Drejtori sportiv i Luftëtarit: Skuadra po rritet, me Laçin ndalohen gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2019 | 18:48

Drejtori sportiv i Luftëtarit: Skuadra po rritet, me Laçin ndalohen gabimet

Katër pikë në 180 minutat e fundit kanë kthyer qetësinë në Gjirokastër. Në klub janë të bindur se tashmë skuadra do të shohë vetëm rritje dhe se e keqja është hedhur pas krahëve.

artur dadaj

Në të njëjtën linjë është edhe Artur Dadaj, drejtori sportiv i bluzinjve, i cili për “Panorama Sport” thekson se fitorja me Flamurtarin dhe barazimin me Vllazninë nuk janë assesi të rastësishme.

“Barazimi në Shkodër tregoi edhe një herë se Luftëtari ka potencial për të bërë mirë nga java në javë. Po rritemi nga dita në ditë. Pavarësisht se në përbërje dominojnë të rinj, forca e grupit dhe dëshira për të punuar sollën rezultatet e fundit. Besoj dhe shpreh bindjen e plotë se lojtarët bashkë me stafin teknik do të dinë të përmirësohen më shumë në vazhdimësi. Fitorja ndaj Flamurtarit përçoi tjetër klimë në skuadër. Kjo bëri që dhe ndaj Vllaznisë të gjithë lojtarët besuan deri në fund të 90 minutave. Natyrisht, futbolli është dhe fat. Dhe këtë herë na buzëqeshi, sepse ishim më të vendosur dhe të prirur për të marrë maksimumin në fushë. Ia dolëm dhe morëm një pikë të çmuar. Asgjë nuk kemi bërë. Këtë javë kemi një tjetër ndeshje të vështirë me Laçin. Luajmë në shtëpi dhe s’duhet të gabojmë. Kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve. Bashkë me mbështetjen e tyre të jemi krahë lojtarëve, stafit teknik, presidencës dhe të gjithë faktorëve sportivë të Luftëtarit”, përfundoi drejtori, duke i shprehur edhe ngushëllimet e sinqerta familjes së Bashkim Gaxhajt, të ndarë një ditë më parë nga jeta.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"