Dinamoja “i hap portën” Lionit, Reali nuk fal askënd

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2011 | 11:18


Dinamoja “i hap portën” Lionit, Reali nuk fal askënd

Dinamo Zagreb-Lion 1-7
GOLAT: Kovaçiç 40’/ Gomis 45′ 48′, 52′ 70′, Gonalons 47′, Lisandro 64′, Briand 75′
DINAMO Z. (4-1-4-1): Kelava, Ibanez, Vrsaljko, Vida, Leko, (Alispahiç 66′), Ademi, Kovaçic (Pokrivac 80′), Badelj, Kalelo,
Daniel, Beqiraj (Situm 55′) Trajner: Krunoslav Jurçiç
LIONI (4-2-3-1): Loris, Dabo, Kone, Sisokho, Lovren (Lisandro 54′), Gurkuf, Gonalons, Fofana, Lalacete (Ederson 65′), Briand, Gomis Trajner: Remi Garde
KARTONË TË VERDHË: Leko 11′, Ibanez 75’/ Gomis 61′, Fofana 62′, Sisokho 78′
KARTON I KUQ: Leko 28′
ARBITËR: Mark Klatenburg (Angli)
SPEKTATORË: 27.000

Reali i Madridit e mbyll në perfek sion Grupin D, duke fituar edhe në “Amsterdam Arena”, por në Holandë nuk ka sërish festë, sepse nga Zagrebi vjen lajmi se Dinamo u mund 7-1 nga Lioni, i cili kalon në 1/8-tat. E të mendosh se në pjesën e parë rezultati ishte vetëm 1-1. Nëse në Dortmund, Borusia toleroi Marsejën, në Kroaci Dinamo zgjodhi të hapte portën, duke u bërë dhuratë një ëndërr francezëve që ishin jo me njërën, por me të dyja këmbët jashtë, për t’ua lënë djemve të De Burit aventurën në Ligën e Evropës.
Nga ferri në parajsë – Skuadra e Gardes kishte shanse minimale, ku vetëm diferenca e golave me Ajaksin mund ta kalonte në fazën tjetër. Gjenden të parët në disavantazh me Kovaçiç që në minutën e 40- të. Barazimi i Lionit vjen shpejt, falë një goli të Gomisit, ndërsa në pjesën e dytë miqtë kanë një tjetër pamje. Mbrojtja e Dinamos është inekzistente dhe golat shënohen sikur të mos kishte asnjë mbrojtje kundërshtare në fushë. Gjërat u lehtësuan mjaft, pasi kroatët luajtën 62 minuta me 10 lojtarë. Lioni nis të besojë, ndërkohë që nga Amsterdami, Reali i Murinjos nuk ka aspak ndërmend t’u bëjë ndonjë favor vendësve. Gomis ishte heroi i mbrëmjes, pasi shënoi një poker. Në fund rezultati do të vulosej me Briand falë një asisti të Fofanas. Muri i 4 golave diferencë mes Ajaksit dhe Lionit ra përfundimisht. Francezët hapin shampanjën dhe festojnë kualifikimin.

Remi Garde
“Në pjesën e parë dukeshim të dorëzuar dhe kjo më kishte nervozuar nga stoli, sepse kishim punuar shumë për këtë përmbysje. Megjithatë, unë kisha mjaft shpresa se një skenar i tillë do të ndodhte. Por merita u takon e gjitha lojtarëve. Ata bënë një ëndërr realitet”, – u shpreh pas fitores ndaj Dinamos trajneri i Lionit, Remi Garde.

Ajaks-Real Madrid 0-3
GOLAT: Kalejon 14′ 90+2′, Higuain 41′
AJAKSI (4-4-1-1): Vermer, Van der Vil, Vertonghen, Anita, Blind, Enoh, Eriksen, Jansen (Klasen 76′), Lodeiro (Bulykin
73′), Sulejmani, Ebesilio Trajner: Frenk De Bur
REAL MADRID (4-2-3-1): Adan, Arebeloa (Mendez 67′), Albiol, Varane, Koentrao, Shahin, Granero (Ksabi Alonso 58′), Kalejon, Kaka, Benzema (Altintop 54′), Higuain. Trajner: Zhoze Murinjo
KARTONË TË VERDHË: Ver tonghen 57’/ Arbeloa 57′
ARBITËR: Manuel De Sousa (Portugal)
SPEKTATORË: 52.000

Askush nuk duket se di ta ndalë këtë Real. As vetë trajneri Murinjo, që hedh në fushë një formacion me rezerva. Jo vetëm që siguron vendin e parë në Grupin D, por e blindon atë me pikë të plota (6 ndeshje 6 fitore) pa e pasur fare mendjen tek e shtuna, kur në “Bernabeu” i pret klasikja me Barcelonën. Kundër Ajaksit mjaftojnë dy shpërthime për të shtangur mesfushën dhe mbrojtjen holandeze. Dy pasime perfekte shpërthejnë një herë Kalejonin e më pas Higuainin. Ai që bën njeriun asist është Kakaja. Fantazisti brazilian si në kohët e Milanit, e nxjerr sulmuesin madrilen të vetëm përpara portierit dhe ky i fundit nuk gabon. Në rastin e golit të dytë është Benzema ai që shërben për Higuainin. Ajaksit i anulojnë dy gola të rregullt për pozicion jashtë loje me Lodeiron dhe Sulejmanin, por kjo nuk e dorëzoi skuadrën e De Burit. Sulejmani godet traversën, ndërsa Klejon shuan shansin e fundit të Ajaksit, që dje kishte kundër edhe Dinamon e Zagrebit. Kampionët e Holandës eliminohen nga Liga e Kampioneve në mënyrën më absurde. Murinjo – “Jam shumë i kënaqur me skuadrën. Nuk toleruan dhe rezervat luajtën me seriozitet maksimal. Hera e parë që arrij 6 fitore radhazi në grup. Tani kemi Barçën. Në mos gaboj, edhe vjet mundëm Ajaksin dhe dy ditë më vonë na mposhtën katalanasit”.

Frenk De Bur
“Rezultati i pjesës së parë duhet të ishte 2-2. Kur morëm lajmin se Dinamo kishte shënuar, u qetësuam disi, por pastaj, s’arrij ta kuptoj edhe në këtë komente se çfarë ndodhi. Jemi të zhgënjyer. Vërshëllimat e publikut? Ishim shumë afër kualifikimit, është diçka shumë e rëndë”, – komentoi pas ndeshjes tekniku i Ajaksit, Frenk De Bur.

RREGULLORJA
Në rast se dy skuadra të grupit gjenden pas 6 ndeshjesh në kuotë të barabartë pikësh, atëherë fati i skuadrës që kualifikohet vendoset nga përballjet direkte. Kur të 2 ndeshjet përfundojnë me të njëjtin rezultat, atëherë hyn në fuqi golavarazhi i përgjithshëm. Por edhe kur ai është i barabartë, fatet përcaktohen nga ekipi që ka shënuar më shumë gola. Në fund hyn në fuqi renditja e përgjithshme e UEFA-s.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/