“Dueli me Shkëmbin? S’ka asgjë të veçantë, për mua është thjesht një ndeshje që duhet fituar”, Martini: Teuta ime, favorite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 9:40

“Dueli me Shkëmbin? S’ka asgjë të veçantë, për mua është thjesht një ndeshje që duhet fituar”, Martini: Teuta ime, favorite

Edi Martini e ka të qartë se ndeshja me Dinamon është e vështirë, për vetë faktin se blutë kanë cilësi në skuadër, por trajneri i kampionëve në fuqi, në konferencën për mediat një ditë më parë theksoi se Teuta e tij luan sot në Rrogozhinë një ndeshje që duhet fituar. Ai konfirmoi se grupi që po stërvit po kalon një formë shumë të mirë, ndërsa theksoi se Teuta do të jetë favorite për të fituar titullin. Martini nuk e cilësoi si të veçantë faktin që sot do të ketë përballë një trajner, të cilin e ka zëvendësuar kur mori drejtimin e durrsakëve.

Martini

Si është situata në skuadër pas barazimit me Vllazninë dhe a jeni gati për t’u rikthyer te fitorja në ndeshjen kundër Dinamos?

Po, jemi gati për ndeshjen me Dinamon. Ekipi ka një gjendje të mirë, me përjashtim të Plakut, i cili ka pasur probleme, por do ta shohim deri pak orë para takimit nëse do të jetë pjesë e ekipit apo jo. Normalisht qe ne duhet ta fitojmë ndeshjen, por në futboll nuk ka gjithmonë: “duhet”. Të dyja ekipet kanë cilësi dhe Dinamo realisht ka bërë mirë, pasi i ka pikët njësoj si ne. Vijmë pas një barazimi shumë të vuajtur në Shkodër dhe ndaj Dinamos luajmë për të marrë fitoren.

Me aq sa e keni ndjekur Dinamon, e fusni te grupi i skuadrave që do të jenë deri në fund për titull?

Jo, unë shoh skuadrën time si favorite, pak më interesojnë ekipet e tjera. Së pari, kam respekt për veten, pastaj për të tjerët, kështu që Teutën e shoh deri në fund pretendente për titullin.

Do të keni në përballje Bledi Shkëmbin, të cilin e keni zëvendësuar kur ka qenë te Teuta. A mund të themi se është një duel i veçantë?

Jo, unë them që s’ka asgjë të veçantë sepse po t’i shohësh të gjithë trajnerët kanë ndërruar nga një ekip. Për mua është thjesht një ndeshje kampionati që duhet fituar.

Mendoni se ky kampionat do jetë më i fortë se sezoni i kaluar?

Po shikoj që ka më tepër konkurrencë dhe ekipe me cilësi. Mendoj se mund të jenë 7 klube që janë futur në këtë kampionat për ta fituar titullin. Kjo tregon që rivaliteti do të jetë më i madh se në sezonin e kaluar.

Në Shkodër shënoi Koumbeba i futur nga stoli. Do të jetë më afër formacionit tashmë kongolezi apo vazhdoni të besoni te Gjorgiev në majën e sulmit?

Ende nuk kemi vendosur për këtë, kemi kohë…

Nga Elbasani ku luajtët si pritës ndaj Partizanit, tashmë do të përballeni me Dinamon në Rrogozhinë. Sa ju shqetëson problemi i fushës?

Është pjesë e rëndësishme, por megjithatë sa më cilësore të jetë fusha, aq më e mirë ka për të qenë loja jonë. Ndeshjen ndaj Partizanit ne mund ta zhvillonim shumë mirë në Durrës, por preferuam ta luanim në Elbasan duke pasur besim të jashtëzakonshëm te vetja dhe cilësia që ka ekipi, ndaj e zgjodhëm atë stadium. Kjo tregon që ekipi nuk ka frikë, si të luaj brenda apo jashtë fushës.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"