Dyshime për tolerim, Kukësi i “konfiskoi” mbrojtësit spanjoll telefonin dhe kompjuterin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2017 | 13:57

Dyshime për tolerim, Kukësi i “konfiskoi” mbrojtësit spanjoll telefonin dhe kompjuterin

Thellohet skandali për mbrojtësin e Kukësit, Albert Serran. Orët pas ndeshjes në Moldavi nuk kanë qenë të qeta te kampionët e Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me spanjollin, i cili shkaktoi 11-metërshin që solli humbjen minimale ndaj Sherif Tiraspolit.

serran albert

Veprimi i mbrojtësit që preku topin me dorë brenda zonës ngriti hije dyshimi te drejtuesit e Kukësit. Këta të fundit me të përfunduar ndeshja, duke mos e përtypur atë që kishte ndodhur, kanë kërkuar që të “konfiskojnë” çdo send personal të lojtarit që ka lidhje me komunikimin.

serran

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht atë që ka ndodhur në mbrëmjen e së mërkurës, teksa nga burime të sigurta në klub mësohet se lojtarit i është thënë fillimisht se duhet të dorëzonte aparatin telefonik dhe kompjuterin.

DYSHIMI Klubi nuk kishte besim tek integriteti i spanjollit dhe e konsideronte prekjen e topit me dorë si të palogjikshme në atë moment të lojës. Burime pranë skuadrës i treguan gazetës se fillimisht Serran është habitur nga kjo kërkesë e klubit, që vinte sigurisht me urdhër nga krerët.

Megjithatë, prapë spanjolli nuk ka hezituar të dhurojë sendet personale, nga ku natyrisht do të kontrollohej çdo telefonatë po bisedë në rrjetet sociale që ai kishte bërë para ndeshjes në Moldavi.

Si për ironi të fatit, një aparat telefonik spanjolli e dorëzoi në policinë e Vjenës. Serran ishte një nga tetë lojtarët e shoqëruar nga autoritetet austriake pas dyshimeve për miqësoret e Kukësit.

REAGIMI

“Përse duhet ta dorëzoj telefonin apo kompjuterin që më kërkoni? Ju nuk keni besim tek unë?! Kam 15 vite që luaj futboll profesionist, kjo që po bëni nuk është normale. Nëse dyshoni, atëherë unë po iki që tani. Kjo është skandaloze”, u ka thënë fillimisht drejtuesve të Kukësit mbrojtësi 33-vjeçar.

Kukesi

Mirëpo, në klub, nisur edhe nga orët pas ndeshjes dhe humbjes që nuk pritej në atë mënyrë, vetvetiu dyshimet lindën për veprimin e lojtarit. Gjithsesi, në futboll ndodh çdo gjë dhe për atë rast, mbrojtësi i pati kërkuar falje pas ndeshje shokëve dhe trajnerit.

“GJYQI”

Drejtuesit e Kukësit mësohet se i kanë marrë një mendim trajnerit Ernest Gjoka për rastin e spanjollit. Kreu i pankinës, pasi e ka ndjekur disa herë në video atë moment të prekjes së topit me dorë, u ka thënë drejtuesve se ishte diçka që mund t’i ndodhë çdo lojtari, e për më tepër në një rast kur Serran kishte pas shpine kundërshtarin, i cili nëse godiste me kokë me shumë mundësi shënonte.

kukesi

Me kalimin e orëve dhe pasi drejtuesit ishin më të qartë për rastin e spanjollit u vendos që t’i ktheheshin mjetet e komunikimit. Mirëpo, këtu krisja sapo kishte nisur mes palëve.

“Po largohem, nuk mund të vazhdoj më në këtë situatë. Jam profesionist, nuk e meritoj këtë presion psikologjik. E di që gabova, po jo të trajtohem kështu”, kërcënoi spanjolli. Më pas klubi mezi e binte që të udhëtonte me skuadrën dhe të mos largohej, madje duke i vënë në dispozicion edhe një përkthyes.

ARMAND HALIL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"