“Ecuri e papranueshme. I ulja në stol, po të kisha alternativa”, Bubeqi: Unë i stërvis, reagimi çështje… sedre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2021 | 13:54

“Ecuri e papranueshme. I ulja në stol, po të kisha alternativa”, Bubeqi: Unë i stërvis, reagimi çështje… sedre

Dorjan Bubeqi nuk është aspak i qetë. Humbja në Luz përballë Apolonisë dhe barazimi me Shkumbinin në Peqin e kanë ngujuar Besën në vendin e 6-të. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon me detaje ecurinë dhe gabimet, ndërsa e quan të papranueshme të marrësh 1 pikë në 180 minuta.

bubeqi besa

“Nuk jam i qetë dhe as i kënaqur nga dy ndeshjet e fundit. Nuk vlen të thuash: ‘Luajtëm mirë, krijuam raste e të tjera si këto…’. Po flasim për Besën. Të të mundë Apolonia, Maliqi apo Vora nuk është turp, por për ne është e papranueshme për vetë lojën që zhvillojmë, fanellën dhe investimin e bërë. Unë vazhdoj të besoj te loja dhe disa individë, ndonëse javët po ikin dhe pikët bashkë me ta.

Mos u habisni që ende e vuaj atë humbje me Apoloninë, për më tepër tek shoh që mundet thellë në Fier këtë javë nga Besëlidhja. Shkumbini mbetet një tjetër shembull. Pëson 10 gola në dy ndeshje dhe ndaj nesh merr barazim dhe na shënon 2 gola. Për më keq, shkaktojmë dhe penallti, si kurrë më parë”, tha fillimisht tekniku.

ZGJIDHJA

Po cila pritet të jetë zgjidhja që Bubeqi beson e pret nga ekipi dhe a mbetet ai i kushtëzuar në zgjedhjet e tij nisur nga kontigjenti që ka? Këto përgjigje na i jep ai vetë. “Kur në ekip ke futbollistë që kanë përvojë, madje edhe Superiore, mendon se e ke të lehtë të punosh me ta. Kjo është e vërtetë, por ka edhe anën tjetër të medaljes, atë të reagimit, përgjegjësisë, detyrimit për të dhënë maksimumin në fushën e lojës.

Detyra ime është t’i stërvis dhe zbatoj e programoj në fushë ushtrimet taktike, mënyrën se si ekipi do të luajë. E gjithë pjesa tjetër mbetet në mënyrën se si futbollistët do zbatojnë idetë e mia dhe do tregojë secili vlerat personale që ka.

Në këtë drejtim, nuk jam i kënaqur nga të gjithë. Ua njoh aftësitë, mundësitë, por nuk po i shoh të shfaqura në fushë në pritshmëritë e mia. Ndaj, nisur nga përvoja që kanë, vitet mbi kurriz, gjykoj, le të mbetet në ndërgjegjen e secilit nëse kanë sakrifikuar apo jo në të gjitha ndeshjet njësoj.

Them kështu, pasi në dispozicion kam zgjedhje të limituara, teksa në stol kam futbollistë që kanë shumë diferencë me formacionin. Nëse do kisha vërtet një stol solid, ju siguroj se ata që vërtet nuk kanë sakrifikuar, do t’i ulja direkt aty.

Por deri në janar do presim duke besuar në profesionalizmin dhe detyrimin që futbollistët kanë ndaj presidentit, klubit dhe tifozëve.

Çdo fjali tjetër do ishte e tepërt, pasi në gazetën tuaj disa titullarë më shumë se një herë kanë deklaruar këtë që unë po ju them, se grupi nuk ka marrë ato pikë që mundej dhe se ka shfaqur dobësi në segmente të caktuara loje, por që na kanë kushtuar.

Shumë e thjeshtë, secili të bëjë bilancin e vetes, se sa e ka justifikuar besimin e klubit”, përfundoi Bubeqi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"