E PLOTË/ Plumba dhe urdhra, Jemini: Më dënuan për të nënshtruar arbitrat!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2017 | 22:17

E PLOTË/ Plumba dhe urdhra, Jemini: Më dënuan për të nënshtruar arbitrat!

Lorenc Jemini i ka dhënë fund arbitrimit. Pa dëshirën e tij, madje me një pezullim që e cilëson ende të mistershëm. “Ndoshta u bëra shembull për të nënshtruar të tjerët. Kur flaket kështu një arbitër me stemën e FIFA-s, çfarë do të bëjnë ata të rinjtë që janë në hapat e parë?”, thotë fillimisht arbitri në rrëfimin e tij për “Panorama Sport”. Por kush e dënoi Jeminin? Çfarë gabimi bëri ai? A ndërhyn Duka te arbitrat…?

jemini

Janë pyetje që ish-gjyqtari i shquar u jep përgjigje. Therës në disa raste dhe në disa të tjera diplomat, por pa dyshim që Jemini këtë herë nuk i kursen “kartonët” për të gjithë. “Ka korrupsion tek arbitrat. Në Shqipëri nuk mund të jenë gjyqtarët e futbollit pjesa më e pastër kur ka korrupsion në të gjitha aspektet e shoqërisë”, shton më tej kolonjari.

Lorenc, përse u tërhoqët nga arbitrimi?

Sepse më sosi durimi duke pritur. Nuk kam as motiv, as moshë dhe as karakterin e duhur për të pritur gjatë. Më pezulluan pa shkak dhe më lanë në pritje. Pyeta vazhdimisht dhe nuk m’u përgjigjën asnjëherë si burrat. Thjesht më thoshin “je i pezulluar, do të themi ne kur do kthehesh”.

Kush ju thoshte kështu?

Ata që pyesja. Të gjitha instancat në sektorin e arbitrimit. Nuk më dhanë asnjëherë përgjigje se përse u pezullova dhe nuk dukej se do të më jepnin ndonjëherë përgjigje të saktë as kur do kthehesha…

Shefi i arbitrave, Petrit Brahja, deklaroi se ju kurrë nuk i shkuat në zyrë atij dhe ta pyesnit për situatën tuaj…

Po, e lexova në gazetën “Panorama Sport” deklaratën e këtij zotërisë. Nuk është kështu. Nuk doja të bëja replikë atë ditë, por po ju them se unë kam pyetur në të gjitha instancat përkatëse dhe nuk më dhanë asnjë motiv për pezullimin.

Po Dukën e pyetët?

I shkrova mesazh, nuk më ktheu përgjigje. Kaq, nuk doja ta vazhdoja më tej.

A e keni takuar Dukën gjatë kësaj periudhe?

Po, e kam takuar pesë minuta kalimthi… U përpoqa të bisedoja me të dhe ta pyesja se çfarë po ndodhte, por mora një përgjigje evazive… “Hajde se ti këtu je. Je pjesë e gjyqtarëve, do kemi kohë në të ardhmen…”, më tha. Nuk m’u duk një përgjigje e qartë, por gjithsesi nuk e vazhdova më tej.

Ju keni arritur në ndonjë konkluzion se përse ju pezulluan?

Të jem i sinqertë, vazhdoj të jem i paqartë. Nëse ka qenë për ndeshjen e fundit, Partizani-Luftëtari, nuk ka logjikë. Një ndeshje pa histori dhe nuk kam bërë gabime. Nëse kam gabuar në të kaluarën, prapë nuk bindem për pezullimin, sepse do më kishin dënuar që atëherë, pse pikërisht pas Partizani-Luftëtari?! Nuk e di… Nuk i jap dot ende një shpjegim.

A keni bërë shpesh gabime?

Po, edhe kam gabuar. Arbitrimi është profesion i vështirë dhe gjatë punës sonë edhe gabojmë. Por fatkeqësia është se shpesh na hedhin mbi kurriz edhe gabime që nuk janë. Por kjo është fatura e të qenit arbitër.

A keni gabuar ndonjëherë me dashje?

Po, mund të kem gabuar edhe me dashje.

Pra, keni favorizuar me vetëdije një ekip ose keni penalizuar ndonjë tjetër…?

Jo, jo në këtë kuptim. E kisha në kuptimin që pas një gabimi që mund të kem bërë brenda një ndeshjeje, kam përdorur atë që rëndom quhet “teoria e kompensimit”.

Mund të jeni pak më i qartë?

Atëherë, ne arbitrave na ndodh që të gabojmë gjatë një ndeshjeje dhe kur e kuptojmë, përpiqemi ta shlyejmë atë gabim duke i kthyer reston klubit të penalizuar.

Por kjo është e palejueshme apo jo?

Po, është gabim, e pranoj. Por nuk kam pse të jem hipokrit, e kam bërë ndonjëherë edhe unë. Madje ishte koha kur përdornim celularët…

Cila kohë?

Disa vite më parë, unë dhe kolegë të mi sapo hynim në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë shikonim celularin dhe të them të drejtën kur na vinin mesazhe nga specialistë të fushës, apo edhe nga shefat tanë të tipit “bo bo si nuk e dhe atë penalltinë?!”, apo “ç’ishte ajo penallti skandaloze që dhe?!”, atëherë ne ndikoheshim dhe në pjesën e dytë kishte raste që edhe zbatonim “teorinë e kompensimit”.

A ndodh edhe tani që arbitrat i mbajnë celularët hapur gjatë ndeshjes?

Unë u bë shumë vite që nuk e mbaj më celularin hapur gjatë ndeshjes, sepse kuptova që bëja më shumë gabime duke iu referuar gjykimit të të tjerëve. Por ka ndoshta akoma nga ata që e mbajnë celularin hapur… (qesh).

Po presidentët e klubeve ose drejtues të tyre ju merrnin në telefon?

Ka ndodhur ndonjëherë edhe kjo, por unë kam qenë tip i ftohtë. Nuk kam lejuar raporte të afërta me ta.

A keni pasur ndonjëherë urdhra nga lart për një ndeshje të caktuar?

Po, ka ndodhur. Por nuk është fjala “urdhër” termi i duhur. Më shumë kanë qenë “orientime”.

Orientimet kanë qenë për të favorizuar një ekip apo për të penalizuar dikë tjetër?

Jo, nuk e kisha këtu fjalën. Orientimet kanë qenë për të bërë kujdes me një skuadër që fjala vjen mund ta kishte pësuar shpesh nga gabimet arbitrare. Siç është rasti i Flamurtarit tani…

Çfarë ndodh në kësi rastesh?

Ndodh që zyrtarë të arbitrimit i tërheqin vëmendjen ose e këshillojnë arbitrin që shkon atje, duke i thënë: “Bëj kujdes! Mbaje sa më mirë, etj…”. Por kjo shpesh ngatërrohet nga arbitrat, ose “lexohet” keq nga ata.

Që do të thotë?

Që do të thotë se ata pastaj nga frika, tensioni, apo edhe për dobësi të karakterit nisin ta favorizojnë ekipin për të cilin mund t’u jetë dhënë ndonjë orientim. Kjo shpeshherë nxit edhe një gjykim jo fort korrekt. Arbitrat duhet të bëjnë ndarjen nga këshillat miqësore, me urdhrat apo direktivat.

Ju keni marrë ndonjëherë urdhër nga zyrtarë të arbitrimit apo të FSHF-së për të ndikuar direkt në rezultatin e ndeshjes?

Jo, asnjëherë.

Po arbitrat e tjerë?

Nuk e di. Unë flas për veten time.

A ka arbitra të korruptuar në Shqipëri?

Besoj se po. Ka korrupsion edhe tek arbitrat. Në Shqipëri nuk mund të jenë gjyqtarët e futbollit pjesa më e pastër kur ka korrupsion në të gjitha aspektet e shoqërisë. Të mos bëhemi hipokritë…

Ju njihni ndonjë të tillë?

Jo, por kjo nuk përjashton mundësinë që të ketë.

Juve kanë tentuar t’ju korruptojnë ndonjëherë?

Ndoshta edhe ka ndodhur. Në nivele ordinere…

Si për shembull…?

Ka pasur njerëz që as i njihja dhe as i kisha parë ndonjëherë që në hyrje të stadiumit, apo në rrethana të tjera më janë afruar edhe më kanë thënë “hap gojën, fol sa para do, t’i jap unë edhe na ndihmo të fitojmë…”.

Po ju çfarë keni bërë?

Atë që duhet të bëjë çdo arbitër, i kam shmangur.

Po ndonjë president klubi a ka tentuar t’ju korruptojë?

Jo, nuk më ka ndodhur ndonjëherë. Por jua thashë, kam mbajtur raporte të baraslarguara me ta.

A ka zyrtarë të arbitrimit të korruptuar që mund të bëjnë favore, apo të japin dënime selektive?

Nuk e di. Ndoshta.

Kur pyesni veten se përse ju pezulluan, cila është përgjigjja që ju vjen më logjikshëm, ose motivi më i pranueshëm në gjithë morinë e hipotezave që mund të keni në kokë?

Ndoshta sepse isha disi më i pavarur nga të tjerët…. Ndoshta sepse mund të kem bërë edhe xhelozë aty brenda radhëve të arbitrimit… Ndoshta sepse nuk mund të merrja kollaj urdhra… Nuk e di, kam shumë hipoteza në kokë, por ajo që më vjen më shpesh është se për të nënshtruar gjithë kasën arbitrare vendosën të bëjnë shembull një arbitër të rëndë- sishëm dhe me peshë. Ndoshta u bëra shembull për të nënshtruar të tjerët. Kur flaket kështu një arbitër me stemën e FIFA-s, çfarë do të bëjnë ata të rinjtë që janë në hapat e parë…?

A mendoni se në pezullimin tuaj ka gisht Duka ose zyrtarë të tjerë të fuqishëm në FSHF?

Nuk di ta them këtë. Për aq kohë sa nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje zyrtare, nuk mund të flas me siguri.

Por nuk e përjashtoni si mundësi?

Nuk e di…

Si ka qenë raporti juaj me Dukën gjatë 20 viteve arbitrim?

Korrekt dhe profesional pa dyshim. Kam pasur deri diku edhe një raport miqësor, por mbi të gjitha profesional.

Si është tani raporti juaj me presidentin e FSHF-së?

Nga ana ime është njësoj, korrekt. Nga ana e tij, nuk e di më si është. I kam shkruar dhe nuk më është përgjigjur…

A ju ka kërkuar ndonjëherë Duka të vendosni fatet e një ndeshjeje?

Jo.

Arsen Hoxha, ish-disenjator i arbitrave thotë se shoqata e gjyqtarëve dhe strukturat e tjera janë kthyer në vasale të FSHF-së. Ju mendoni kështu?

Natyrisht, edhe unë kam rezervat e mia për mënyrën se si funksionon sistemi i meritokracisë në shoqatën e arbitrave, por nuk mund të them me bindje nëse sot janë vasalë ose jo të federatës. Hoxha ka mendimin e vet, unë e respektoj.

Çfarë rezervash keni me strukturat e arbitrave?

Nuk e kuptoj se si nuk thanë asnjë fjalë për arbitrin Lorenc Jemini që kishte 20 vite karrierë dhe mbante stemën e FIFA-s? Unë jam anëtar i saj dhe votoj aty. Kush më mbron mua apo të tjerët kur trajtohemi kështu? Kjo është pra shoqata e arbitrave. Fundja unë dhe shumë të tjerë jemi investim i saj, si mund të trajtohemi kështu?

Cili është momenti më emocionues i kohëve të fundit?

Mbrëmjen e së hënës, pasi mbaroi emisioni “Procesi Sportiv” ku unë isha i ftuar dhe njoftova largimin nga arbitrimi. Kur u ktheva në shtëpi, më prisnin dy vajzat e mia dhe ishin duke qarë. Nuk e besonin që e kisha lënë përfundimisht arbitrimin, por në fakt as vetë nuk po e besoja…

Cilët janë miqtë tuaj në arbitrim?

Kam shumë, madje i kam miq të gjithë. Por, mbi të gjithë, miq kam të rinjtë. Shumë arbitra të moshës sime kanë veshje pa fund në dollapët e tyre, kurse unë kam vetëm një palë mbathje, të tjerat ua kam dhënë gjithnjë të rinjve.

Për çfarë jeni më shumë krenar?

Për faktin që karrierën time e ndërtova vetë. Kur erdha në Tiranë isha një djalë nga Erseka, që edhe kalin e Skënderbeut nuk e dinte mirë ku ishte. Punova fort, sakrifikova dhe ia dola të bëhesha dikushi pa ndihmën e askujt.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierë?

Ndeshja në Laç pesë vite më parë. Ishte çmenduri. U dhunova barbarisht në një ndeshje ku nuk bëra asnjë gabim. Ishte e çuditshme, sepse e kishin inatin vetëm me mua, pasi dy anësorët nuk u prekën fare.

Pse ju goditi Pashk Laska në atë ndeshje?

Nuk e kuptova, por ndeshja ishte shumë korrekte. E megjithatë, edhe pse u mblodhën 100 burra në fushë dhe më goditën nga të gjitha anët, unë sërish nuk rashë në tokë.

A keni pasur më kontakte me Laskën pas asaj që ndodhi?

Po, disa ditë më vonë më çoi një mesazh në telefon ku më kërkonte ndjesë. Vazhdoja të isha i revoltuar dhe nuk e mora parasysh fare atë mesazh ato kohë, por tani ka kaluar ai moment. Gjithsesi, po ju them se mund ta kisha lënë arbitrimin që pas asaj ndeshjeje.

Pse?

Sepse kur u ktheva në shtëpi i shpërfytyruar, me një sy të mbyllur, nuk dija çfarë t’u thosha vajzave të mia. Të voglës, e cila asokohe nuk kuptonte, i thashë se kisha bërë aksident me makinë. Ishte moment shumë i vështirë.

Ç’mendim keni për Ardjan Takajn?

I urtë në shumicën e kohës. Nuk përzihet, nuk të vë në presion. Me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë. Gjithsesi, kohët e fundit edhe ai shprehu kritika ndaj meje, duke më etiketuar edhe si mjeshtër. Por nuk mërzitem.

Po për Refik Halilin?

Tiranas safi. Qytetar, i urtë, asnjëherë problematik.

Po për Gaz Demin?

E njëjta gjë. Qytetar, nuk përzihej kurrë. Nuk e kam parë kurrë në tunel.

Po Hasanbelliu?

E njoh shumë pak. Është ndër ata që qëndron vetëm në tribunë, nuk zbret kurrë poshtë. Shumë pak kontakte.

Po Safet Gjici?

Korrekt, i pasionuar. E tepronte ndonjëherë kur zbriste poshtë ngaqë e mbërthenin emisionet e ndeshjes, por asnjëherë problematik.

Nexhat Bizhdili?

Oh, nga ai më ka mbetur një gjë në mendje, që nuk do ta harroj kurrë. Përveçse i sjellshëm, më kujtohet se kur Besa luante për titull erdhi njëherë në dhomat e zhveshjes edhe na tha: “Ju lutem, dua vetëm drejtësi. Po mundët, tregohuni të drejtë dhe korrektë”. Më ka ngelur në mendje, sepse ishte rasti i vetëm kur një president që luante në fushën e tij kërkonte vetëm drejtësi. Kam respekt për të.

Po Sinan Idrizi?

E njoh shumë pak. Asnjëherë nuk ndërhyn, asnjëherë nuk zbret në pushim të ndeshjes.

Po Arben Laze?

Babaxhan.

Po Albert Xhani?

Kam një histori me të në vitin 2009, kur Partizani për fat të keq ra nga kategoria. Pas ndeshjes së fundit iu vërsul anësorit dhe e goditi. Brenda në tunel më thoshte mua se “nuk kam gjë me ty”, por derisa goditi anësorin, edhe me mua do kish diçka…

Valter Fushaj?

Na çuat shumë larg… Kërkues, hera-herës ngrinte tonet, por vetëm për të evituar që të mos e dëmtonin me dashje. Thuajse asnjë kontakt me të…

Anësorët i zgjidhnit ju, apo ua zgjidhte sektori i arbitrimit?

Përpiqesha që të kisha gjithnjë të njëjtët anësorë, sepse jam me parimin që arbitrat duhet të jenë si skuadër. Për fat të keq, jo gjithnjë ka ndodhur kjo.

A e keni ndier veten ndonjëherë të tradhtuar nga anësorët me dashje?

Po, ka pasur edhe raste të tilla. Por, për fat të mirë, kam qenë arbitër që jo gjithnjë zbatoja pretendimet e tyre. Ndonjëherë më ngrinte nervat fakti që një anësor jepte penallti me flamur, ndërkohë që unë isha vetëm tre-metër larg Më bënte të dyshoja…

Kush ka qenë anësori që e ka bërë këtë?

Harrojeni, nuk mund t’ua them emrin…

Me çfarë krenoheni në arbitrim?

Me 20 vitet e mia mbi supe, por sigurisht me derbin që e arbitrova 5 herë radhazi dhe asnjë nga klubet nuk u ankua. Nuk është pak apo jo?

Po në arenën ndërkombëtare?

Me ndeshjen eliminatore për Kupën e Botës, Ishujt Faroe-Irlandë. Gjykova një ndeshje ku Robi Kin ishte në fushë, ndërsa Trapatoni në stol. Ndeshja tjetër ishte miqësorja Spanjë-Bolivi. Aty vërtet u ndjeva çuditshëm. Ngrija kokën lart dhe shikoja tifozë aq larg sa dukeshin si miza. Kënaqësi e veçantë.

Cilat kanë qenë skuadrat që ju kanë bërë më shumë përshtypje këto vite për nga cilësia?

Tirana e vitit 2007. Ishte ekip fantastik me në krye Devi Mukën. Pastaj Dinamo e 2009-ës që, megjithëse toleroi 8 ndeshje, fitoi titullin. Nuk kishin rivalë. Më pas Skënderbeu pa dyshim. Por Skënderbeu ka një dallim nga të tjerët.

Çfarë dallimi?

Lojtarët e tij janë të gjithë të disiplinuar. Nuk ka lojtarë te Skënderbeu i këtyre viteve që të sillet si harbut në fushë. Për këtë meritojnë një kompliment të madh. Nëse ka pasur një gjë që nuk e kam toleruar kurrë në fushë, ka qenë fyerja ndaj arbitrit.

Siç bënte Bakaj ndonjëherë apo jo…?

Po, dhe unë nuk ia përtoja të kuqin. Por, ama, gëzojmë respektin e njëri-tjetrit. E takova te “Top Channel” dhe u përqafuam.

Cili ka qenë lojtari që ju vinte më shumë në vështirësi me “hilet” që mund të bënte në fushë dhe ju shpëtonin?

…(mendohet). Daniel Xhafaj ndoshta… (qesh). Ishte i fortë dhe luftonte ashpër, por në mënyrë të rafinuar me bërryla, me forcë, me duar… Në fund i plaste thuajse gjithnjë mbrojtësit në tokë. Ata çoheshin, ankoheshin dhe ndoshta ndonjëherë me të drejtë, por në pamje të parë nuk shikoje ndonjë faull. Nëse shikoje rastet në TV, e kuptoje se nuk ishte edhe aq engjëll Danieli… Por ishte shumë i fortë dhe shumë i zoti.

Po ju Jemini a jeni engjëll?

Jo, nuk jam engjëll.

Cilat janë stadiumet më të vështira ku keni arbitruar?

Në Peqin, në Ballsh dhe në Laç. Dikur, se tani kohët kanë ndryshuar.

Në Laç e dimë se si ka shkuar, po në këto dy të tjerat keni ndonjë histori “të rrezikshme”?

Në Peqin më kanë sjellë plumba…

Kush t’i ka sjellë?

Ish-deputeti Dashnor Sula. M’i solli aty dhe më bëri presion të hapur. M’i la në tavolinë, më kërcënoi edhe iku. U shqetësova pak, por ndërkohë e dija që ishte person emotiv.

Çfarë ndodhi më pas?

I mora plumbat edhe ia çova federatës. Çështja u bë publike, madje e keni publikuar edhe ju në gazetë.

Po më pas?

Rastisi që e takova ish-deputetin Sula në rrugë. Më kërkoi ndjesë dhe e kishte kuptuar që kish bërë gabim, por më tha gjithashtu se i kisha prishur shumë punë me publikimin e ngjarjes…

Po në Ballsh keni pasur probleme?

Ambient i vështirë. I vetmi vend ku, sapo zbrisja nga makina deri sa mbaronte ndeshja dhe hipja sërish në makinë, vetëm të shanin. Ndonjëherë më vinte për të qeshur kur mendoja: ore po sikur ndonjë arbitër të vijë këtu me mendje për t’i ndihmuar dhe këta vetëm e shajnë pa motiv, nuk e kuptojnë që i bëjnë dëm vetes kështu…? (qesh).

A jeni tifoz i ndonjë skuadre shqiptare?

Po, jam. Nuk e kam thënë kurrë këtë, por tani që nuk arbitroj më po e bëj publike: kam qenë tifoz i Dinamos. Kam luajtur shumë futboll në fëmijërinë time dhe mbrapa fanellës, përveç numrit, vizatoja vetë edhe një “D” të madhe…

Çfarë keni peng nga karriera?

Asgjë. Besoj se kam vepruar mirë sipas rrethanave në të cilat ndodhesha. Natyrisht tani që e mendoj ka edhe vend për përmirësim, por gjithsesi kam bërë më të mirën time. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se përse ish-kolegë, tani zyrtarë të sektorit të arbitrimit kur më takojnë ulin kokën. E dinë që m’u bë një padrejtësi.

Çmendim ke për arbitrimin e Jorgjit në Kukësi-Skënderbeu sezonin e shkuar?

Ka gjyqtarë trima që nuk e humbin toruan kollaj. Ka të tjerë që e vuajnë disi presionin, por ka edhe nga ata që për shkak të karakterit dhe ndjeshmërisë u del situata tërësisht nga kontrolli…

Çfarë profesioni keni, me çfarë do të merreni tani?

Unë kam një agjenci timen imobiliare, “Real Estate”, që e kam ngritur prej 15 vitesh. Kam qenë korrekt edhe në punën tjetër që bëj dhe mendoj se do t’i përkushtohem asaj tani.

Jeni pro apo kundër VAR-it?

Nuk jam, e kam qejf teknologjinë në futboll me përjashtim të “gol line”, pra nëse e ka kaluar topi vijën fatale apo jo. Për të tjerat nuk jam dakord.

Pse?

Sepse më duket sikur zhvlerëson punën dhe autoritetin e arbitrit kjo moviola në fushë. Çfarë vlere ka nëse gjyqtari për çdo vendim u drejtohet ripërsëritjeve…?! Nuk shkon. Ndërpritet ndeshja pa fund, vonesa… më duket sikur e zbeh lojën. Ky është perceptimi im personal, sepse e di që ka edhe shumë kolegë të mi që janë pro dhe e respektoj mendimin e tyre.

Çfarë note do t’i vinit vetes gjatë karrierës si arbitër?

Shikoni, unë vij nga një familje mësuesish dhe, për fat, kam qenë edhe një nxënës i shkëlqyer. Në shkollë isha me 10-ta, por vetes po i vë një 8 në arbitrim për të mos e ekzagjeruar. Mendoj se është një 8-të më se e merituar.

JETMIR HALILAJ

*Intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në versionin print ose online pa lejen e gazetës

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"