E zbulon presidenti/ Eksod te klubi i Kategorisë së Dytë, 10 lojtarë jashtë planeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2023 | 23:40

E zbulon presidenti/ Eksod te klubi i Kategorisë së Dytë, 10 lojtarë jashtë planeve

Shkumbini e mbylli fazën e parë në vendin e katërt, me 6 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje. Një ecuri larg pritshmërive, që detyron klubin që të futet në merkato dhe fuqishëm madje. Presidenti Ali Kasa kërkon një nga dy vendet e para në renditje, ndaj nuk do të kursehet për ekipin.

Shkumbini

Ai ka dhënë garanci për afrimet që i duhen stafit teknik dhe të mos diskutojnë misionin madhor. Që të ketë përforcime, duhet të ketë edhe largime. Dhe drejtuesit më të lartë e kanë nisur pikërisht nga “spastrimet” planin e tyre. Ka qenë vetë numri një i klubit peqinas, që ka publikuar se një pjesë e mirë e titullarëve dhe rezervave, që kanë dalë jashtë planeve, nuk do të jenë pjesë e ekipit për fazën e dytë.

Bie në sy që janë pikërisht të tre lojtarët e huaj: Guilheme Sami, Amadu Imran dhe Bilren Anderson. Ata janë të parët që kanë marrë lejen e kalimit nga bardhekaltrit. Po ashtu, lojtarë që kanë mbajtur peshë në ekip, mesfushorët Elvis Xhelili e Gëzim Hyska, si dhe sulmuesi Artur Sejdini, nuk do të jenë më pjesë e ekipit. Këtij grupi do t’i bashkëngjiten edhe Ernest Doçi, Enerik Buzra, Geri Selimaj e Nazmi Tolli.

“Prisja më shumë nga grupi që kishim ndërtuar, por nuk ndodhi kështu. Nga ndeshja në ndeshje, hasëm probleme. Kjo na detyroi që të shkonin drejt mbylljes së bashkëpunimit, me një pjesë të mirë të lojtarëve. Për fazën e dytë do të ketë afrime cilësore, për të realizuar qëllimin që i kemi vënë vetes për një nga dy vendet e kreut”, u shpreh presidenti.

FATMIR AHMETI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"