“Do të përballemi si të barabartë”, Allmuça “sms” Kastriotit: Dinamo kërkon kualifikimin në çerekfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 9:35

“Do të përballemi si të barabartë”, Allmuça “sms” Kastriotit: Dinamo kërkon kualifikimin në çerekfinale

Kupa e Shqipërisë është një nga objektivat e Dinamos. Nuk është ai më kryesori, por blutë do të mundohen të shkojnë sa më larg në këtë kompeticion. Blutë janë të përkushtuar për t’ua bërë shërbimin si duhet dy ndeshjeve me Kastriotin, kundërshtar i turit të dytë.

DINAMO

Dinamovitët nuk kanë presion në fakt, sepse klubi nuk e konsideron një objektiv “për jetë a vdekje” Kupën e Shqipërisë.

Megjithatë, skuadra e trajnerit Nevil Dede do të jetë serioze në fushë për të treguar vlerat më të mira, për të luajtur futboll dhe për të vërtetuar se dinë të përballojë edhe kundërshtarët e elitës, ku synon të jetë sezonin e ardhshëm.

ALLMUÇA – Ilir Allmuça, një nga titullarët me eksperiencë të Dinamos, e sheh me optimizëm sfidën e Kupës së Shqipërisë me Kastriotin.

Për “Panorama Sport” ai shpreh bindjen se blutë janë në gjendje të ecin mirë edhe në këtë kompeticion dhe se me krutanët do të jetë një përballje mes të barabartësh.

allmuca

“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi punuar intensivisht në stërvitje, duke u përgatitur shumë seriozisht për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Kastriotin. Është e qartë që na pret një ndeshje e vështirë, jo vetëm se luajmë ndaj një ekipi të Superiores. Megjithatë, nuk është e pamundur për ta kaluar turin. E mira është se kualifikimi vendoset me dy ndeshje dhe mendoj se Dinamo ka mundësi reale për të kaluar më tej. Do të mundohemi me të gjitha forcat për ta bërë këtë, në respekt të emrit të madh të ekipit që përfaqësojmë. E dimë që Kastrioti ka ekip të mirë, por edhe ne jemi një ekip i mirë, edhe pse jemi një kategori më poshtë. Kam besim të madh se do të përballemi si të barabartë. Ata janë në Superiore, por edhe ne meritojmë të jemi në Superiore. Do të japim gjithçka në këto dy ndeshje, pastaj verdiktin e jep fusha”, përfundoi mbrojtësi i linjës së majtë, i rikthyer te kryeqytetasit pas përvojës disavjeçare tek Egnatia.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"