Disiplina e pezulloi me 24 muaj, mbrojtësi i shokuar: Nuk kam pështyrë askënd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 8:39

Disiplina e pezulloi me 24 muaj, mbrojtësi i shokuar: Nuk kam pështyrë askënd

Dy vite pezull, pasi pështyu arbitrin. Ishte ky dënimi që mori Andi Likaj nga Komisioni i Disiplinës. Mbrojtësi ka mbetur i shokuar nga vendimi, ndërsa për “Panorama Sport” mohon të ketë bërë atë gjest ndaj arbitrit në Valbona-Iliria.

77E4C7B8-8EBC-4BA4-B9FF-988FAFD4FDD9

“Jam ndëshkuar ndaj Ilirisë me dy të verdhë prej ndërhyrjes ndaj kundërshtarit dhe si rrjedhojë mora të kuqin. Kanë qenë të njëpasnjëshëm, në të 75’ dhe 86’. Në të dyja momentet nuk kam bërë veprime apo gjeste antisportive, sikurse deklaron ky komision.

Madje, shkova në dhomat e zhveshjes, pa më nxjerrë akoma të kuqin, sepse isha në dijeni të një kartoni të mëparshëm dhe detyrimisht do të dilja me të kuqe. Ka pasur tension nga lojtarë të tjerë, por unë deklaroj me përgjegjësi se nuk kam pështyrë apo sharë ndonjë nga zyrtarët e ndeshjes, qofshin arbitra, delegat apo vëzhgues të ndeshjes. Nuk është në natyrën time, si një lojtar me pjekuri dhe 9 vite karrierë futbollistike me ekipet e të rriturve të sillem kështu.

Unë do ta ankimoj këtë vendim dhe mbaj përgjegjësi vetëm për pezullimin e një ndeshjeje të radhës si i ndëshkuar me karton të kuq. Çdo dënim tjetër ndaj meje është i pajustifikueshëm dhe jam i gatshëm në çdo kohë të ballafaqohem me ata që kanë bërë një ankesë të tillë. Gjithashtu, u kërkoj këtyre organeve disiplinore të kërkojnë falje, pasi nuk jam unë fajtori dhe nuk e kam bërë atë veprim. Gjithashtu, kërkoj që komisioni të ulet me qetësi e të rishikojë edhe një herë këtë vendim ndaj meje”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"