Dy fitore radhazi si mollë e ndaluar, Tirana kërkon të thyejë tersin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 13:06

Dy fitore radhazi si mollë e ndaluar, Tirana kërkon të thyejë tersin

Tirana është gati për sfidën me Teutën. Bardheblutë janë duke punuar për të marrë fitoren e dytë rresht, pas më shumë sesa dy muajsh.

tirana

Skuadra e Fagut nuk fiton gjashtë pikë në Superiore prej 12 janarit 2024 kur asokohe mundte Dinamon 3-2 dhe një javë më parë kishte mundur 5-0 Egnatian. Në fazën e tretë Tirana mori vetëm dy fitore nga nëntë javë kampionat, duke mundur vetëm Dinamon dhe Kukësin. Nga ana tjetër, Fagu ka një “problem” të vështirë në sfidën me Teutën. Trajneri duket se do të lërë jashtë të paktën dy titullarë, pasi me skuadrën janë bashkuar Erjon Hoxhallari dhe Filip Najdovski.

Kjo do të thotë se një prej qendërmbrojtësve do të qëndrojë jashtë. Halli tjetër është edhe në sulm, me Patrikun që ka humbur vendin ndaj Nikqit. Me portën të garantuar prej Kozit, Fagu pritet të aktivizojë, Haxhiun, Lulajn ose Najdovskin, Hoxhallarin dhe Përgjonin. Mesfusha do të jetë e përbërë nga treshja e salduar Deliu Jonuzi dhe Lushkja. Në sulm Abazaj dhe Latifi nga krahët dhe Nikqin në qendër të sulmit. Siç shihet të dy titullarët, Najdovski dhe Patrik, rrezikojnë stolin ose Lulaj dhe Nikqi. Për t’u parë mbetet se çfarë do të vendosë trajneri Erbim Fagu.

KARTONËT – Për ndeshjen me Teutën në kampionat rrezikojnë dy lojtarë të tjerë të mos jenë në sfidën me korçarët. Bëhet fjalë për Regi Lushkjen dhe Leon Kozin. Të dy janë me nga tre kartonë dhe nëse ndëshkohen me durrsakët, humbasin ndeshjen tjetër që e kanë me Skënderbeun. Pas Teutës, bardheblutë do të luajnë në Kupën e Shqipërisë kundër Kukësit, në gjysmëfinalen e parë. Tirana në këtë kampionat, ka sulmin më të mirë me 48 gola, por deri tani ka mbrojtjen më të keqe të kampionatit dhe të dekadës. Tirana është ekipi i parë që ka pësuar më shumë këtë kampionat, plot 44 gola. Një shifër alarmante. Bardheblutë janë sulmi më i mirë i kampionatit, me 48 gola të shënuar në 28 javë. Gjithsesi, Tirana është shumë keq në mbrojtje, pasi ka 44 gola të pësuar në 28 javë, ose më shumë gola të pësuar edhe sesa vendi i fundit në kampionat, Kukësi.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"