“E shkatërroi peshëngritjen me doping dhe skandale”, Toska: Kontrabandist arkivolesh, Gjoza të rrijë larg shtangës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 12:35

“E shkatërroi peshëngritjen me doping dhe skandale”, Toska: Kontrabandist arkivolesh, Gjoza të rrijë larg shtangës

Në prag të Asam blesë Zgjedhore që do të mbahet më 14 nëntor, komuniteti i shtangës është përfshirë polemika të forta, të cilat shpërthyen pas vendimit të komisionit të seleksionimit të kandidaturave të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për të përjashtuar nga gara për president Elez Gjozën. Komisioni e cilësoi Gjozën si një kandidat që nuk përmbush kriteret statutore të FSHP-së (të figurës së pastër morale në fushën e sportit), për shkak se gjatë kohës kur ka drejtuar shtangën kanë rezultuar plot 12 sportistë pozitiv me doping.

unnamed

Kjo gjë bëri që Gjoza të shpërthejë në akuza ndaj presidentit aktual Theodhor Masllavica, ndërsa ndër të tjera përmendi edhe emrat e trajnerëve Sokol Bishanaku, Leonard Toska, apo Endri Karina, duke e quajtur persona që kanë pasur lidhje me skandale dopingu, të cilët federata aktuale po i përdor për vota. Pas deklaratave të forta të Elez Gjozës, ka ardhur edhe reagimi i Leonard Toskës. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajnerit i Shtërmenit e quan më se të drejtë përjashtimin e Gjozës: “Vendimi për përjashtimin e Elez Gjozës është shumë i drejtë, gjithashtu edhe për anëtarët e kryesisë Asim Belinova dhe Kreshnik Leka, të cilët kanë qenë drejtues në kohën kur dolën 12 peshëngritës me doping, duke lënë një plagë të madhe në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Por problemi nuk është vetëm dopingu, pasi Gjoza e zhyti peshëngritjen në borxhe, të cilat rëndojnë edhe sot. Shtangës nuk i leverdis një president i tillë, që e ka shkatërruar këtë sport.

Ndërsa meritat e mia si trajner i njeh e gjithë Shqipëria, pasi kam fituar 53 medalje ndërkombëtare”, shprehet Toska. Trajneri i Shtërmenit më pas e akuzon Gjozën për një seri skandalesh: “Në kohën kur ishte drejtor dogane, për këtë njeri është hapur një proces gjyqësor pasi futi 300 arkivole të përdorura.

-800-0-948bcc41e83d5a1023bd6c2beb3b5af4

Pra ka bërë kontrabandë arkivolesh për të shmangur pagesën në doganë. Gjithashtu, nuk ka paguar doganën për shtangat të reja që erdhën nga Suedia për Kampionatin Europian, një shumë prej 23 milionë lekësh që sot ka shkuar në 44 milionë. Nuk ka paguar për 3 vite taksat e federatës në bashki. Ka shkuar në Hungari së bashku me ish-sekretarin Agron Haxhihyseni dhe ka bërë një tjetër shkelje ku ka marrë 74 milionë lekë kesh nën dorë nga Tomas Ajan. Ka pritur sekretarin e Federatës Europiane në hotel Viktoria, ndërsa lekët e darkës as sot nuk janë paguar.

Në votimet politike të mëparshme, ka regjistruar 70 banorë në një banesë 200 m2. Pa harruar që në kohën e tij peshëngritja u dënua nga KOKSH”, deklaroi Toska. Ish-peshëngritësi në fund shprehu hapur mbështetjen e tij për presidentin aktual Theodhor Masllavica: “Unë e kam kritikuar edhe Masllavicën sepse edhe ai sigurisht që ka të meta, por mbi të gjitha nuk duhet të harrojmë që nën drejtimin e tij prej më shumë se dy vitesh nuk është kapur asnjë sportist me doping. Siç dihet paratë që jep shteti janë shumë pak për ta mbajtur peshëngritjen, ndërsa Masllavica ka kontribuuar nga biznesi i tij për ta mbajtur gjallë këtë sport. Ai është njeriu i duhur për ta drejtuar federatën edhe për këtë 4-vjeçar”, përfundoi Leonard Toska.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"