“Dua pikët, le të prishim edhe tersin e transfertave”, Kanarsa: Asnjë presion, Apolonia bën surprizën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2022 | 11:48

“Dua pikët, le të prishim edhe tersin e transfertave”, Kanarsa: Asnjë presion, Apolonia bën surprizën!

Në Peshkopi sot lu het një finale e parakohshme për “play off”-in. Vendi i tretë pret të 4-tin dhe spektakli do të jetë i garantuar. Apolonia e di që do të luajë përballë një kundërshtari që është thuajse perfekt në shtëpi (vetëm 2 pikë të lëna në 13 ndeshje), por besojnë se do t‘ia dalin. I këtij mendimi është edhe Juri Karanrsa, i cili mundohet të karikojë lojtarët përpara kësaj transferte. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon gjendjen e grupit dhe nuk ngurron që të japë porosi.

Juriy KANARSA

Sa e ka ndryshuar atmosferën në skuadër fitorja e fundit?

Ai trepikësh na ka dhënë më shumë besim për 360 minutat e mbetura. Lojtarët janë më të çliruar, ndaj pres vazhdimësi në Peshkopi. Ndeshje të lehta nuk ka, por askush nuk është favorit…

Si paraqitet gjendja e lojtarëve në prag të Korabit?

Jemi gati. I kemi marrë masat, pasi na pret një transfertë vërtet e vështirë. U kam thënë djemve që të luajnë pa presion, sepse asgjë nuk vendoset nesër (sot). Ama ne duhet të jemi shumë më të kujdesshëm se në çdo transfertë tjetër. Fatmirësisht grupi është i plotë dhe nuk ka dëmtime.

Kundërshtari nuk e njeh humbjen në shtëpi. A do të jetë Apolonia ajo që do ta thyejë?

E dimë që Korabi është një kockë e fortë në shtëpi, por Apolonia ka nevojë për pikë që të sigurojë një vend të sigurt në “play off”. Do tentojnë surprizën.

I kënaqur me ecurinë deri në këtë pikë të sezonit?

Mund të them se ka qenë një sezon i mirë, pavarësisht luhatjeve tona. Vështirësitë i kemi pasur më shumë në fazën e parë, kur kemi humbur pikë të konsiderueshme. Ndaj, kjo e dyta na vë përpara përgjegjësisë për të arritur objektivin tonë sezonal.

A do ta blindoni vendin e 4-t?

Sigurisht që kam besim, por kjo gjë arrihet vetëm me punë në stërvitje dhe me rezultate konkrete në fushën e lojës. Transferta me Korabin është mundësia për të treguar veten. Nëse deri dje transfertat i kemi pasur makth, në Peshkopi shkojmë për ta thyer këtë ters.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"