“Drejtuesit na kanë dhënë garanci”, Hoxhaj nuk dorëzohet: Do shpëtojmë Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2019 | 16:31

“Drejtuesit na kanë dhënë garanci”, Hoxhaj nuk dorëzohet: Do shpëtojmë Flamurtarin

Ardit Hoxhaj beson se situata te Flamurtari do të ndryshojë. Sulmuesi vlonjat kërkon fitoren e parë, pikërisht ndaj ish-ekipit të tij, Luftëtarit, ku u stërvit për disa muaj, por pa mundur të luajë në sezonin e kaluar për shkak të problemeve me federimin. 

ardit hoxhaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hoxhaj thekson se nuk i druhet as ekipit që kryeson klasifikimin, e jo më Luftëtarit.

Hoxhaj, sa besim keni se do të ndryshojë situata te Flamurtari? 

Kemi besim mjaftueshëm se situata do të ndryshojë. Mund të them se në këto ndeshjet e fundit ekipi është shprehur mirë në fushë. Është shumë e rëndësishme të përmendet se kemi krijuar lojë, raste dhe kjo na jep besim të madh për të ecur përpara.

Është momenti për fitoren e parë në këtë kampionat me Luftëtarin? 

Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të arrijmë fitoren e parë në ndeshjen me Luftëtarin. E kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen dhe jemi duke punuar me ritëm të lartë për të marrë trepikëshin e parë. Kemi pasur të gjithë kohën e nevojshme për ta përgatitur këtë ndeshje dhe për të bërë maksimumin.

 Keni qenë pjesë e Luftëtarit, keni ndonjë ndjesi që do luani kundër tyre? 

Unë kam qenë te Luftëtari dhe pavarësisht se nuk luajta, kam respekt për njerëzit aty, drejtuesit e klubit dhe tifozët. Tani jam te Flamurtari. Pikërisht vendosa që të vija këtu, pasi Flamurtari është ekipi im i zemrës dhe dua që të jap më të mirën time me këtë fanellë. Dua ta ndihmoj skuadrën në këtë moment të vështirë. Të gjithë bashkë duhet ta nxjerrim ekipin nga kjo situatë jo e mirë.

Flamurtari2

 Kundërshtari ka tri pikë më tepër, ka diçka që i druheni? 

Frikë nuk e kemi aspak Luftëtarin. Nuk ka pse ta kemi frikë, pasi ne nuk trembemi as nga ekipi i vendit të parë. Por, pozita jonë është e keqe në tabelën e klasifikimit. Jemi në një situatë që na duhet vetëm fitore. Unë i druhem vetëm lojës së kundërshtarit, sepse rri i vendosur mbrapa dhe shfrytëzon mirë kundërsulmet.

Keni marrë garanci nga drejtuesit për financat? 

Drejtuesit na kanë dhënë garanci se çdo gjë do të zgjidhet. Ne kemi besim se gjërat do marrin zgjidhje shumë shpejt dhe Flamurtari do të kthehet atje ku e meriton.

Megjithatë, jeni në fund dhe shumë të shkëputur nga vendet që mbijetojnë në kategori. Ju demoralizon kjo?

Të them të drejtën ndihemi keq që jemi në vend të fundit. Por, kemi besim se do rikthehemi të fortë. Flamurtari ka një peshë të rëndë të fanellës. Nuk kemi pse të jemi të demoralizuar, por jemi të qetë dhe të vendosur për të luftuar deri në fund. Kam bindjen e plotë se Flamurtari do t’ia dalë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"