Duka konfirmon Rejën dhe “thumbon” kritikët: Në Shqipëri ka 3 milionë “trajnerë”, ju tregoj objektivin madhor të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 20:10

Duka konfirmon Rejën dhe “thumbon” kritikët: Në Shqipëri ka 3 milionë “trajnerë”, ju tregoj objektivin madhor të Kombëtares

Shqipëria arriti të përmbushte me sukses objektivin, teksa u rendit e para në grup, pasi mposhti Bjellorusinë me rezultatin 3-2. Në lidhje me këtë sukses ka folur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili në një intervistë të dhënë për moderatoren Enxhi Biba në “Sport News” në televizionin News 24, nuk i ka kursyer thumbat për kritikët.

Armand Duka

VENDI I PARË- “Kishim vetëm 18 lojtarë në dispozicion nga dëmtimet dhe virusi, por duhet të jemi të lumtur që dolëm në vend të parë. Grupi ishte me skuadra të barabarta dhe mund të merrnin më shumë pikë, por fituesi nuk gjykohet. Ne shqiptarët kaluam një tërmet dhe nuk jemi njësoj si vendet e tjera. Ta konsiderojmë këtë një sukses për Shqipërinë dhe kryesisht për futbollin tonë”.

MARRDHËNIA ME TRAJNERIN REJA- “Në mendjen time nuk i ka vënë kushte asnjë trajneri për një rezultat të vetëm. Marrëdhënia me një trajner shihet në vazhdimësi se çfarë bën mirë apo keq e pastaj është rezultati që vendos. Nuk kam qenë në dyshim që Reja ka bërë mirë në Shqipëri dhe do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës”.

OBJEKTIVI I KOMBËTARES- “Objektivi jonë më madhor është pjesëmarrja në Euro 2024 që është e arritshme. Ne duhet të marrim rezultate maksimale, kjo nuk do të thotë që nuk do të luajmë mirë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Ne do të luajmë të gjitha mundësitë tona, por objektivi jonë maksimal është Europian 2024 duke parë që për Botërorin vendi i parë është pothuajse i paarritshëm. Gjatë këtyre ndeshjeve që zhvilluam pamë Çepelen një 17-vjeçar që luajti titullar ndaj Kosovës dhe shumë të tjerë e kjo tregon që jemi një skuadër e re”.

SKEMA 3-5-2 DHE “THUMBIMI” PËR KRITIKËT – Jo vetëm Reja, por çdo trajner që vjen këtu është me fat pasi jemi vetëm 3 milionë banorë dhe të gjithë janë trajnera dhe japin mendimin e tyre. Para ndeshjes mendon se ky është formacioni më i mirë, por në fund rezultati të jep apo jo të drejtë”.

DEKLARATA E ERJON BRAÇES-  “Nuk kam pasur kohë të dëgjoj asnjë nga këto. Fusha nuk është në gjendjen e duhur për arsye objektive dhe stadiumi është i mbyllur e me vështirësi merr rreze dielli. Ne kërkuam bar natyral duke parë klimën që kemi, por do ta ndryshojmë fushën duke e bërë fushë hibride. Ka vende që e kanë fushën optimale dhe e ndryshojnë 2-3 herë në vit, por ne nuk e kemi këtë luks”.

SITUATA PREJ PANDEMISË- “Aktivitetet Kombëtare përfunduan e do të rikthehen në mars dhe uroj që të kemi tifozë në atë kohë. Për sa i përket kampionateve të tjera deri tani ka diskutime të ndryshme në Europë, në Shqipëri jo dhe shpresoj të mos kanosemi nga kjo ndërprerje. Shpresoj që situata të mos arrijmë deri aty pasi kryesorja është shëndeti i lojtarëve e më pas futbolli”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"