Ecuria e frikshme/ Liverpuli kap Champions-in, Ole s’e kalon as me 13 humbje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2020 | 13:05

Ecuria e frikshme/ Liverpuli kap Champions-in, Ole s’e kalon as me 13 humbje

Liverpuli i sezonit 2019-2020 është një makineri pikësh, golash dhe rekordesh. Skuadra e Jyrgen Klopit nuk njeh limite dhe në këtë fundjavë mposhti edhe Noruiçin në javën e 26-të të Premier Ligës. Kjo ishte fitorja e 25-të në kampionat. Kjo ecuri e lejon Salahun me shokë që të shijojnë kryesimin e klasifikimit me 76 pikë dhe me 25 diferencë me Sitin e Guardiolës. 

liverpuli

Fitorja me golin e Manesë ka siguruar një objektiv: Kualifikimin në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Në rast se Liverpuli i humbet të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat dhe Mançester Junajtid i fiton, sërish “Djajtë” nuk mund ta parakalojnë ekipin e Klopit. Ky objektiv është arritur 12 javë para fundit të kampionatit dhe distanca me vendin e pestë (që shkon në Champions me përjashtimin e Sitit) është 36 pikë.

Por nuk është kualifikimi në Champions objektivi i Liverpulit. Klop kërkon patjetër titullin kampion dhe kjo mund të arrihet me 15 pikë. Në rast të 5 fitoreve, Firmino me shokë do të ngrejë trofeun, pavarësisht se çfarë bëjnë ekipet e tjera. Me 5 fitore ata do të arrijnë 91 pikë, ndërse Guardiola nuk shkon dot më shumë se 90 pikë në rast se i fiton të gjitha ndeshjet. Klop mund ta fitojë kampionatin më 21 mars, por në rast se bën ndonjë hap fals, atëherë mund ta shtyjë për më 4 prill, e cila do të përkojë me transfertën kundër Sitit në “Etihad Stadium”. E thënë më thjesht: Çështje kohe.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"