Drejtori i Lushnjës, Çobani: Gjithmonë në favor të Kukësit, gjyqtarët punojnë për Gjicin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2017 | 13:59

Drejtori i Lushnjës, Çobani: Gjithmonë në favor të Kukësit, gjyqtarët punojnë për Gjicin

Ndeshja mes Lushnjës dhe Kukësit ishte një tjetër takim në të cilin verdhejeshilët e mbyllën me një sërë akuzash në drejtim të arbitrit. Në fillim një rast i Cankës në pjesën e parë, më tej një prekje e topit me dorë nga Kukësi, apo edhe një pengim brenda zonës në pjesën e dytë kur verilindorët u përfshinë në një rrëmujë brenda zonës së rreptësisë. Mirëpo, edhe drejtuesit e klubit kanë qenë kundër gjykimit të ndeshjes nga Hamiti.

Cobani

Koordinatori i klubit verdhejeshil, Artur Çobani, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” denoncon rastet e gjykimit kur arbitrat bëhen protagonistë në favor të verilindorëve.

Në bazë të moviolës, pamjet tregojnë se ka disa raste flagrante që ju janë mohuar. Si e shpjegoni këtë situatë?

Të luftojmë me gjyqtarët, nuk kemi fuqi monetare, apo ku e di unë se çfarë. T’i bëjmë për vete, nuk e arrijmë dot. Safeti është më i zoti dhe i merr e i bën. Çfarë të them unë?! Ne mundohemi që ta mbajmë skuadrën, edhe duke i motivuar: Vazhdoni luani, me sedër e me shpirt siç keni bërë deri tani.

I referoheni presidentit të Kukësit, zotit Gjici për ndeshjen?

Sigurisht! Sigurisht! Unë atij ia vë gishtin. Kjo, për vetë faktin se nuk është një rast! Ju i keni ndjekur dhe kjo gjë ka ndodhur edhe vjet në ndeshjen Kukësi me Skënderbeun, po ashtu edhe sivjet Kukësi me Skënderbeun, vjet ndeshja e Kukësit me Teutën. Pra, në çdo ndeshje, gjyqtarët bëhen protagonistë kur luan Kukësi. Dhe gjithmonë, janë protagonistë në favor të Kukësit. Asnjëherë protagonistë për skuadrat kundërshtare. Prandaj edhe detyrohem të them ashtu.

Artur Cobani

Po akuzoni edhe gjyqtarin e ndeshjes së sotme (dje)?

Të them të drejtën, mora vesh që ky gjyqtari i sotëm (dje) është një nga më të pikëlluarit e Federatës Shqiptare të Futbollit për të marrë atë stemën e FIFA-s e të tjera me radhë. Kjo do të thotë që ky është gjyqtar i mirë. Duke qenë i tillë, atëherë veprimet i bën me dashje. Dhe që të bësh veprime me dashje, duhet të jetë i ndikuar… Unë dyshoj gjithmonë. Më vjen keq për skuadrën, sepse po luan në një gjendje të disfavorshme, sidomos sot (dje) fati e dëmtoi.

A komunikuat me presidentin e Kukësit në fund të takimit?

Pas ndeshjes, jo, nuk kam folur. Kemi diskutuar bashkërisht në pushim të takimit dhe u përmend penalltia në pjesën e parë në rastin e Cankës. Një nga rastet e pretenduara në këtë ndeshje.

Çfarë ju tha Gjici?

Ai tha “ka bërë faull lojtari juaj (i Lushnjës)”. Unë ia ktheva: “Safet, unë nuk dua që të vendos gishtin mbi ju! Por, një gjyqtar që, në rastin konkret, nuk e gjykon për penallti, e vazhdon lojën. Mirëpo, kur gjyqtari që nuk jep penallti, por faull kundër lojtarit të Lushnjës, këtu atëherë duket tendenca me gjykimin. Por ti nuk mund ta kuptosh, sepse nuk ke lidhje shumë me sportin për këto gjëra. Aq ishte”. Nuk ishte debat, por bisedë miqësore. Por unë, të them sinqerisht, dyshimet i kam, sepse nuk ka sesi ndodh ndryshe. Mua më vjen keq për skuadrën.

Çfarë mase do të ndërmerrni në vijim, duke qenë se Lushnja është nën drejtimin e Bashkisë dhe jo me një president në krye si të tjerët?

Unë jam koordinator pranë skuadrës dhe bashkia ka dhënë një fond të konsiderueshëm për ekipin dhe vetë lojtarët janë shumë të kënaqur në kuptimin e trajtimit dhe nuk vonohen pagat. Shuma nuk është e vogël, por nga 400 milionë që ishte është shtuar edhe 100 milionë (lekë të vjetër). Jo vetëm kaq, por rikonstruktuam stadiumin, do të rregullojmë edhe aneksin për të cilën kemi marrë edhe një premtim nga federata. Sa i përket një presidenti të jashtëm, ne jemi të hapur për të gjithë ata që duan të marrin drejtimin e klubit. Aksionet që ka bashkia, t’ia afrojë kujtdoqoftë që do të jetë serioz dhe të investojë për ekipin.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"