“Duhet fushë stërvitjeje për të shmangur luhatjet”, Gjyla: Maliqin nuk e njoh, por fiton… Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 11:45

“Duhet fushë stërvitjeje për të shmangur luhatjet”, Gjyla: Maliqin nuk e njoh, por fiton… Lushnja

Lushnja është gati për të sfiduar Maliqin në stadiumin “Skënderbeu”. Për herë të fundit me këtë kundërshtar janë ndeshur në një miqësore para 3 vjetësh (18 gusht 2018), të cilën e kanë humbur minimalisht. Edhe pse një rival i panjohur, Ilir Gjyla pret fitore në premierë. Një gjë të tillë e thotë hapur edhe në një prononcim për “Panorama Sport”:

Ilir Gjyla Lushnja

“Për të qenë i sinqertë, nuk kam kërkuar informacion për Maliqin. E megjithatë, njoh futbollistë dhe përbërjen. Unë nuk para merrem me rivalët, por ata meritojnë respekt. Në Korçë shkojmë për të bërë futboll të mirë dhe marrë rezultat pozitiv. Jemi gati për ta nisur sezonin”.

Tekniku u ndal edhe tek infrastruktura, ndërsa hapur evidenton se një terren stërvitor do ta ndihmonte shumë. Bashkia e Lushnjës do të investojë 66 milionë lekë të vjetër për fushën e Plugut, që është në proces tenderimi. “Stadiumin e kemi mirë, por problemi mbetet fusha ku stërvitemi.

Të stërvitesh 6 ditë për të luajtur 1 ditë në kësi kushtesh, është e vështirë. Po ta keni vënë re, Lushnja 5-6 ndeshjet e para merr pikët maksimale.

Po pse ndodh kjo? Nga ajo që vjen nga faza përgatitore dhe është punuar me terrene të mira. Kemi pak mundësi të përdorim fushën e stadiumit. Në start kemi shkëlqyer, siç ndodhi vitin e kaluar apo para dy vjetësh.

Jemi nga skuadrat më të mira. Pastaj, kur bëjmë vrap, bëhemi atletë, bëhemi maratonistë, fillon e bie. Do të na ndihmonte shumë fusha e stërvitjes. Kam dëgjuar që është tenderuar, di që është për t’u bërë. Fakti që e nisim në Korçë dhe është fushë e mirë, na shkon përshtat”, përfundoi trajneri Ilir Gjyla.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"