Dy largime dhe dy afrime në apel, Grezda dilema e vetme për 11-shen. Ja formacioni i mundshëm i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2023 | 9:00

Dy largime dhe dy afrime në apel, Grezda dilema e vetme për 11-shen. Ja formacioni i mundshëm i Partizanit

Partizani ka zhvilluar dje pasdite stërvitjen e fundit para betejës së sotme ndaj Atletik Eskaldes, duke nisur nga ora 17:00 në stadiumin kombëtar të Andorrës, “Joan Samarra Vila”. Rreth orës 16:30 të gjithë lojtarët ishin në fushën e lojës, tërësisht gati për stërvitjen e fundit, të shpërndarë nëpër fushë duke u angazhuar me lojëra me njëritjetrin.

partizani

Ndërkohë, njëra gjysmë e fushës stërvitore po i nënshtrohej ujitjes, diçka të cilën Zoran Zekiç e kërkon edhe në stërvitjet e ekipit në kompleksin e klubit të kuq.

Stërvitja e djeshme ishte më së shumti për të mbajtur skuadrën në formën e duhur, pasi kroati nuk ka preferuar të zbulojë shumë rreth taktikave dhe formacionit që do të përdorë në ndeshjen e nesërme. Fatmirësisht, në stërvitjen e fundit gjithçka ka shkuar pa probleme dhe në qetësi.

LISTA – Ndërkohë, 24 orë para ndeshjes është publikuar edhe lista e lojtarëve të federuar për ndeshjen e sotme ndaj Atletik Eskaldes. Duhet thënë se Partizani ka pësuar disa ndryshime në krahasim me skuadrën, që ishte ndaj BATE Borisov.

Bruno Telushi dhe Remzifaik Selmani janë larguar se fundmi, duke ndërprerë kontratat e tyre me klubin e kuq. Ndërkohë, dy lojtarë të rinj janë thirrur në apel. Gjelbrim Taipi më në fund do të ketë shansin të debutojë me Partizanin.

Ai u transferua te Partizani vetëm pak ditë përpara ndeshjeve me BATE-n, por për arsye dokumentacioni nuk ishte federuar dot. Ndërkohë, edhe Mateo Kocijan është pjesë e ekipit dhe i gatshëm për të luajtur. E kundërta ndodh me Arçenjxh Bintsukën, i cili nuk është parë i vlefshëm nga stafi teknik për këtë përballje.

FORMACIONI – Partizani u eliminua nga BATE Borisovi, por në tërësi skuadra zhvilloi lojë cilësore sa u përket rasteve të krijuara dhe volumit të lojës.

Nisur edhe nga lojtarët që ka në dispozicion, nuk pritet që Zekiç të bëjë ndryshime, pavarësisht se tashmë si opsione janë shtuar edhe emra si Taipi apo Kocijan.

Sembene pritet të vazhdojë në mbrojtje, teksa edhe në mesfushë nuk priten ndryshime. Në sulm mund të kemi aktivizimin e Grezdës në vend të Carës ose Da Silvës, me gjakovarin, që zhvilloi një paraqitje pozitive në sfidën e dytë ndaj bjellorusëve.

E vetmja dilemë në lidhje me të është gjendja fizike. Duhet thënë se Partizani shkon pa asnjë dëmtim në këtë përballje.

partizani

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"