Duka, gjyqtarëve: Di që bëni foto thuajse nudo para ndeshjeve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2016 | 22:23

Duka, gjyqtarëve: Di që bëni foto thuajse nudo para ndeshjeve…

Protagonistë në rubrikën Blobi i Javës në “Panorama Sport” këtë herë janë bërë jo vetëm personazhet nga bota e sportit, por edhe përfaqësues nga organi i akuzës që janë përfshirë në ngjarje sportive.

Batutat dhe deklaratat më pikante të javës së shkuar janë publikuar në mënyrë të përzgjedhur, duke u shoqëruar edhe me emrat dhe profesionet e atyre që i kanë thënë.

presidenti_me_arbitrat1Armand Duka, president i FSHF-së:
“Ju (u drejtohet gjyqtarëve) nuk mund të silleni si tregtarë. E keni kuptuar që jeni vetëm një grup i vogël dhe silleni siç jua ka ënda, por kjo nuk do të tolerohet. Kam konstatuar edhe që dilni e bëni foto thuajse nudo para një ndeshjeje… Ç’janë këto more?! Jeni në vete ju! Mbajeni ‘Facebook’-un dhe rrjetet e tjera sociale brenda rrethit tuaj familjar”.

Tahir Kastrati, shef i gjyqtarëve në FSHF:
“Nëse klubet mendojnë se jam unë ‘delja e zezë’, atëherë largohem, pasi nuk jam i pazëvendësueshëm në këtë pozicion. Nuk jam pjesë e asnjë afere me klube, individë, trajnerë apo drejtues”.

Klubi i Tiranës:
“Gjyqtarët Andi Koçi dhe Enea Jorgji janë të preferuarit e presidentit të Skënderbeut, pasi janë ata që arbitrojnë vazhdimisht këtë skuadër”.

Klubi i Kukësit:
“Kërkojmë nga presidenti i FSHF-së ndëshkimin maksimal për arbitrin Bardhyl Pashaj, si njeriu që vuri dorë dhe vodhi rezultatin e Kukësit përballë Partizanit”.

Xhevahir Sukaj, sulmues i Partizanit:
“Nuk dua të prononcohem pas ndeshjes, pasi në shumicën e rasteve fjalët e mia janë keqkuptuar. Mbase është më mirë kështu, se mund të më sjellë fat në nisjen e një serie të re në shënimin e golave”.

Sodiq Atanda, nigeriani i Partizanit:
“Kur isha në Fier, më thërrisnin ‘Diku’, por nuk e dija kuptimin. Ndërsa në Nigeri kam pasur një epitet ushqimi, pasi më pëlqen të ha gjëra të ndryshme, por nuk e tregoj”.

Kryekuzhinieri i Skënderbeut, Arben Petani:
“Në përgjithësi lojtarët afrikanë hanë më shumë, Orelesi e tepron me pilafin. Kapiteni Shkëmbi kërkon shpesh lazanja, ndërsa trajneri Josa do tarator para ndeshjeve. Berisha ka qenë më problematiku me ëmbëlsirat, pasi preferonte pas çdo vakti panakota. Vangjeli dhe Radas duan gjithnjë omëletë në mëngjes”.

Kryeprokurori i Vlorës, Ramadan Troci:
“Për ndeshjen Flamurtari-Teuta 2-1 (24 janar 2015) ka mbërritur informacioni nga kompanitë e basteve nga jashtë vendit. Materiali është duke u përkthyer në Ministrinë e Drejtësisë. Kemi në dorë fakte të rëndësishme për hetimin dhe ato do të përcaktojnë përfundimisht nëse kemi të bëjmë ose jo me trukim”.

Arben Laze, president i Elbasanit:
“Në këto momente, truri im po punon vetëm për të ndihmuar skuadrën. Nëse është e nevojshme, aksionet i shes edhe me 1 euro, vetëm që ekipi të mos bjerë nga kategoria”.

Portieri i Skraparit, Klodian Beqollari:
“Te ne kalon lumi afër stadiumit dhe sa herë bie topi, shkoj e marr. Jam portier i dytë dhe njëkohësisht punëtor i fushës”.

Blerim Hasalla, trajneri i Lushnjës U-19:
“Gjyqtari ka ndërprerë ndeshjen (Lushnja-Butrinti 4-2) dhe na i ka lënë lojtarët në fushë, duke nxjerrë pretendime absurde. Ai ishte i blerë nga Saranda dhe ky është një turp për futbollin e moshave”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"