“Duhen tri pikët ndaj Kukësit”, mesfushori i Teutës: Nuk e meritojmë këtë pozicion në renditje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2023 | 15:13

“Duhen tri pikët ndaj Kukësit”, mesfushori i Teutës: Nuk e meritojmë këtë pozicion në renditje

Në një intervistë për “Panorama Sport” mesfushori i Teutës, Ledio Beqja, flet për rrjedhën e përgatitjeve, por edhe gjendjen që po kalon Teuta, pa harruar edhe objektivin që kanë bregdetarët. Beqja thekson se pavarësisht vështirësisë që ka ndeshja me Kukësin, Teuta do të kërkojë pikët maksimale. Lojtari beson që cikli i plotë javor ka ndihmuar dhe që nga kjo ndeshje Teuta do të japë më shumë për të arritur objektivat që kanë blutë.

ledjo beqja

Ledio, hyni në javën anti-Kukësi, si është atmosfera në ekip?

Situata është normale dhe këtë javë po përgatitemi të gjithë si ekip që të jemi gati në fundjavë për ndeshjen e radhës. Grupi është i plotë, të gjithë lojtarët janë në formë dhe s’na mbetet gjë tjetër veçse të fokusohemi te kundërshtari i radhës.

Kukësi pret të bëjë kthesën, fakti që kundërshtari është nën presionin e pikëve, sa të vështirë e bën këtë ndeshje?

Të gjitha ndeshjet janë të vështira, pavarësisht rezultateve jo të mira të Kukësit ne do të hyjmë për tri pikët e radhës dhe ky është objektivi ynë parësor. Pastaj se çfarë rezervon ndeshja është gjë tjetër, por duke parë seriozitetin e skuadrës në stërvitje mendoj që do ta kalojmë edhe këtë ndeshje delikate.

Çfarë ka ndryshuar te Teuta në këto javë?

Mendoj se është i njëjti grup dhe jemi stërvitur mirë dhe kjo na bën akoma më të fortë. Pikërisht grupi është pika më e fortë.

Të kënaqur deri tani apo duhet të bënit më tepër?

Mendoj që kemi lënë shumë pikë kur kemi pasur ndeshjet në avantazh, sigurisht që nuk jemi të kënaqur dhe shpresoj te kemi vazhdimësi. Mendoj që e mira s’ka fund, por duke parë që të gjitha ekipet janë forcuar duhet të jemi te mobilizuar në maksimum.

Cila është pika më e fortë e këtij grupi?

Pika më e fortë është fryma e grupit dhe marrëdhënia që kemi me njëri-tjetrin. Shumica e lojtarëve janë profesionistë edhe me eksperiencë, gjë që ndihmon akoma më shumë grupin që të ketë harmoni.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"