“E di Ilir Daja pse nuk po fitojmë”, presidenti Demi “SMS” stafit: Ia kam plotësuar 100% kërkesat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2021 | 10:35

“E di Ilir Daja pse nuk po fitojmë”, presidenti Demi “SMS” stafit: Ia kam plotësuar 100% kërkesat

Partizani nuk po arrin të gjejë fitoren dhe pas tri javëve të para në kampionat, numëron vetëm dy pikë, duke barazuar me Skënderbeun dhe me Vllazninë, si dhe duke u mposhtur nga Teuta në sfidën hapëse të kampionatit. Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, e konsideron si pozitive pikën e marrë në fund ndaj Vllaznisë, edhe pse pritshmëritë e tij janë gjithnjë që të marrë fitoren.

Demi

Në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes, numri një i të kuqve shpreson që nga java në javë skuadra të ecë mirë dhe ka besim te kthesa që do të bëjnë. “Mirë dhe një pikë, nuk është keq. Ekipi nuk luajti keq, në fakt, dhe ishte një barazim i merituar. Shpresojmë që nga java në javë të ecim më mirë. Pritshmëritë ishin vetëm për fitore gjithnjë, por fati nuk ishte me ne”, u shpreh fillimisht Demi.

AFRIMET – Demi preferoi të mos i komentonte afrimet që janë bërë këtë merkato, meqenëse nuk e konsideron veten personin e duhur ta bëjë këtë gjë, pasi i takon stafit ta bëjë. Gjithsesi, ai pohoi se ia ka plotësuar kërkesat në masën 100 për qind, ndaj tani mbeten për t’u parë rezultatet në vazhdim.

Demi

“Duhet pyetur stafi teknik për lojën, Ilir Daja e di pse nuk po merret fitorja e parë në kampionat. Afrimet? Nuk jam ekspert për afrimet që të them se si janë. Megjithatë, thonë që janë afrime të mira. Të shohim tani. Stafit ia kemi plotësuar kërkesat 100 për qind”, përfundoi presidenti i të kuqve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"