Dy “ish”-ë përballë Skënderbeut, Frashëri dhe Idrizaj: Gati të bëjmë surprizën në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 9:55

Dy “ish”-ë përballë Skënderbeut, Frashëri dhe Idrizaj: Gati të bëjmë surprizën në Korçë

Kamza është nisur që dje drejt Korçës dhe në mbrëmje kanë zhvilluar një seancë të shkurtër stërvitore në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Kanë udhëtuar vetëm 18 futbollistët e grumbulluar, stafi teknik dhe shefi i klubit. Ndërkohë, sot do t’i bashkohen skuadrës edhe drejtuesit e klubit, të cilët kanë vendosur një premio mbi 20 milionë lekë të vjetër për fitoren ndaj Skënderbeut. Kamzës do t’i mungojë Ivan Fushtar i dëmtuar.

hektor idrizaj

Dy nga futbollistët që kanë shkëlqyer në të gjitha ndeshjet e luajtura gjatë këtij sezoni janë ish-lojtarë të Skënderbeut, pikërisht mbrojtësi korçar, Erlis Frashëri, dhe Hektor Idrizaj. Të dy këta futbollistë gjatë prononcimit të tyre për “Panorama Sport”, u treguan optimistë dhe sipas tyre, Kamza do të dalë me rezultat pozitiv nga Korça. Nëse në Kamzë ata barazuan, në Korçë do të kërkojnë vetëm fitore, duke ditur se përveç pikëve, komzalinjtë luajnë edhe për fitimin e premios së vendosur nga drejtuesit.

“Është një ndeshje që më emocionon, pasi luaj ndaj skuadrës së vendlindjes. Vërtet jam në shtëpinë time, por në fushë do të zbres si një kundërshtar i vendosur për të fituar ndaj Skënderbeut. Te Kamza ndihem mirë dhe kam fituar respektin e të gjithëve, jo vetëm të drejtuesve, por edhe të tifozërisë. Gjithashtu, edhe në Korçë gëzoj respektin e të gjithë atyre që më njohin.

Unë jam profesionist se sot do të jap maksimumin për Kamzën. Kërkojmë fitore dhe atë patjetër që ne do ta marrim. Kemi dhënë prova se për ne nuk ka ekipe të forta, aq më shumë që vërtetohet fakti se në Superiore nuk ka ekipe të lehta. Shkojmë për fitore e këtë do ta bëjmë realitet”, u shpreh Frashëri.

Edhe Idrizaj e kërkon suksesin si “ish” në Korçë. “Transferta e Korçës është e rëndësishme si për mua me statusin e ish-it, por edhe për gjithë lojtarët e Kamzës. Jam i gatshëm për këtë takim dhe shpresoj që të paraqitemi mirë si ekip. Nëse luaj, do të jap 200% nga vetja ime për të mirën e Kamzës, edhe pse ruaj kujtimet më të bukura të karrierës sime në Korçë. Jemi të përgatitur për ta fituar takimin, por kam besim se nuk dalim pa pikë”, u shpreh Hektor Idrizaj.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"