Dy javë provë në Belgjikë, mesfushori i Lushnjës pritet të firmosë kontratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2018 | 12:09

Dy javë provë në Belgjikë, mesfushori i Lushnjës pritet të firmosë kontratë

Mesfushori i krahut të majtë te skuadra e Lushnjës, Ledion Ruço, është në provë prej 15 ditësh te skuadra belge e Ligës 2 KSV Roeselare. Lajmin e bëri të ditur vetë futbollisti 27- vjeçar duke u shprehur: “Kam 15 ditë këtu dhe jam duke u vëzhguar nga stafit teknik i KSV Roeselare.

Ruco55

Të shohim se çfarë do të vendoset në vazhdim”, ishin fjalët e Ruços, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Lushnjës në Superiore. Ndërkohë, mesfushori kuçovar Ergys Alushi erdhi në stadiumin “Roza Haxhiu” tri vite më parë nga skuadra e Naftëtarit. Në këtë periudhë, ai ka qenë pranë Lushnjës duke kontribuar dy sezone në Kategorinë e Parë dhe një në Superiore, duke qenë një nga mesfushorët më punëtorë të verdhejeshilëve.

“Kam kaluar tri vite të bukura, shumë të mira te Lushnja. Jam ndier gjithnjë mirë. Për të ardhmen nuk kam vendosur akoma sepse kam disa oferta”, tha Alushi. Shumë futbollistë lushnjarë duan t’i japin fund “emigrimit” në skuadra të tjera, duke kërkuar rikthimin në stadiumin “Roza Haxhiu”. Një ndër ta është edhe sulmuesi Armando Mezini.

Ruco2

“Me ato mundësi që më janë dhënë, unë kam lënë gjurmë te Lushnja, sidomos në sezonin 2015-2016. Nuk kam pasur shumë hapësira, edhe pse kam pasur rezultat. Jam detyruar të luaj te Pogradeci, Shkumbini, por ajo që dua tani është të rikthehem te Lushnja. Besoj se me daljen e skuadrës në stërvitje do të jem aty”, tha sulmuesi Mezini.

DEKLARATA

Përgatitësi atletik i Lushnjës, Llazar Gjika, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, ka deklaruar se ende nuk është bërë pjesë e Apolonisë. “Kam biseduar me koordinatorin e Apolonisë, për projektin e këtij klubi dhe ata kanë objektiv ngjitjen në Superiore, përmes një rivaliteti dinjitoz.

Ruco

Unë nuk jam bërë pjesë e stafit teknik të Apolonisë. Thjesht kam biseduar dhe jo vetëm me drejtuesit e Apolonisë, por edhe me ekipe të tjera. Jam në një periudhë pushimi pas një sezoni te Lushnja dhe tani po shoh ofertat si çdo trajner”, është shprehur Gjika. Ky i fundit ishte pjesë e stafit teknik të Lushnjës për edicionin që kaloi. Më parë ai ka punuar edhe tek Apolonia, Besa, Bylisi dhe skuadra të tjera.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"