EKSKLUZIVE/ “E kapim titullin”, sulmuesi Kuper: Frymëzohem nga Lukaku, vitin tjetër e bëj Kukësin për vete

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 10:54

EKSKLUZIVE/ “E kapim titullin”, sulmuesi Kuper: Frymëzohem nga Lukaku, vitin tjetër e bëj Kukësin për vete

Kukësi mposhti Tiranën dhe rihapi garën për titull. Kur kanë mbetur edhe 360 minuta nga fundi i këtij sezoni, verilindorët nuk do të dorëzohen. Ata presin 4 fitore dhe ndalesën e rivalëve, për të kapur vendin e parë. Këtë skenar e sheh më shumë se të mundshëm edhe Godberg Kuper, autori i golit të parë ndaj bardhebluve.

Kuper Kukesi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për garën e zjarrtë që po bëhet për kampionatin, por edhe për veten. E quan rrjetën e shënuar si një dhuratë që i erdhi pas dëmtimit dhe rikuperimit në kohë rekord. Paralajmëron se jo vetëm do të respektojë kontratën dhe zbulon se frymëzohet nga Romelu Lukaku.

Rrezikonit të mos luanit nga dëmtimi, por zbritët në fushë dhe shënuat. E prisnit që do të shkonte kështu?

Pata një problem muskulor në ndeshjen me Teutën, i cili më trembi jo pak. Ishte shumë e vështirë që unë të kthehesha në kohë rekord, por ja që një gjë e tillë u bë realitet.

Çfarë menduat kur e çuat topin në rrjetë?

Goli ishte si një dhuratë, për atë që kalova para kësaj sfide. U ktheva për tri ditë dhe shënova në ndeshjen kundër Tiranës.

Si ju duket kampionati shqiptar?

Kampionati shqiptar është shumë i fortë. Nuk fitohet thjesht, sidomos ndaj skuadrave që në letër duken të lehta. Nuk ka shumë diferenca. Ekipi ka ndryshuar shumë që nga Teuta dhe sidomos në aspektin fizik, tashmë jemi më të freskët dhe bëjmë futboll më të mirë.

I kënaqur me minutazhin që keni pasur te Kukësi?

Jam i kënaqur, pasi unë i shërbej ekipit. Jam kurdoherë i gatshëm, kur të më thërrasë trajneri. Në ndeshjen ndaj Tiranës pata më shumë minuta në dispozicion dhe u ndjeva shumë mirë. Natyrisht që një lojtar kërkon minuta të plota, por është trajneri ai që vendos dhe unë zbatoj vendimin e tij. Jam i kënaqur për besimin që më është dhënë dhe punoj shumë që t’ua shpërblej drejtueseve.

Sulmuesi i Kukesit Kuper

Është ky maksimumi për Kuperin apo mund të bëni më shumë?

Nuk jam shumë i kënaqur, pasi pres të jem edhe më mirë në fushë dhe të shënoj sa më shumë gola. Gjithmonë punoj për të kapur maksimumin.

Keni kontratë edhe për sezonin tjetër, do ta zbatoni atë deri në fund?

Unë kam ardhur te Kukësi në janar të këtij viti dhe kontrata ime është 1.5- vjeçare. Natyrisht që do ta zbatoj dhe pres që të arrij të shprehem plotësisht me ekipin e Kukësit. Jam i bindur se do të bëj mirë për skuadrën dhe për veten.

Sa shanse ka Kukësi të fitojë kampionatin, kur kanë mbetur edhe katër javë për t’u luajtur?

Kam bindje në vetvete se mund ta fitojmë kampionatin. Nëse të gjitha skuadrat luajnë si ndaj nesh në javët e mbetura të këtij sezoni, kam besim se do ta fitojmë ne titullin.

Kush është miku më i mirë që keni te Kukësi?

Unë shkoj shumë mirë me të gjithë futbollistët. Te Kukësi më kanë pritur shumë mirë të gjithë dhe i falënderoj. Kaloj mirë me Çemën, Lulajn, Krasniqin, Veselin, Abazajn, Rrocën etj. Kukësi, përveçse ka një skuadër me futbollistë cilësorë, ka edhe djem shumë të mirë në aspektin njerëzor e shoqëror.

Sulmuesi i Kukesit, Kuper

Cili është sulmuesi që ju frymëzon dhe kujt kërkoni t’i ngjasoni?

Lukaku është një sulmues i jashtëzakonshëm i cili ka përgatitje mjaft të lartë fizike dhe është një golashënues mjaft i mirë. Është lojtar i kompletuar. Baloteli më pëlqen gjithashtu, për futbollin që luan. Zapata i Atalantës po ashtu. Është mjaft i shpejtë, teknik dhe i fortë.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"