Dy muaj pa fitore, Bylisi kërkon “kokën” e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2020 | 11:34

Dy muaj pa fitore, Bylisi kërkon “kokën” e Flamurtarit

Ballshiotët janë në kulmin e përgatitjeve për ndeshjen ndaj Flamurtarit që do ta luajnë të shtunën në orën 14:00 në stadiumin “Adush Muça”. Bylisi duket se po “dashurohet” me barazimet në këto ndeshjet e para të 2020-ës (katër të tilla radhazi). Megjithëse ballshiotët ende nuk kanë fituar një ndeshje në kampionat për vitin 2020, skuadra e Dovedanit tregon se nuk dorëzohet dhe lufton deri në frymën e fundit. Njësoj si ndaj Kukësit, edhe ndaj Partizanit, Bylisi u shkaktoi goditje të fortë në kampionat ekipeve për titull.

bylisii

Kjo tregon se skuadra mallakastriote është një kockë e fortë me të mëdhenjtë. Tashmë, ballshiotët kanë një ndeshje në shtëpi me Flamurtarin e vendit të fundit, por që duhet vlerësuar edhe për faktin se vlonjatët nuk kanë se çfarë të humbasin dhe do të kërkojnë më të mirën në Ballsh… Është fakt tashmë që Bylisi ka më shumë se dy muaj që nuk fiton një ndeshje në kampionat. Suksesin e fundit në Superiore e ka për llogari të javës së 16-të ndaj Luftëtarin, 1-0 në Ballsh, pikërisht më 22.12.2019, ku vendosi një penallti e Saliu Guindo.

SITUATA – Ka sakrifikuar kapiteni Murataj duke luajtur, edhe pse ka pasur një gjendje gripale para sfidës ndaj Partizanit. Ndërkohë që Ditmar Bicaj, edhe pse ka qenë në grumbullim me skuadrën ndeshjen e fundit, nuk ka qenë gati për shkak se ka pasur temperaturë të lartë. Kësisoj, trajneri Dovedan është detyruar që të bëjë lëvizje. Sikur të mos mjaftonin të dëmtuarit Ndreca dhe Peposhi në linjën e majtë, Bicaj i shtoi telashet e ballshiotëve.

bylisi

Kujtojmë se nga pjesa e parë e sezonit janë dëmtuar edhe titullarët Ymeralilaj e Antoni, pa harruar edhe Goxhën e pezulluar nga Disiplina. Në Ballsh shpresojnë te rikuperimet për të qenë më të plotë ndaj Flamurtarit, por duket se do ta kenë mjaft të vështirë. As Ndreca e as Peposhi nuk do të jenë, ndërsa sërish Hadroj mund të luajë majtas. Vetëm Bicaj pritet që të jetë gati në ndeshjen e radhës me Flamurtarin. Pas kësaj sfide, Bylisi ka dy ndeshje radhazi jashtë fushe, pikërisht me Laçin dhe Luftëtarin. Më pas në “Adush Muça” vjen Tirana. Pra, katër sfida që mbyllin fazën e tretë dhe Bylisi duhet ta ndajë “shapin nga sheqeri”.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"