Disfata e Partizanit, Moxhi braktisi stadiumin dhe ia faturoi ecurinë drejtorit sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2017 | 9:51

Disfata e Partizanit, Moxhi braktisi stadiumin dhe ia faturoi ecurinë drejtorit sportiv

Partizani, i rënduar nga ngarkesa e lartë stërvitore, por edhe fillimi me vonesë i përgatitjeve, nuk ka arritur që t’u bëjë ballë italianëve të Ternanës, në miqësoren e luajtur të shtunën në darkë, ku skuadra e Serisë B fitoi me rezultatin 3-1. I pranishëm në stadium për të parë këtë takim ka qenë edhe arkitekti i Partizanit të sezonit të ri, Luçiano Moxhi.

moxhi

Por, me sa duket, loja e skuadrës i ka lënë shije të hidhur ish-drejtorit të Juventusit. Sipas lajmeve që raportuan dje mediat italiane, Moxhi është larguar para kohe nga stadiumi “Liberati”. Drejtuesi i lartë i “demave” ka lënë stadiumin në minutën e 15-të të pjesës së dytë, kur rezultati ishte 3-0 për Ternanën.

Fakti se në radhët e Partizanit ndodhet një koloni italiane me në krye “Big Luçianon”, të kuqtë gjejnë pasqyrim periodik në mediat e fqinjëve përtej Adriatikut. Portali i gazetës “Messaggero”, shkrimin në lidhje me largimin e 80-vjeçarit nga stadiumi e hap me këtë titull: “Arratisja” e Moxhit dhe humbja që djeg. “Në minutën e 15- të të pjesës së dytë të miqësores Ternana-Partizani, Luçiano Moxhi u çua dhe e braktisi tribunën e stadiumit ‘Liberati’, lëvizje kjo për të shmangur kontaktet, kryesisht me tifozët e pranishëm në stadium.

moxhi

Ndërsa presidenti i Ternanës, Stefano Ranuçi, që ishte në krah të tij nuk ka lëvizur. Në momentin e largimit, Ternana ishte duke fituar 3-0 ndaj Partizanit. Prania e Moxhit në stadium e kishte bërë atmosferën pak sa më ngacmuese. Luçiano Moxhi, nga pranvera e këtij viti, është bërë drejtor i përgjithshëm i Partizanit të Tiranës, ose më mirë një konsulent i thjeshtë, me objektivin e lidhur me programimin që duhet të duhet të çojë një klub në nivele mesatare të larta në panoramën e futbollit europian.

Dhe, për ta filluar, ka zgjedhur si trajner Mark Iulianon, njëri nga ata që ka veshur fanellën bardhezi. I pyetur jashtë stadiumit, Moxhi tha: ‘Çfarë duhet të them? Kërkojani drejtorit sportiv Aldo Preiti që ka qëndruar të shohë ndeshjen'”, përfundon artikulli i gazetës italiane “Messaggero”.

Ndërsa për “ternananews.it”, Moxhi, i pyetur për nivelin e skuadrës italiane që u përball me Partizanin, u shpreh: “Diferenca është se Ternana i ka nisur përgatitjet për sezonin e ri që nga korriku, ndërsa Partizani ka vetëm disa ditë që po përgatitet”. Portali i lartpërmendur sqaron gjithashtu se kampionati i Kategorisë Superiore nis më 9 shtator, ndërsa Seria B starton këtë fundjavë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"