Drejtuesit “keqtrajtojnë” mbrojtësin Valdo Zeqaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2015 | 12:11

Drejtuesit “keqtrajtojnë” mbrojtësin Valdo Zeqaj

zeqaj valdoFlamurtari gjen fajtorin e humbjes me Tiranën, ai është i riu Valdo Zeqaj. Me sa duket, në këtë situatë kaotike, ku prej muajsh lojtarët nuk paguhen, drejtuesit gjejnë kohën t’i faturojnë 20-vjeçarit dështimin e fundit.

Burime të “Panorama Sport” në klubin vlonjat, bëjnë të ditur se mbrojtësi i majtë pritet të largohet pas gafës që bëri në ndeshjen ndaj Tiranës, nga ku erdhi edhe goli i parë. Kësisoj, i riu pritet të bëhet “kokë turku”, por ajo që lë një shije të keqe është trajtimi që i është bërë mbrojtësit në ndeshjen ndaj Tiranës. Zeqaj ka lënë fushën pas përfundimit të pjesës së parë, duke u zëvendësuar nga Gjinaj.

Deri këtu është gjithçka në rregull, por çuditërisht drejtuesit e klubit kanë shprehur revoltën e tyre me Zeqajn në një mënyrë aspak të denjë. Nga sa mësohet, ata nuk e kanë lënë të riun që të ulet në pankinë gjatë pjesës së dytë, duke e ndjekur ndeshjen me pjesën tjetër të lojtarëve që ishin pjesë e stolit. Një kryqëzim i tillë ndaj një lojtari të ri ndoshta nuk ndodh as në nivelet amatore të futbollit. Kjo tregon qartë situatën se ku është katandisur klubi vlonjat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"