“Do të jetë Skënderbe i bukur”, Joan Çela: I rivalizojmë të gjithë, vrapojmë shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 17:09

“Do të jetë Skënderbe i bukur”, Joan Çela: I rivalizojmë të gjithë, vrapojmë shumë

Joan Çela ishte nga lojtarët e parë që u afrua te Skënderbeu i Julian Ahmatajt. Sulmuesi i krahut vjen pas një sezoni të mirë me Luftëtarin në Kategorinë Superiore, paçka se gjirokastritët zbritën nga kategoria. Çela është një prodhim i akademisë së Partizanit dhe tashmë pret që të shpërthejë në kampionatin shqiptar si pjesë e Skënderbeut. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon pse zgjodhi Korçën për të vijuar karrierën. Çela është aktivizuar në 20 ndeshje me fanellën e Luftëtarit në Superiore, ndërsa ka arritur të shënojë dy gola në përballjet me Tiranën dhe Kukësin gjatë kampionatit.
jOAN cELA
Joan, si ndjeheni tek Skënderbeu dhe a jeni përshtatur tashmë me skuadrën?
Ndihem mirë tek ekipi i ri dhe mund të them se më kanë pritur shumë mirë. Jemi një ekip me djem të rinj dhe që kanë dëshirë për të bërë mirë, prandaj pak a shumë jemi ambientuar me njëri-tjetrin.

Çfarë ju bindi të vije në Korçë?
Korça si fillim është ekipi që në vitet e fundit i ka dhënë shumë futbollit shqiptar dhe ka bërë mirë edhe në arenën europiane. Prandaj në momentin që m’u bë me dije interesimi i tyre, nuk kisha si të hezitoja apo ta refuzoja. Po ashtu mendoj edhe se ky klub i ka të gjitha kushtet e mundshme që një lojtar i ri si unë të ecë përpara.

Si iu duket ekipi pas më shumë se një muaji stërvitje?
Nëse do të shikojmë Skënderbeun e sezoneve të kaluara ndryshimet janë të shumta. I kushtëzuar edhe nga rrethanat Skënderbeu i këtij sezoni është bazuar kryesisht tek elementët e rinj dhe me dëshirë për të treguar vlerat e tyre. Pas një pune të mirë nga ana e stafit, ekipi ka ardhur në formë. Kemi punuar shumë fort dhe në çdo miqësore kemi qenë superior ndaj rivalëve. Prandaj besoj se do të rritemi akoma më shumë.
Lici Skenderbeu
Çfarë prisni këtë sezon në aspektin personal?
Në aspektin personal pres të kem një pozicion të rëndësishëm te ky ekip dhe për këtë do të jap gjithmonë maksimumin. Dua të ndihmoj Skënderbeun sa të mundem dhe të shënoj gola. Por, natyrisht primare është të jemi sa më lart në renditje në fund të sezonit.

Deri ku mund të arrijë ky grup i ri lojtarësh?

Kam besimin se mund të rivalizojmë me çdo ekip tjetër këtë sezon nëse jemi të përqendruar dhe të gatshëm për të bërë mirë. E them këtë, pasi ne jemi ekip që vrapojmë pafund. Shumica jemi djem të rinj dhe me dëshirë për të treguar vlerat tona. Për këtë jam optimist dhe shpresoj se do të jetë një sezon i suksesshëm për të gjithë ne.

Jeni grumbulluar nga Kombëtarja U-20. Çfarë prisni në të ardhmen?
Grumbullimi me ekipin Kombëtar është një motiv më shumë për mua për të punuar fort dhe për të dhënë maksimumin. Veç kësaj është nder dhe krenari e veçantë. Si çdo lojtar pres që një ditë me shumë punë të jem edhe unë pjesë e Kombëtares A.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"