Durrsaku rishfaqet në stërvitje, trajneri Nica i vendos kushte Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 9:25

Durrsaku rishfaqet në stërvitje, trajneri Nica i vendos kushte Kukësit

Stavri Nica bën prapakthehu. Ashtu siç pritej, trajneri durrsak është rikthyer sërish duke marrë drejtimin e Kukësit. Ka qenë vetë klubi blu që ka nxituar ta bëjë menjëherë publik këtë rikthim, duke publikuar në rrjetet sociale çaste nga seanca e djeshme stërvitore e skuadrës, ku shihej edhe 69-vjeçari që ndiqte nga afër procesin stërvitor.Nica Kukesi

Në fakt, vetë lojtarët kanë kërkuar me ngulm Nicën për të vijuar punën me ta dhe kjo dëshirë e tyre është plotësuar. Nga ana tjetër, mësohet se ka pasur një takim mes trajnerit dhe drejtuesve për të qartësuar të ardhmen. “Panorama Sport” mëson se tekniku ka kërkuar t’i plotësohen dëshirat në merkato. Kjo kërkesë ka marrë aprovimin e drejtuesve, duke i siguruar se në ditët në vijim dëshirat e tij do të plotësohen në mënyrë që të ketë në dispozicion një skuadër të denjë për të pretenduar edhe përballimin e kampionatit. Ky fakt ka bërë që trajneri ta rishohë edhe njëherë vendimin e tij dhe të marrë përsipër të drejtojë sërish verilindorët. Gjithsesi, nëse nuk vjen kthesa në rezultate, atëherë edhe qëndrimi në Nicës nuk pritet të jetë i gjatë.

EGNATIA Në një situatë ku në Kukës presin pikë të vlefshme për mbijetesën dhe për më tepër që trajneri është në një pozicion të lëkundur, kalendari u ka rezervuar një sfidë të vështirë. Të premten në orën 13:30 në Kukës, do të ketë ekipin më të mirë të kampionatit, Egnatian e vendit të parë. Në dy sfidat e kaluara të këtij sezoni rrogozhinasit kanë marrë pikët e plota, tek sa në Kukës kanë fituar me rezultatin e thellë 0-4, çka solli edhe largimin e Rraman Hallaçit. Kështu, bëhet fjalë për një ndeshje delikate që në Kukës e shohin si shpëtim edhe për të qetësuar situatën, pasi një tjetër humbje mund të bënte që Nica të largohej përfundimisht.

Thuhet kështu, pasi tekniku nuk do të shihte më shpresë në këtë skuadër dhe ka treguar më herët që kur sheh se gjërat nuk funksionojnë, largohet. Gjithsesi, fakti që luajnë në shtëpi shihet si një faktor disi pozitiv për blutë për të dalë me një rezultat pozitiv. Në këtë ndeshje Kukësi do të privohet nga mungesa e mesfushorit Plarent Fejzaj, i cili ka mbushur numrin e kartonëve të verdhë. Një mungesë e rëndësishme, pasi bëhet fjalë për një nga lojtarët që është përdorur në të gjitha takimet këtë kampionat. Ndërkohë, mister mbetet fakti që mesfushorët Abdou Mbarak dhe Daniel Momoh, nuk ishin të grumbulluar në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"