Duka, kur pritet “përjetësimi” në UEFA

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2017 | 19:16

Duka, kur pritet “përjetësimi” në UEFA

GËZIM SINEMATI

Gezim SinematiSa herë që Kombëtares i lirohet llastiku i mbathjeve, si me dorë apo me një marifet magjik fillon loja me yjet e saj, trajnerin De Biazi dhe presidentin Duka, që shkëlqejnë aq shumë, sa as nuk të shkon mendja se çfarë ka ndodhur me përfaqësuesen në ndeshjet e këtij sezoni.

Sapo trajneri ka prekur qiellin e shtatë, duke u dekoruar nga vendi i tij, Italia, për punën e pashoqe në Shqipëri, shpërthen lajmi tjetër, ai më sfidues, presidenti ynë do të konkurrojë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Loja e çmimeve dhe e posteve nuk deshifrohet dot nga të gjithë, madje disa trukojnë rezultatin e kësaj gare duke shpallur fitues trajnerin përmbi presidentin.

Të vjen të thërrasësh: “O Zot, na ndihmo të gjejmë heroin e vërtetë!”. Përgjigjja vjen nga zoti i futbollit, vetë presidenti: “Jam gati për një intervistë imagjinare! Jam velur me pyetjet e gatshme, madje mund të bëni edhe pyetje me helm, nga ato që të forcojnë gjunjët për të shkuar në UEFA”.

Duka-Ceferin tetor 2016

President, thonë se Europa, sidomos ajo e futbollit, na e ka me hile, gjithnjë gjërat më të mira i do për vete. UEFA do ta fitojë Dukën, por mund ta humbasë… Shqipëria?

Nëse unë futem në Komitetin Ekzekutiv, më shumë fiton Shqipëria, sesa vetë Armand Duka. As nuk do të dënohemi më, as nuk do të flitet për trukime, bile do të bëjmë më shumë stadiume.

Thonë se futbolli nuk ka kujtesë, por ca gjëra s’harrohen. Ju kujtohen ditët që luftonim për 3 pikët e Beogradit, ku në një parullë shkruhej: “UEFA është lavire”. Si të bëjnë këmbët të hysh tani?

Do të hyja me zemër dhe jo me këmbë. Atë parullë nuk e kam shkruar unë, por populli i futbollit, të cilit i lejohet edhe të gabojë. Atëherë ishte Platini, tani është Ceferin, një njeri më i hapur…

Nuk dihet sa e vërtetë është, por thonë se tani jeni ju që nuk i hapni telefonin Platinisë, siç jua bënte në ditët e sikletshme të dronit…

Eh, Misheli shkretë! I kishte thënë dikujt me ironi se Duka nuk erdhi në funeralin tim. E doja shumë kur ishte në fron, edhe më shumë se veten ndonjëherë, por mbeti një njeri i përkëdhelur me tepri ndaj edhe gaboi.

Ky Ceferin duket jo vetëm më i hapur, por edhe tepër shpirtgjerë. E luajti pjesën shumë bukur, sikur nuk ndodhi asgjë, kur plasi historia me Fondin e Solidaritetit…

Mos u bëni budallenj! Futbolli e ka gojën e madhe dhe klubet nuk mbajnë mend çfarë kanë ngrënë gjithë këto vite. Pse ku kanë shkuar lekët..?

Gojët e këqija, të cilat punojnë si orë zvicerane, thonë se edhe paratë që ishin depozituar në Zvicër janë futur të gjitha te betoni i stadiumit?

Ju e dini si janë shqiptarët, jetojnë me përralla dhe e vërteta sikur u prish stomakun. Po ju zë be, për kokën e Europianit, dhe ju e dini sa më kushtoi, se paratë e fëmijëve, ato të Solidaritetit, janë brenda nesh. Edhe topi po të kishte gojë, do ta tregonte…

Akoma na kumbojnë në veshë fjalët e ambasadorit italian se “De Biazi e futi në hartën e Europës… Shqipërinë”. Përse nuk ia përplase në fytyrë?

Politika, dhe jo UEFA, mund të quhet lavire. Kur shikoja De Biazin që shkëlqente nga nuri, thosha me vete: “Ishalla nuk turpërohemi me Italinë, si me Izraelin”.

Një merak që po e bluajnë të gjithë: Në intimitet, ju ka thënë De Biazi “rrofsh o president, se ti bëre mrekullinë armene, kurse unë ta ktheva me atë… franceze!”…

De Biazi nuk e ka thënë me fjalë, por ne kemi një kod që kuptohemi qoftë edhe me një shikim.

Po kur na ranë brekët me Izraelin, a e patë në sy para ndeshjes?

Mund të jemi të varfër me para, veç shumë të pasur me dyshime. Disa të çmendur thoshin se ndërrimin e Hysajt e sajova unë dhe jo trajneri. Madje kisha shtypur telekomandën edhe kur Berisha goditi me kokë…

Ju pëlqen, s’ju pëlqen, telekomandës suaj nuk i mbarojnë kurrë bateritë. Ne kemi dalë nga Europa për klube, ngaqë jemi të dënuar, kurse ju po hyni në UEFA… si hero?

Kur të më shikoni me kostumin e zyrtarit europian, do të filloni të kuptoni se Armando i Argjentinës e bëri golin me ndihmën e dorës së Zotit, kurse Armando i Shqipërisë e bën golin pa ndihmën e Zotit… vetëm në sajë të përkushtimit.

Sapo të bëheni europian, puna e parë që do të bëni?

Do të bëj fusha vetëm për fëmijët, mjaft me stadiume se nuk kanë edhe ku të lahen…

Kjo Tirana-Kukësi, turpi i paralajmëruar, meritonte të ruhej me 300 policë dhe jo Partizani me Vllazninë?

Më kishin premtuar se do ta qanin rolin, por më gënjyen edhe mua. Kishin bërë gabim edhe baballarët që kishin nxjerrë në fushë fëmijët e tyre me Tiranën…

* Opinion i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"