E PLOTË/ Policia jashtë stadiumit, zbardhen debatet në FSHF. Propozime dhe kërkesa, ja çfarë ndodhi në mbledhje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2018 | 23:00

E PLOTË/ Policia jashtë stadiumit, zbardhen debatet në FSHF. Propozime dhe kërkesa, ja çfarë ndodhi në mbledhje

FSHF mblodhi dje përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore dhe diskutoi për minuta të tëra në lidhje me sigurinë në stadiume, duke qenë se me miratimin e ligjit të ri për sportin, mbarëvajtja e ndeshjeve do të sigurohet tashmë brenda stadiumet nga stjuartë dhe jo policë.

Mirëpo, i dhimbshëm ishte fakti se si zv.presidenti Edvin Libohova dhe njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i FSHFsë, Ilir Shulku, anashkaluan totalisht skandalin që ndodhi pas ndeshjes së Superkupës, Skënderbeu-Laçi, në hyrje të fushës, në prani të shefit të sektorit të garave, Lysien Nurishmi, kreu i klubit kurbinas, Pashk Laska pështyu anësorin Ridigert Çokaj. Në tryezën e djeshme u diskutua në lidhje me sigurinë në stadiume, komunikimi me tifozët dhe akreditimi i personave të klubit. Gazeta zbardh të gjitha debatet dhe diskutimet që u zhvilluan në tryezën e djeshme përpara startit të kampionatit.

fshf klubet mbledhje

SIGURIA NË STADIUME

Ilir Shulku (Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së)

“Përpara fillimit të kampionatit po rimblidhemi për të diskutuar disa çështje thelbësore që kanë të bëjnë me organizimin e ndeshjeve dhe mbarëvajtjen e garës nga java e parë e në vazhdim. Ne kemi evidentuar disa pika dhe gjatë diskutimeve të shohim se çfarë do të dalë tjetër për të përmirësuar gjërat që nuk shkojnë. Në bashkëpunim me klubet, duhet të përmirësojmë disa pika. Do të diskutojmë pikat në vazhdim bashkërisht dhe çështjen e Ligës Profesioniste se në çfarë momenti jemi. Po e nisim me një pikë shumë të rëndësishme që është siguria në stadiume. Besoj se jeni të informuar të gjithë tashmë se Ligji për Sportin ka ndryshuar”.

Aldi Topçiu (Shefi i Zyrës Juridike të FSHF-së)

“Problemi i sigurisë në stadiume është i përsëritur çdo vit. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Shtetit për të qenë bashkëpunues që të organizojmë ndeshje gjithmonë e më të sigurta. Gjatë muajit të kaluar kemi pasur një sërë korrespodencash me Policinë e Shtetit, nga e cila kanë rezultuar disa probleme me impiante të caktuara, jo të gjitha të Superiores, por edhe të kategorive më të ulëta. Këtë sezon, fatmirësisht kemi rikthimin e një përballjeje të madhe sportive siç është derbi Tirana-Partizani.

Ka një tërheqje të vëmendjes nga ana e policisë në lidhje me problemet e së kaluarës. Jemi përpara faktit që Ligji i Sportit ka ndryshuar dhe me gjasë, policinë nuk do ta kemi më brenda dyerve të stadiumit. Ky është një hap pozitiv që edhe ne të kemi stadiume si në të gjithë Europën ku nuk ka prezencë policie brenda tyre. Nga ana tjetër, ka edhe një anë negative që kërkon dyfishin e punës nga ana e klubeve për organizimin sa më të mirë të ndeshjeve në mënyrë që të ruhen standardet e sigurisë. FSHF e di shqetësimin tuaj për sa u përket kostove, sidomos në ndeshje të rëndësisë së veçantë. Prandaj jemi këtu që të diskutojmë bashkërisht dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët”.

Lysjen Nurishmi (Shefi i Sektorit të Garave)

“Sektori i Garave është i angazhuar çdo javë për sa i përket organizimit të ndeshjeve së bashku me zyrtarët e takimeve dhe përfaqësuesit e klubeve. Policia e Shtetit do të qëndrojë jashtë rrethimit të stadiumeve dhe përgjegjësinë e sigurisë brenda rrethimit të stadiumit do ta kenë klubet dhe kompanitë e sigurisë private që janë të licencuara nga Ministria e Brendshme. Klubet duhet të hyjnë shumë shpejt në kontakt me policinë, shtatë ditë përpara takimeve që forcat e rendit të jenë të pranishme jashtë rrethimit të stadiumit. Është një kusht i vendosur në Ligjin për Sportin. Gjithashtu, përfaqësuesit e klubeve të hyjnë në kontakt me njëri-tjetrin për sa u përket diskutimeve në lidhje me numrin e tifozëve miq që do të udhëtojnë në transferta. Ky do të jetë një problem i madh në lidhje me sigurinë brenda rrethimit të stadiumeve, duke parë edhe rëndësinë e ndeshjes. Këtë javë të parë mund të marrë si shembull SkënderbeuPartizani ku në disa takime mes tyre ka pasur probleme me tifozëritë. Do të jetë një test i madh edhe për ne, edhe për ju si klube lidhur me organizimin e ndeshjeve vetëm me polici private brenda stadiumit. Do të ishte mirë që klubet të hyjnë në kontakt mes tyre jo 24 orë përpara ndeshjeve, por që shtatë ditë para takimeve. Delegati i ndeshjes do të vendoset të paktën pesë ditë përpara dhe të krijojmë një hallkë bashkëpunimi mes klubeve, FSHF-së dhe zyrtarëve të ndeshjes. Në këtë mënyrë mund të minimizojmë problemet e sigurisë”.

Edvin Libohova (Zv/president i FSHF-së)

“Problemi është sa i rëndësishëm, aq edhe i vështirë për t’u zgjidhur sipas standardit që ne pretendojmë. Eksperienca e UEFAs tregon që një prej kushteve më të rëndësishme të zhvillimit të një ndeshjeje, është siguria në stadiume. Kemi dy situata, në radhë të parë ambientet ku zhvillohen ndeshjet, pra stadiumet dhe në radhë të dytë klubet. Kjo, pasi janë klube që nuk luajnë në stadiumet e tyre, por i zhvillojnë ndeshjet në fusha të tjera”.

Genc Tomori (Përfaqësues i Partizanit)

“Fakti që Policia e Shtetit do të qëndrojë jashtë stadiumit, kjo është një risi dhe kështu ndodh në të gjithë Europën dhe nëpër ndeshjet ndërkombëtare kur kemi luajtur. Partizani ka një kompani me një eksperiencë shumë të madhe në sigurinë e ndeshjeve. Dhe besoj se do ta menaxhojmë shumë mirë që të mos kemi probleme brenda fushës dhe për atë çfarë ndodh jashtë fushës, është çështje e policisë. Do kemi bashkëpunim mes klubit dhe tifozëve, klubit dhe policisë. Kam një kërkesë ndaj FSHF-së, që përfaqësuesi i saj, delegati të jetë shumë i vëmendshëm në lidhje me çfarë ndodh. Është hera e parë që Policia e Shtetit do të jetë jashtë stadiumit. Kemi kohë që merremi me këtë punë dhe e dimë si funksionon. Një shef policie shkon te kafja, një stjuart bën muhabet, ndërsa një tjetër ha fara. Të flasim me këto që shohim. Kur është ndeshje ndërkombëtare e dimë si sillemi dhe jemi korrekt”.

Edvin Libohova (Zv/president i FSHF-së)

“Duhet që takimet që bëhen përpara ndeshjeve të jenë sa më serioze dhe të gjithë të angazhuar maksimalisht, sidomos në aspektin e sigurisë”.

Ilir Shulku (Sekretari i Përgjithshëm)

“Tashmë, do t’i lihet detyrë delegatit që të nisë kontaktet me të dyja klubet që pesë ditë përpara takimit. Nëse do të jemi bashkëpunues me njëri-tjetrin, do t’i neutralizojmë shumë këto pika. Duhet të vendosim disa kushte për përmirësimin e sigurisë në stadiume dhe të vendosim disa afate për plotësimin e tyre”.

Genc Tomori (Përfaqësues i Partizanit) “Kisha një problem në lidhje me klubet që janë nën administrimin e Bashkive. Ata marrin punonjës të Bashkive dhe i veshin me jelekët e stjuartëve. Mendoj se FSHF duhet të bëjë një kontroll. Kjo, pasi klubi udhëtues, po marr shembull Partizanin, ka një kosto më të madhe. Kështu, që kërkojmë që të jetë një standard për të gjithë. Ashtu siç veprohet me klubet private, të bëhet edhe me klubet e Bashkive”.

Edvin Libohova (Zv/president i FSHF-së)

“Është roli i delegatit shumë i rëndësishëm. Ai nuk duhet të tolerojë asgjë që nuk shkon”.

Nderim Nexhipi (Përfaqësues i Kukësit)

“E përshëndesim një gjë të tillë, pasi siç dihet në të gjithë Europën, ka shumë vite që policia nuk qëndron më brenda rrethimit të stadiumit. Është një hap i rëndësishëm. Edhe në ndeshjet që luajtëm në Europë, delegati na informonte për çdo gjë se si duhej të shkonin gjërat. Kukësi do t’i luajë ndeshjet në stadiumin e Elbasanit, janë marrë masat që nga ndeshja e së dielës që të shkojë normalisht. Besoj se do të nisë mbarë dhe do të vazhdojë mirë”.

Eduard Salillari (Përfaqësues i Teutës)

“Ne e kemi marrëveshjen me policinë private. E reja është që ne do të kemi shpenzime më të mëdha, ndërsa vitet e tjera e kemi kaluar me 10-15 persona, tashmë duhet shtuar numri. Dhe detyrimisht që ka edhe shpenzime më shumë. Me policinë kemi rënë dakord. Nëse do të ketë ndryshime të datave të ndeshjeve, të njoftohemi më herët që ne t’ia dërgojmë më pas shkresën policisë”.

KOMUNIKIMI ME TIFOZËT

Ilir Shulku (Sekretari i Përgjithshëm)

“Komunikimi mes klubeve që do të luajnë në javën pasardhëse të jetë sa më intensiv në lidhje me tifozëritë. Në shumë raste kemi pasur konflikte përpara, gjatë dhe pas ndeshjeve. Kjo nuk i shërben askujt. Është një pikë e rëndësishme komunikimi me tifozët dhe duhet ta diskutojmë se ku çalon kjo çështje për të ndërhyrë që ta rregullojmë”.

Arbi Laçi (Përfaqësues i Tiranës)

“Për të qenë realist, përgjatë një kampionati të gjatë do të ketë edhe probleme. Doja që të kishim një vullnet dhe dakordësi të përbashkët për të shmangur dënimet kolektive, por të fokusohemi tek individi. Në rast të dënimeve kolektive, cenojmë edhe pjesën e pafajshme që të ndjekë ekipin e vet në stadium. Hajde ta gjejmë problemin ku është dhe ta largojmë nga stadiumet dhe të mos dënojmë masën. Në këtë aspekt të bashkëpunojmë më shumë me FSHF-në në krahasim me sa ka qenë më parë që të fokusohemi tek individi dhe jo të dëmtojmë masën. Problemi mund të vijë nga 2 apo 3 individë dhe nuk ka pse të dënohet një stadium i gjithë”.

Aldi Topçiu (Shefi i Zyrës Juridike)

“Ka një aspekt ligjor në këtë çështje. Klubi organizator është përgjegjës për të gjithë mbarëvajtjen e ndeshjes. Kemi pasur vjet dhe parvjet eksperienca pozitive të identifikimit të grupimeve të tifozëve dhe kanë qenë dënime jo të zakonshme dhe kanë funksionuar. Edhe ne besojmë që janë një pjesë njerëzish problematikë që krijojnë incidente nëpër stadiume, kjo nuk do të thotë që ju si klub të ndërprisni komunikimet me këto grupime. Duhet rritur më shumë komunikimi i klubeve me tifozët, pasi pasojat në fund i vuan klubi”.

Arbi Laçi (Përfaqësues i Tiranës)

“Nuk kisha parasysh klubi që përfaqësoj, por të gjithë garën. Është një diskutim që e kemi bërë edhe në Komisionin e Garave. Në rast se mbyllim dyert e stadiumit, dëmtojmë produktin që duam ta rrisim dhe dëmtojmë gjithashtu edhe njerëz të pafajshëm. Kamerat janë një element që ndihmon në gjetjen e fajtorit. Nëse ka një bashkëpunim real mes klubeve, FSHF-së, kompanive të sigurisë dhe policisë, atëherë mund të heqim dorë nga dënimi kolektiv”.

Ilir Shulku (Sekretari i Përgjithshëm)

“Tirana dhe Partizani kanë tifozëritë më të mëdha në Shqipëri. Dhe të dy këto klube e dinë shumë mirë se kush janë tifozët problematikë të tyre. Sa kohë kam unë këtu në FSHF, nuk ka ardhur asnjë shkresë nga klubet që të na thotë se këta persona janë problematikë dhe nuk duam që të hyjnë më në stadium”.

STAFI TEKNIK

Lysjen Nurishmi (Shefi i Garave)

“Risi në këtë kampionat do të jetë akreditimi i stafeve teknike. Kemi persona që nuk janë të regjistruar në Sektorin e Garave, të cilët ulen në pankinë apo janë pjesë e zonës teknike. Do ju kërkojmë klubeve që të na përcjellin personat e autorizuar që të qëndrojnë në zonën teknike ku përfshihet korridori dhe dhomat e zhveshjes së bashku me pankinat. Ky akreditim do t’ia lehtësojë punën zyrtarëve të ndeshjes dhe stjuartëve për të komunikuar me ta. Një person që nuk do të ketë akreditim, do ta ketë të pamundur që të qëndrojë në zonën teknike”.

Ilir Shulku (Sekretari i Përgjithshëm)

“Kjo që po diskutojmë është një pikë shumë e rëndësishme. Në shumë raste, kur mbyllet pjesa e parë apo e gjithë ndeshja dhe ka pakënaqësi, në zonën teknike hyjnë edhe persona që nuk janë të autorizuar. Të gjithë punonjësit e klubit të kenë bejxh dhe të njihen nga delegati. Të bëhemi bashkë që të mos kemi probleme poshtë në dhomat e zhveshjes”.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"