“Duhet të ndreqim shënjestrën, kemi mungesë pikësh”, presidentja e Lushnjës paralajmëron masa, Gjyla: Çlirohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 11:32

“Duhet të ndreqim shënjestrën, kemi mungesë pikësh”, presidentja e Lushnjës paralajmëron masa, Gjyla: Çlirohemi

Futbolli bëhet çështje në Këshillin Bashkiak. Gjatë mbledhjes së zhvilluar dje, pika e tretë ishte: “Informacion të detajuar në lidhje me KF Lushnja 1930 sh.a, për fillimin e sezonit të ri futbollistik”. Starti i dobët dhe mungesa e një objektivi ka bërë që këshilltarët të ngrenë si shqetësim. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryebashkiakes Eriselda Sefa, e cila ka statusin e presidentes së Lushnjës. Ajo ka paralajmëruar masa drastike, nëse nuk ka reagim: “Pres reagim të shpejtë nga të gjithë. Ndryshe do të ketë masa drastike për të gjithë”. Më pas ka prekur edhe një temë të ndjeshme për verdhejeshilët: infrastrukturën. Presidentja zbuloi se ka pasur bisedime me zyrtarët e FSHF-së dhe ka marrë premtim se do të investohet në anekset e stadiumit “Roza Haxhiu”.

Ilir Gjyla Lushnja

GJYLA – Pas humbjes 0-3, në ndeshjen e vajtjes për Kupën, lushnjarët do të jenë përsëri përballë Tomorit, këtë herë për llogari të javës së tretë të kampionatit. Trajneri Ilir Gjyla për “Panorama Sport” thekson se në fushë do të hyjnë për të marrë më të mirën. “Tomori është një kundërshtar që e njohim. Ka në përbërje lojtarë cilësorë, që kanë vite që i japin tonin kampionatit. Megjithatë, ne do të mundohemi të japim maksimumin tonë. Do të kërkojmë më të mirën. Pse jo? Skuadra është e përgatitur mirë. E ka marrë seriozisht stërvitjen.

Ka punuar gjatë gjithë javës dhe mendoj që ajo çfarë kërkojmë ne nga futbollistët, është të jenë në tonus. Ata e kanë pranuar që nuk ka qenë ndeshje për të mos u fituar kjo jona. E kam fjalën për barazimin me Tërbunin. Duhet të fitonim. Edhe me Maliqin nuk ishte për t’u humbur.

Kemi luajtur mirë, por nuk kemi shënuar. Ne do të mundohemi të rregullojmë shënjestrën. Vazhdojmë të ngremë nivelin e lojës, por të rregullojmë edhe shënjestrën. Pa shënuar gol, nuk mund të fitojmë dot. Nevoja për pikë? Patjetër! Në përbërje kemi një skuadër të re. Kemi një skuadër me djem të rinj. Futbollistët sigurisht që janë të ngarkuar, por edhe ana psikologjike luan rolin e vet. Shënimi i golit i shoqëruar me rezultatin pozitiv do t’i çlironte shumë çunat”, përfundoi tekniku i Lushnjës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"