldo – prej klubeve të futbollit europian qysh prej gati mbi 30 vjetësh, nuk po shihet më asnjë fenomen, bie fjala, i tipit Keegan, Platini apo Van Basten. Dhe “Topin e Artë” të “France Football” në 10 vjetët e fundit e fiton 5 herë Lionel Mesi, një lojtar i Argjentinës.

E pra, ku po shkon futbolli kombëtar i klubeve në elitat e Europës? Përgjigjja është krejt e thjeshtë. Te fitimet, te komercializimi, te fitoret me çdo kusht, te paratë. Dhe Lionel Mesi 90 milionë euro vetëm rrogën vjetore! Por që me të tjerat ai mbërriti te 130 milionë euro në vit!

Apo që trajneri i Atletiko Madrid, Diego Simeone, arriti në 48 milionë euro në vit! E ndërkaq, kombëtarja e Anglisë me kampionatin e saj më të fuqishëm e më të bukur të botës, ka më shumë se një gjysmë shekulli që nuk arrin të bëhet më asnjëherë as kampione e botës, e as kampione e Europës me kombëtaren e saj.

Historia nuk mbaron me këtë trajtesë të parë të temës së këtushme, për shumëkënd të çuditshme, që shfaqet qysh atje lart, në okielon disi enigmatike të këtij shkrimi që thotë: “Revolucioni i papranueshëm i UEFA-s dhe mungesa e ‘revolucionit’ në FSHF”. Do të vazhdoj në numra të mëvonshëm, duke u përpjekur ta zbërthej “enigmën”…

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"