E PLOTË/ Rrëfehet Starova: Shulku gaboi me Partizanin, më mirë të heshtë. Iuliano i paaftë, jemi për të qarë hallin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 22:49

E PLOTË/ Rrëfehet Starova: Shulku gaboi me Partizanin, më mirë të heshtë. Iuliano i paaftë, jemi për të qarë hallin

Sulejman Starova ka për të gjithë. Ai nuk ndryshon qëndrim se Iuliano ishte i paaftë dhe i bëri dëme të mëdha Partizanit. Përpiqet të tregohet i kujdesshëm kur analizon të kuqtë, edhe pse “lexohet” nga toni se ka një pakënaqësi për mënyrën sesi u trajtua. Në intervistën për “Panorama Sport”, ish-trajneri i të kuqve flet edhe për Vllazninë, Tiranën, madje edhe për Panuçin. Këtë të fundit e mbështeti publikisht kur mori kuqezinjtë, por tani mendon se ai po gabon në menaxhimin e situatave dhe se FSHF e ka lënë në baltë.

starova ferronikelio

Çfarë ju bindi që të qëndroni në Kosovë?

Po pse, për çfarë erdha unë, për shtatë ndeshje këtu?! E kam thënë dhe po e përsëris: erdha për një projekt ambicioz dhe sezonin që vjen duam titullin. Erdha, njoha ekipin, njoha ambientin dhe tani po përpiqemi që të ndërtojmë te Feronikeli një skuadër për titull. Nuk kisha as 4 ditë që isha larguar nga Partizani kur më kontaktoi presidenti i Feronikelit dhe, pasi biseduam, ramë dakord për një projekt interesant.

Si ju duk mbyllja e kampionatit shqiptar?

Vjet ra Tirana, sivjet ra Vllaznia… Mbyllja ishte si gjithmonë… Ylli Aga thotë që është kampionati më i bukur sepse ka atë rritjen e vet, por ne nuk mund t’u bëjmë bisht gjërave. Pati mbyllje “normale” themi ne, por pse qenka “normale” kur skuadrat tolerojnë në fund kur u duhet ndonjë barazim apo ndonjë pikë?! Pse duhet ta llogarisim si normale ne këtë?

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje në fund?

Nuk ka shumë për të folur, por më bëri përshtypje polemika e Ilir Shulkut me drejtuesit e Partizanit.

Pse ju bëri përshtypje kjo?

Sepse Shulku nuk duhet të prononcohet fare. Është kapur i papërgatitur ndoshta kur i ka bërë pyetjet Leda (Enkelejda Zeko në “News 24”), sepse ndryshe nuk ka mundësi se si mund të thotë ai se “Partizani duhet ta gjejë problemin te vetja…”. Nuk ka si e thotë ai këtë.

starova

Po mirë, Shulku fundja ish-kapiten i Partizanit ka qenë, mund ta thotë një fjalë më shumë për ish-ekipin e tij… Nuk është herezi apo jo?

Dakord, por tani ai është drejtues federate dhe nuk ka ç’i duhet të flasë për problemet e një klubi të caktuar, ndonëse bëhet fjalë për ish-ekipin e vet, Partizani. Nuk është Shulku ai që e ka ngritur këtë lloj sistemi që ka sot futbolli shqiptar, ku bëjmë pjesë të gjithë në fakt… Ai përmend Partizanin që pati probleme para janarit, ndërkohë që nuk flet për mënyrën sesi u rregullua skuadra në janar. Nuk flet as se si u trajtuan skuadrat gjatë sezonit ku disa ishin të “nënës” dhe disa “të njerkës”. Na penalizuan në kupë, në kampionat. Pse nuk flet ai edhe se si penalizohej sistematikisht Flamurtari…?!

Gjithsesi, Partizani është pa trajner, pa një plan të qartë për të ardhmen. Faji i Shulkut është edhe ky?

Ajo është një temë tjetër. Nuk kam dëshirë të flas për Partizanin dhe për situatën e brendshme në klub.

Pse nuk flisni? Druheni se mos thellohet hendeku mes jush dhe drejtuesve të Partizanit pas ndarjes së hidhur disa muaj më parë?

Jo, jo, nuk e kam hallin këtu. Thjesht po flisja në përgjithësi për kampionatin. Por meqenëse këmbëngulni, pa dyshim që mund të flas edhe për Partizanin…

Dakord, çfarë nuk shkon te ky klub?

Duhet ta pranojmë se te Partizani u bënë gabime. E kam thënë edhe në të kaluarën se një nga përgjegjësit e situatës që u krijua në fillim ishte Iuliano. Ishte i paaftë. Moxhi ka gjithashtu përgjegjësi sepse lejoi Iulianon të sillte 10 lojtarë, ku pesë prej të cilëve nuk luajtën fare, por u katandisën duke qëndruar nëpër tribuna. Moxhi në fakt duhej të merrej vetëm me promovimin dhe shitjen e lojtarëve të rinj të Partizanit dhe këtë pjesë ai mund ta bënte fare mirë. Nuk diskutohen në mënyrë absolute cilësitë e tij për menaxhim dhe administrim talentesh. Por kaq.

Starova-470x313

Po dakord, pra, po çfarë mësimesh nxorën drejtuesit e Partizanit pas largimit të Iulianos, të Moxhit dhe pas largimit tuaj, sepse sot që flasim sërish skuadra është pa trajner…?

Mos e bëni kaq dramatike situatën. Edhe Reali i Madridit pa trajner është… Nuk është ky problemi, do ta gjejnë trajnerin. Pastaj mos harroni se Partizanin e bëjnë ata që janë aty. E marrin trajnerin dhe i thonë: “Ja ku janë lojtarët, fillo punën! Ka edhe kështu…!” E them këtë, sepse skuadra e ka boshtin. Nuk është si një vit më parë kur duhej të merreshin 10 lojtarë dhe duheshin harmonizuar me pjesën tjetër. Këtë vështirësi Partizani e kaloi dhe tani e ka shumë herë më të kollajshme. Nëse tregohen të zgjuar, mjafton të përforcojnë dy-tri pika të dobëta që i kanë pasur dhe kaq mjafton. Puna e madhe është bërë aty. Çështja është që të veprojnë shpejt dhe të kenë kohë për të punuar me qetësi, në mënyrë që të arrijnë objektivat.

A mendoni se klubi i Partizanit jua vlerësoi si duhet punën apo mendoni të kundërtën, që pati më shumë mosmirënjohje nga drejtuesit?

(Mendohet…) Sa herë kanë kërkuar kontributin tim, unë kam qenë i gatshëm dhe u jam përgjigjur me shumë profesionalizëm dhe me shumë seriozitet. Nuk kam asnjë koment tjetër.

Ju keni qenë edhe pjesë e Tiranës në të kaluarën, çfarë i duhet këtij klubi që të rikthehet pretendent?

Tirana as që diskutohej se do të ngjitej në Superiore. Tani nuk e di se si janë gjërat. E kam të vështirë të flas. Shumë gjëra do të varen nga ana financiare. Në kohën e sotme ka futboll nëse ka lekë. Kjo vlen edhe për Tiranën. E vlerësoj përkushtimin e Halilit dhe shpresoj që t’ia dalë.

Pse ra Vllaznia sipas jush?

Së pari, dua të them që njerëzit të mos merren më me bashkinë për këtë rast. Asaj bashkie duhet t’i heqësh kapelën, sepse ka dhënë qindra miliona lekë për lojtarët dhe për stafin. Kanë qenë ndër më të paguarit. Në këtë aspekt, bashkia e ka bërë detyrën. Është gabuar në menaxhim, por është viktimë edhe për faktin që ishte klub bashkie. Një klub me president nuk e sulmon dot kollaj, ndërsa klubet e bashkisë sulmohen shpesh nga faktorë të jashtëm.

starova

Hasan Likën e larguan nga Luftëtari, edhe pse arritën të shkonin në Europë…

Hasan Lika fitoi zemrat e gjirokastritëve me punë dhe me rezultate të shkëlqyera, ndërsa Tavo ia ktheu nderin me tradhti, duke ia thyer zemrën. Trajneri më i mirë i sezonit merr mosmirënjohje nga presidenti i vet. E trishtueshme.

Çfarë bëni tani në Kosovë?

Tani, që po flasim, jam duke ndjekur një turne madhështor që zhvillohet këtu me skuadra nga 4 lojtarë. Është turne memorial, “Rasim Kicina” (dëshmor), dhe marrin pjesë mbi 100 ekipe nga gjithë Kosova dhe Ballkani. Përfshihen rreth një mijë futbollistë në total dhe ndeshjet luhen nga ora 21:00 deri në 01:00 pas mesnate. Atmosferë fantastike, me tifozë që rrinë deri në ndeshjen e fundit. Traditë e shkëlqyer, kurse ne jemi për të qarë hallin në Shqipëri. Na mbyti indiferentizmi dhe merremi tërë kohën me Realin dhe Barcelonën, ndërsa këtu zhvillohet gjithë ky turne veror. S’e keni idenë se sa larg jemi në disa gjëra…

T’ju pyes pak edhe për kombëtaren. Ju keni qenë një nga ata që e keni përkrahur publikisht Panuçin, por tani nuk është se i ka gjërat mirë…

Së pari, po ju them se si lojtar nuk e kam dashur asnjëherë. Ka qenë një futbollist mesatar që shfrytëzoi më së miri lidhjen me Kapelon. E kam vlerësuar për faktin që e ka vënë jetën e vet në terezi nga ana financiare dhe nuk erdhi këtu si nevojtar për lekë, por për të treguar se vlen edhe si trajner. Ndërsa profesionalisht gaboi në këto dy ndeshje për mënyrën sesi e menaxhoi situatën.

Pse gaboi?

Sepse nuk ka ditur të mbrojë veten e vet dhe nuk e kanë ndihmuar as ata që e kanë vendosur aty. E lejuan ta masakrojnë në kritika për dy ndeshje miqësore dhe vetë e krijoi situatën të tillë…

A mund të jeni pak më i qartë?

Shikoni, Panuçi vendosi të bëjë eksperiment të gjerë në këto dy ndeshje duke provuar lojtarë të rinj. Ai nuk kishte pse të premtonte as lojë bindëse dhe as rezultat, por mjafton të thoshte se do provonte lojtarë të rinj për të ardhmen. Që këtu situata do ishte zbutur. E rëndoi situatën vetë dhe mendoj se ky ishte një gabim trashanik, pasi ka cenuar harmoninë dhe ka krijuar një atmosferë aspak pozitive. Nuk mbrojti veten e vet dhe as Kombëtaren. Pastaj duhet të keni parasysh se një trajner i zgjuar, në fillim përpiqet të luajë miqësore me skuadra të dobëta, pastaj pak më të forta e kështu gradualisht… Ka më shumë shanse të fitojë, të krijojë klimën e duhur dhe të mos rrezikojë kaq shumë. Edhe në këtë pikë Panuçi gaboi taktikisht dhe nuk e ndihmoi as FSHF. Por, gjithsesi e shoh që është kritikuar shumë më tepër sesa duhet. Shqiptarët kanë harruar se çfarë bëri De Biazi në fillimet e veta me kombëtaren tonë. Ndoshta ishte edhe më keq se ky… (Panuçi).

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"