E vërteta e nëpërkëmbur e Ballkaniadës 1946

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2016 | 20:35

E vërteta e nëpërkëmbur e Ballkaniadës 1946

BESNIK DIZDARI

* Kundër shpërdorimit dhe gabimeve historike

besnik dizdari

Arian Abazi është një pedagog i ekonomisë, i cili, përveç të tjerave, gjithmonë ka pasur një pasion të veçantë për sportet, sidomos për dokumentacionin dhe arshivën statistikore të futbollit. Dhe këtë e bën thjesht për kënaqësinë e vet, si të thuash për kërshërinë e tij dhe për ndjenjën e kulturës kombëtare që ka edhe për këtë fushë. E njoh prej vitesh e ai i ndjek me skrupolozitet edhe botimet e mia. Kur e takoj, gjithmonë them me vete: “Mos më ka gjetur ndonjë pasaktësi Ariani”?

E pra, nëse dikush papritmas do të pyeste se a ka pasur ndonjëherë ndonjë lojtar të Kuçovës që duke qenë nën fanellën e Naftëtarit – dikur skuadër tejet e rëndësishme në futbollin tonë – të ketë luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë, me siguri do të habitej. Ndoshta do të kujtonte nja tre të famshëm të futbollit që dikur i thoshim i Qytetit Stalin, siç kanë qenë, për shembull Bashkim Sulejmani, Vladimir Skuro apo Aleksandër Koçi, por as këta asnjëherë nuk e kanë veshur fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. E pra, ka një kombëtaras të Kuçovës. Ky është portieri Fatmir Ismaili, i cili ka luajtur me Kombëtaren në një 1 ndeshje, atë me RD Gjermane 1-4 më 1973.

Këtë e dinë të gjithë sigurisht, por e dinë se në ditën e kësaj ndeshjeje Ismaili ka qenë lojtar i Partizanit, siç e kam vendosur edhe unë në “Librin e Kombëtares”. Është një gabim. Kur ka luajtur këtë ndeshje me Kombëtaren, Fatmir Ismaili ka qenë lojtar i Naftëtarit. Dhe autori i këtij libri, që qëllon të jem unë, i ka mohuar historisë së Naftëtarit – një lojtar të Kombëtares.

Këtë gabim të librit në fjalë, që më ka shpëtuar mua, e ka gjetur Arian Abazi. Madje jo vetëm këtë. Arian Abazi ka gjetur se kur Ali Mema ka luajtur në ndeshjen e 1967-ës me Gjermaninë në 0-0-n e famshëm, ai nuk ka qenë lojtar i 17 Nëntorit, siç kam shkruar unë në kapitullin statistikor të librit, por i Vllaznisë. Ka edhe më tej. Teodor Vaso nuk ka qenë i Partizanit kur ka luajtur këtë ndeshje, por i Skënderbeut të Korçës. Një muaj më parë të kësaj ndeshjeje, atë Jugosllavia – Shqipëria 4-0, edhe Foto Andoni gjithashtu nuk ka qenë i Partizanit, por i Vllaznisë…

Shihni se si një autor skrupuloz, siç të paktën e njoh veten unë, ka gabuar kësisoji, duke i mohuar e pakta tre klubeve të Shqipërisë, Naftëtarit, Vllaznisë e Skënderbeut protagonistët e tyre të mëdhenj si lojtarë të Kombëtares në ndeshje të caktuara. Duam apo s’duam ky “lapsus” nuk është “lapsus”. Është shtrembërim i historisë.

Këto gabime i ka zbuluar Arian Abazi. Me një mirësjellje të rrallë, m’i ka thënë me droje të madhe, duke menduar se mos po më mërziste e më vjen keq. Mirëpo unë jam i detyruar t’i përgjigjem atij dhe kujtdo tjetër me thënien e famshme të Indro Montanelli-t: “Një nga ditët më të lumtura të profesionit tim, është kur del ndonjë gabim në gazetë, sepse ky është një rast i bukur për t’u kërkuar të falur lexuesve”. E pra, sa kohë keni pa parë ndonjëherë që t’i kërkohet e falur lexuesit në të gjitha llojet e gazetave që dalin në Shqipëri? Me sa duket, gazetat shqiptare janë të vetmet në botë që nuk gabojnë kurrënjëherë!…

Jam munduar për ta zbatuar sentencën e mësipërme gjatë gjithë jetës sime të profesionit. Natyrisht me siguri jo vetëm unë. Duke shfrytëzuar rastin e këtij shkrimi e falënderoj së tepërmi Arian Abazin dhe i kërkoj të falur për gabimet e mia atij dhe lexuesve.

Nuk ka të pagabueshëm. E keqja është kur shkruan pa t’u trembur syri se gabon; dhe madje as që do t’ia dish për gabime, edhe ngaqë si bashkëpunëtor i jashtëm nuk ke dhimbje për gazetën që të ka hapur faqet ndoshta edhe pa asnjë meritë. Rëndësi ka që shkruan, që të del emri në gazetë, që paguhesh madje, e që ndoshta shet mend për atë që ke shkruar, ndonëse nuk je aspak i ditur për atë temë. Dhe gabimet radhazi që vazhdojnë…

Për fat, nëse në Shqipëri ka një histori që e shoqërojnë shkrime të papërgjegjshme, kjo është historia e sportit shqiptar. Dhe është kaq keq kjo punë saqë përditë mund të përgënjeshtrosh e të ndreqësh.

Duke parë një dokumentar për futbollin e Kombëtares së Shqipërisë, sapo ai fillon thotë se françeskanët kanë sjellë topin e parë të futbollit në Shqipëri, në një kohë që dihet qartë se e kanë sjellë jo françeskanët, por jezuitët. Ose kjo tjetra: që ndeshja e parë, ajo e 1913-ës është luajtur me një skuadër malazeze, siç thotë pa “u friguar” aspak ky dokumentar, kur dihet se ajo është luajtur me një skuadër të trupave austro-hungareze që ndodheshin në Shkodër. Gjëra të vogla apo jo? Në fakt të dyja janë dy rréna të shpejta. Dhe që me to ke shtrembëruar deri historinë kombëtare, kur dihet se as që mund të mendohej që në vitin 1913 mund të luhej futboll me “armiqtë” malazezë, teksa punë “ditësh” po bëhej gati të shpërthente lufta me ta.

Shqipëria është ndër vendet e rralla në Europë që nuk ka arkiv të sporteve dhe që thuajse nuk i dëgjohet zëri për historinë e sporteve, e nuk di a është provim më vete në Universitetin e Sporteve Historia e Sportit Kombëtar. Po aq nuk di nëse ka një libër të posaçëm, të saktë e të vërtetë, pra akademik, siç e kërkon një universitet, për sportin shqiptar. Pa shkuar tek ajo tjetra: e ka apo jo një profesor të historisë sportive ky Universitet? Apo kjo punë është krejt spontane dhe është lënë në duart e atyre “ekspertëve” për gjithçka, të cilët mbasi shkojnë e pinë kafe te ky Universitet, ndoshta çohen pa asnjë përgatitje, ngjiten në sallë e tregojnë “historitë”, edhe pse i dinë pak ose aspak këto “histori”!..

Kështu që këto punë mbesin në dorë të amatorëve, madje të amatorëve krejt të papërgatitur..

Ndërkaq, sidomos sot, në këtë sferë të jetës, është një rrezik jo i vogël, kur kujton se në redaksitë e gazetave me të drejtë ka ardhur brezi i ri i gazetarëve, i cili, jo për fajin e tij, ka më pak njohuri për historinë e sporteve. Dhe mu prej këtu mund të vijë rreziku i shtrembërimit të historisë edhe për sportet. Ndodh që duke qenë autori i një shkrimi historik, disi me moshë të pjekur përballë botuesit të gazetës, kryeredaktorit apo redaktorit të ri, ky autor i pandërgjegjshëm, nxiton të shkruajë pa u merakosur aspak, pa verifikuar, pa studiuar, i bindur plotësisht se redaksia nuk e ka kompetentin historik për t’ia kthyer mbrapsht shkrimin. Ndërkaq, me mendjelehtësi ai harron lexuesin e ditur e të mençëm. Është mashtruese! Dhe o burra, shkruaj edhe për gjëra që nuk i di e me të cilat nuk je marrë kurrënjëherë!…

Është vërtet e tmerrshme mandej ajo çka mund të ndodhë shpesh me shkrime portretesh të sportistëve. Këtu gabimet, të pavërtetat shpesh arrijnë kulme. Dikush ka qejf t’i bëhet një portret dhe i thotë bashkëpunëtorit të jashtëm të gazetës që t’ia bëjë. Qëllon që ky të jetë vërtet një sportist i shquar. Mirëpo, si i bëhet kur po në këtë sport të tij ka sportistë të tjerë, të cilët janë shumë më të shquar se ai dhe kurrë nuk i është bërë një portret. Dhe ky sportist i madh as nuk e kërkon portretin, nuk bëzan, si të thuash shkon në punë të vet, në heshtjen dhe thjeshtësinë e vet. Sepse dihet: sa më i madh të jesh, aq më modest je.

Është e pafalshme, bie fjala, kur një autor pa u tutë, është kaq nënvleftësues saqë për portierin e parë të Kombëtares sonë Dodë Tahirin shkruan se është malazez! Kur vetëm pak ditë më parë mû në këtë gazetë ishte shkruar qartë shqiptarësia e Dodë Tahirit, të cilit shqiptar i thërret emri i tij deri në kupë të qiellit “Dodë”! E, pse ke dalë futbollist prej Buduçnostit të Podgoricës, apo edhe pse ke luajtur mbas Shqipërisë me përfaqësuesen e Malit të Zi, kjo assesi nuk do të thotë se apriori je malazez. E Dodë Tahiri, shqiptari legjendar për ne, i pari i Kombëtares, Kampioni i Ballkanit dhe i Shqipërisë, kur shkoi në Amerikë pat formuar një klub jo me emrin “Buduçnost”, por me emrin “Vllaznia”. Them legjendar, se ky bir i Dukagjinit apo i Shalës, madje luftëtar i rezistencës kundërfashiste, trim i çartun – çka Mbasluftës e pagoi edhe me burgun e Serbisë – i tillë ishte. E kanë shkruar aq pasur e hijshëm historinë e tij autorët Prelë Milani e Lazër Kodra në librin e tyre të tretë “Dukagjini ynë”. Merreni pikë referimi këtë libër, ju që shpejtoni për ta bërë malazez Dodë Tahirin dhe si plagjiatorë shembullorë që mund të jeni, ndoshta autorët do t’ua falin edhe plagjiatin.

Është koha që për portretet e sportistëve të shquar shqiptarë, shumica të flakur tej historisë, të ndalohet shija personale për t’u shkruar sipas qejfit apo interesave të dikujt. Ka një renditje kjo histori, që është renditja e meritave.

* * *

10 vjet më parë, me rastin e 60-vjetorit të Lojërave Ballkanike të Tiranës 1946, ose Ballkaniada, siç njihet, kam botuar librin “Ballkaniada 1946”. Ky libër, midis 20 e sa librave që kam botuar, së bashku me “Libri i Kombëtares” dhe “Kampionatet e Shqipërisë 1939-1942” janë të vetmit që janë shitur krejtësisht. Më vjen mirë që janë shfrytëzuar prej lexuesve, por sidomos prej gazetarëve dhe s’ka gjë që ka prej tyre që i kopjojnë keq e nuk denjojnë t’i citojnë një herë të vetme. E, përveç të tjerave, kjo është dhe çështje edukate, mirësie, modestie e ndershmërie e autorit apo e pseudoautorit. Sepse ka dhe pseudoautorë, që zakonisht janë “guximtarët” që marrin përsipër të shkruajnë për një njeri apo temë, edhe pse nuk kanë aspak njohuri. Kanë vetëm shqetësimin e protagonizmit egoistik të tyre si plagjiatorë vërtet interesantë e të një lloji të veçantë; e pse jo, edhe të honorarit që ia blaton gazeta.

Tash, siç kujtova në shkrimin për ndeshjen e parë të Kombëtares, është 70-vjetori i Lojërave Ballkanike. Mendova të ribotoj në tirazh të paktë librin e 2006-ës, “Ballkaniada 1946” edhe në përkujtim të këtij jubileu të ri që i takon të jetë ashtu si për Kombëtaren, një 70- vjetor jubilar. Duke e rishikuar librin, përsëri vërej disa “gabime”. Sigurisht jo gabime të rënda saqë të shndërroj në malazez Dodë Tahirin. Por edhe “gabime” të llojit të zbulimit të të rejave, sepse dihet historia shkruhet e rishkruhet ngaqë dalin fakte të reja.

Në këtë ribotim m’u desh të ndreq faktin historik që ka të bëjë ndoshta me sportistin më të madh që ka pasur Shqipëria e Paraluftës dhe i pathyeshëm për vite të tëra edhe Mbasluftës në arritjen e tij të rrallë. Merre me mend: deri para disa javëve të këtij viti 2016, Sejfedin Biçaku ishte atleti i vetëm në historinë e Shqipërisë që kishte arritur të hynte në finalen e një gare të Kampionatit Europian, duke u renditur i 9-ti në Europë! Dhe kur? Plot 78 vjet më parë!

Kjo arritje e tij rezistoi pra, plot 78 vjet, deri në këtë vit 2016, kur atleti, për fat po i garave të kërcimit, Izmir Smajlaj u rendit po i 9-ti në kërcimin së gjati në Kampionatin Europian 2016, duke mbërritur më në fund Sejfedin Biçakun – rekordmenin e trehapëshit.

Biçaku – bir i atdhetarit Dervish Bej Biçaku – është vëlla i dy sportistëve të tjerë të shquar, Sabaudin (futbollist edhe në Itali) dhe Vasif Biçakut, ky i fundit i famshmi i Kombëtares Shqiptare – një prej kampionëve tonë të Ballkanit, 70 vjet më parë. Dv vjet para Ballkaniadës, dhjetor 1944, Shqipëria ishte bërë vendi i parë në Europën e Mbasluftës që kishte pushkatuar një rekordmen të atletikës së lehtë, sportistin e madh shqiptar Sejfedin Biçakun, trupin e të cilit do ta ekspozonin në mes të qytetit të Kukësit duke tmerruar popullin. Këtë dëshmor të madh për liri e demokraci Shqipëria e kishte rekordmenin kombëtar të trehapëshit, rekord që nuk do ta mbërrinte asnjë shqiptar në këto Lojëra të Ballkanit 1936: ishte 13.68, vendosur pra qysh më 1938, në Kampionatin e dytë Europian, atë të Parisit 1938.

Në librin e parë “Ballkaniada 1946” kam shkruar se rekordin e Biçakut e ka thyer sportisti universal dhe një personazh i madh i sportit të Shqipërisë, Vlash Koljaka. Por tash, teksa kam në dorë protokollin e Kampionatit Europian të vitit 1938, del se rekordi shqiptar i Biçakut ka qenë jo 13.56, por 13.68 metra. Çka do të thotë se rekordin e tij e ka thyer jo Koljaka, por legjendari i atletikës shqiptare, Hysni Bebeziqi me 14.00 metra më 1956.

E shihni pra se si lindin gabimet, e sesi ndreqen ato. Kjo është besnikëria ndaj historisë.

E, nga ana tjetër, me këtë rast të këtij 70-vjetori dhe ribotimit të librit “Ballkaniada 1946”, po risaktësoj se çka qe në të vërtetë Ballkaniada 1946. Natyrisht edhe për të flakur tej pasaktësitë, qoftë edhe mjaft prej atyre të kohëve të fundit të shkruesve “guximtarë”. Ndonëse pra tash 10 vjet ka një libër për Ballkaniadën. E atij që shkruan mbas 60 a 70 vjetëve, i duhet të citojë, të mbështetet në një arkiv të kohës. Aq më tepër që, për fat, në kohën kur ajo u zhvillua, asaj iu kushtua për shumë arsye, mbi të gjitha politike, një hapësirë e madhe propagandistike, pse jo dhe historike, çka më kanë ndihmuar jo pak për botimin apo dhe ribotimin e këtij libri. Dhe jo rastësisht libri mban nëntitullin “Shqipëria – Kampione e Ballkanit në startin e ‘Luftës së Ftohtë’ në Europë; e jo rastësisht parathënia mban titullin ‘Një histori që nuk u tregua kurrë ashtu siç ndodhi'”. Sepse duhet thënë që kjo Ballkaniadë, përveçse një synim sportiv, ka pasur një synim politik dhe gjeopolitik të mirëfilltë të katër shteteve komuniste të sapolindur të Ballkanit: Jugosllavi, Shqipëri, Bullgari, Rumani.

Organizimi i kësaj Ballkaniade në një Shqipëri pa shumë traditë dhe mundësi në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit, e mbi të gjitha duke ia arritur të triumfonte edhe në fushën e blertë, siç ngjau me titullin befasues të Kampiones së Ballkanit në futboll, tërhiqte një simpati e krenari të jashtëzakonshme. Siç kam shkruar, Shqipërisë Komuniste dhurata e madhe i kishte rënë nga qielli, duke ia arritur të gëzonte tejet një popull të tanë.

Të shkruash për Lojërat Ballkanike të Tiranës në këtë 70-vjetor, natyrisht do të duhet të pranosh se ato janë akti i parë i fillimit të Luftës së Ftohtë në Europë, midis dy kampeve, pa u tharë ende nënshkrimet e katër të mëdhenjve në Jaltë. E përballë kësaj rëndese të madhe historike, të krijosh barsoletën që thotë se sekretari i BRASH-it (organizata e Rinisë Komuniste) Ramiz Alia ka ndërhyrë te formacioni i skuadrës, është sa naiv e aq i pavërtetë. (E me krijime barsoletash a anekdotash cikërrimtare, nuk mund të mbahen assesi shkrimet historike). Qoftë dhe për faktin se në atë vit 1946 të sundimit omnipotent jugosllav në të gjithë jetën shqiptare, 21-vjeçari Ramiz Alia përballë autoritetit të trajnerit jugosllav, 34 -vjeçarit Ljubisa Brocic, ishte ende i vogël. E, aq më tepër, ai ishte i vogël edhe përballë një Sejfulla Malëshove, Nako Spiro, Tuk Jakove, Koçi Xoxe, e për drejtimin e sporteve i tillë mund të ketë qenë edhe përballë një kryetari si Kristo Papajani, të cilët tash e parë shfaqen për te Ballkaniada me fjalime e prani, me autoritet e epërsi, me reklamë e drejtim.

Natyrisht nuk mund të shkruash për Ballkaniadën e Tiranës, duke “harruar” absurditetin e madh të këtij organizimi, teksa thuajse rrufeshëm katër shtete komuniste të Ballkanit guxuan, madje me arrogancë, për të kërkuar deri pjesë- marrjen e ekipit sportiv të EAMit (Fronti Kombëtar i Çlirimit të Greqisë i Partisë Komuniste të Greqisë). Apo për të harruar injorimin që i bëri FIFA ftesës për praninë e saj në Tiranë. E, nga ana tjetër, po aq nuk mund të rrish pa shkruar me vërtetësi, qoftë dhe duke ngritur lart kujtimin historik të pashlyeshëm të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, i cili u varros pikërisht në këtë 70-vjetor të përurimit të tij. Ndryshe, kjo harresë e fundit çon ujë në një servilizëm origjinal ndaj kancelarive të sotme ministrore apo qeveritare.

Në këtë rast, historiani i ndershëm është i detyruar të shkruajë se, qysh më 17 korrik 1945, u deklarua se Lojërat Ballkanike do të zhvilloheshin “në atë kryeqytet ku ndodhej një stadium i përshtatshëm për këto lodra”, “konkurs” që do ta fitonte stadiumi i Tiranës (më mbas “Qemal Stafa”) përmes një dueli të gjatë diskutimesh në Beograd. Dhe duhet ditur mirë që Jugosllavia jo vetëm nuk qe kundërshtare, por ishte mbështetësja më e madhe për organizimin e kësaj Ballkaniade në Tiranë. Ashtu siç nuk mund të mos pranosh sot se në këtë Ballkaniadë gjithçka e marrin ndër duart e tyre krerë të sportit jugosllavë, të cilët vërshojnë në Tiranë qysh më 11 shtator 1946: Dr. Frano Tucan, Toger Josip Malic, Ing Kosta Popovic. Dhe midis të cilëve, siç e thashë edhe në shkrimin e 70-vjetorit të Kombëtares, është dhe një emër tjetër: Ljubisa Brocic, befasisht i shndërruar në trajnerin e Kombëtares së Shqipërisë. Ashtu siç nuk mund të mos vlerësosh lart se pa kontributin e jashtëzakonshëm të specialistëve dhe organizatorëve shqiptarë, nuk mund të bëhej asgjë.

* * *

Ballkaniada e Tiranës 1946 nuk është thjesht titulli i Kampionit të Ballkanit të Shqipërisë, as vetëm vendi i dytë i atletit të rrallë Behlul Hatibi në 110 metra me pengesa. E, madje, as dhe renditja për herë të parë në histori në gara ndërkombëtare sportive të tri femrave shqiptare: Marje Rranzi, Gjylter Pipa, Violeta Rama. Ballkaniada është shumë më tepër se kaq. Dhe nuk mund të harrohet vetë starti i saj, që nis me zgjedhjet e drejtimit të sporteve ku kryetar zgjidhet Anton Mazreku, nënkryetar Luigj Shala dhe Ibrahim Dizdari. Ashtu siç nuk duhet harruar jetëshkurtësia e kësaj kryesie e zëvendësuar shpejt me krerë komunistë.

Po ashtu nuk mund të harrosh ato që i shpalos me bujë në fjalën përshëndetëse Kristo Papajani, sekretar i përgjithshëm i Federatës Sportive Shqiptare – një nga drejtuesit më të shquar të sportit shqiptar – i cili njofton me krenari propagandistike se “ne kemi zhvilluar një sport për masat e gjera të popullit, për punëtorët dhe fshatarët, duke ngritur 17 klube sportive me 12.000 anëtarë me 11 kampionate kombëtare”, çka përbënte një të vërtetë sportive të kohës. Pavarësisht nga harresa për themelimet: shumica e këtyre klubeve qenë themeluar qysh në vitet ’10, ’20 dhe ’30.

Kjo ishte Ballkaniada, e cila do të bëhej shkas të shfaqte për herë të parë në mes të Tiranës, stemën e Republikës së re Popullore më gjigante se kurrënjëherë, e vendosur mbi një makinë të madhe me yllin e kuq që “vezullon” në krye të saj. E ku prapë nuk duhet harruar se si politizimi i kohës së kësaj Ballkaniade mbërrin deri aty, teksa Enver Hoxha në vizitën e tij në Beogradin deklaron se:

“Populli shqiptar sheh në Jugosllavinë jo vetëm popullin vëlla, aleatin dhe mikun e tij, po dhe popullin që i ka dhënë një përkrahje të fortë si gjatë luftës ashtu dhe tani në paqë për ndërtimin e një aveniri ma të mirë”.

Po aq nuk mund të mos shkruash për lajmin absurd të “pranimit të Shqipërisë në FIFA” në këtë vit 1946 – një mashtrim i tanë për të mohuar pranimin zyrtar të vitit 1932, të kohës së Mbretërisë, i njohur sot e kësaj dite. Ishte një tjetër përpjekje kjo për të mbyllur “një herë e përgjithmonë faqet e sportit të së kaluarës së errët të shoqërisë së çifligarëve dhe borgjezisë”, siç thuhet pa mëshirë. Kurrsesi nuk mund të binte kaq poshtë sekretari i përgjithshëm i FIFAs, Dr. I. Schricker, po ky Dr. I. Schricker, i cili më 6 janar 1937 po me cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s kishte nënshkruar ftesën zyrtare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të vitit 1938 në Francë.

Se çfarë do të ndodhte nga 3 deri më 13 tetor në stadiumin kombëtar të Tiranës që sapo kishte marrë emrin “Qemal Stafa”, tashmâ është përshkruar gjatë në kohën kur ndodhen dhe libri “Ballkaniada 1946” i sapobotuar mbas dhjetë vjetëve për herë të dytë, i ka të gjitha, me përshkrim dhe statistikë të hollësishme; e më pakta me nja 300 emra.

Ajo që të shqetëson sot është kjo tjetra: që edhe në këtë 70-vjetor, Ballkaniadën, titulli i Shqipërisë si kampione, por dhe medalja e parë ndërkombëtare e një atleti që mbërrin Shqipëria me Behlul Hatibin, nuk denjoi ta përkujtonte askush. As Federatat sportive përkatëse, as ministria përkatëse, as qeveria përkatëse! Shqipëria harron. Dhe vetëkeqësia është se harron aty ku s’duhet harruar dhe përkujton e nderon mbase aty ku duhet.

Vërtetësia mbi Ballkaniadën 1946, assesi nuk duhej të na çonte te harresa e të vërtetave të tjera, për të mbërritur qoftë dhe mbas 70 vjetëve te një rehabilitim i plotë i protagonistëve të saj. Kështu është kur kujton se Bahri Kavaja, Vasif Biçaku, Ibrahim Dizdari, Aqif Domini, Pjerin Guraziu, Luigj Shala, Galip Sojli, Feti Dizdari, Luigj Bojani, Sabri Dajlani, Gjylter Pipa, Raq Manushi, Adem Karapici, Xhelal Juka, por dhe të tjerë plot, biografia do t’i ndiqte gjithë jetën. Madje, Pjerin Guraziu do të pushkatohej si armik pa asnjë faj, kur Sabri Dajlanit, Feti Dizdarit e Pal Mirashit, shpejt mbas Ballkaniadës, pa asnjë mëshirë do t’iu viheshin prangat e të burgosurit politik. Dhe jo vetëm atyre. Vështroni për një çast protagonistët e futbollit, kampionët e Ballkanit:

Dodë TAHIRI (1915-’88), Giacomino POSELLI (1922- 2008), Muhamet DIBRA (1923- ’98), Sllave LLAMBI (1917-’85), Rexhep SPAHIU (1923-’93), Bimo FAKJA (1919-’81), Besim FAGU (1923-’99), Xhavit DEMNERI (1919-’96), Bahri KAVAJA (1922-’89), Aristidh PARAPANI (1926-’79), Qamil TELITI (1919-’76), Loro BORIÇI (1922-’84), Vasif BIÇAKU (1919- ’79), PAL MIRASHI (1925- 2001). Trajneri Ljubisa BROCIC (1912-’95).

Shumica, sot e kësaj dite, pa asnjë nderim të veçantë. Madje, nja katër prej tyre, Tahiri, Poselli, Kavaja e trajneri Brocic, pak a shumë të shpallur armiq!

Sidoqoftë, e vërteta e Ballkaniadës 1946 nuk është thjesht vetëm simbolizimi i saj me arritjen e mrekullueshme të Shqipërisë – Kampione e Ballkanit. Siç u përkujtua me shpejtësi edhe në këtë shkrim, ajo është më shumë se kaq. Ajo është pjesë e historisë e kulturës kombëtare e një rëndësie të veçantë për synimet që pati, për nxitjen që i dha sportit shqiptar.

Siç kam shkruar, Shqipërinë tash e mbrapa e priste diçka tjetër. Festa e madhe po mbaronte shpejt…

Ndërsa sot, ne na duhet që t’u heqim festivitetin shkrimeve historike, të heqim rrénat, të ndreqim gabimet, të verifikojmë; dhe mbi të gjitha të zbulojmë. E të mos bëhemi kaq artificialë pompozë e të marrim pendën për gjëra që nuk i dimë e me të cilat nuk jemi marrë kurrë.

Dhe po kurrë të mos harrojmë lexuesin, i cili jorrallë mund të dijë më shumë se ne që shkruajmë, se ti që shkruan pa dashur t’ia dish as për të vërtetat, as për rendin e meritave, as për rëndësinë e tejskajshme që ka një gazetë publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"