E RRALLË/ U stërvitën një muaj bashkë, Dinamo e Tërbuni “miq” në Pukë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2019 | 14:31

E RRALLË/ U stërvitën një muaj bashkë, Dinamo e Tërbuni “miq” në Pukë

Pas një muaji stërvitje në të njëjtën fushë në kompleksin “Internacional” në Pezë, ironia e fatit me kalendarin bëri që Dinamo të përballet me Tërbunin në javën e parë. Pa u hedhur ende shorti nga FSHF, dy klubet kishin shfrytëzuar faktin se stërviteshin në një fushë dhe zhvilluan miqësore mes tyre.

Dinamo Burreli

Tashmë do të jenë përballë në javën e parë të kampionatit. Ditët e fundit janë marrë seriozisht nga të dyja kampet, pasi kanë dashur t’i fshehin diçka njëra-tjetrës, edhe pse stërvitja sërish në Pezë ka qenë e pashmangshme. Situata është bërë gati komike, pasi në stërvitjet e fundit të Dinamos janë parë në tribunë modeste të kompleksit edhe pjesëtarë të stafit pukjan.

Dje në orën 18:00 blutë udhëtuan drejt qytetit verior për t’u akomoduar në një prej hoteleve. Aty çudia vazhdoi, pasi edhe ekipi i Tërbunit ishte akomoduar në të njëjtin hotel. Tërbuni dhe Dinamo janë miqësuar aq shumë, saqë ndoshta ekipeve sot do iu duket si një… miqësore.

SEFA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga lojtarët më të rëndësishëm të kryeqytetasve, Jetmir Sefa, flet me optimizëm në prag të ndeshjes në Pukë. “Kemi bërë përgatitje serioze për një muaj e gjysmë.

Me disa afrime së fundmi kemi krijuar një bërthamë të mirë, pasi e kemi edhe boshtin prej 4-5 lojtarësh që ishin edhe sezonin e shkuar. Tashmë kemi për detyrë që të japim maksimumin në fushë. Ndeshjet do t’i marrim një e nga e një dhe në vijimësi do të shikojmë edhe objektivat”, deklaroi mesfushori i bluve.

S.Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"