Dinamo gjen “shtëpi” për Superioren/ Kryeqytetasit zgjidhin çështjen e stadiumit, spostohen në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 21:52

Dinamo gjen “shtëpi” për Superioren/ Kryeqytetasit zgjidhin çështjen e stadiumit, spostohen në…

Në kohën kur për merkaton nuk mund të bëhen lëvizje konkrete, sepse lojtarët e kërkuar janë ende në aktivitet, Dinamo po punon për të sistemuar çështje të tjera. Çështje jo dosido, por nga ato që kanë të bëjnë me sezonin e ardhshëm.

dinamo

Njëra prej tyre është ajo e stadiumit, ku kryeqytetasit do të zhvillojnë ndeshjet e tyre si skuadër pritëse. Gazeta “Panorama Sport” mëson se blutë do të spostohen në Kamzë. Duket një zgjedhje e kushtëzuar në fakt, sepse alternativat janë të pakta në situatën aktuale. Kryeqytetasit luajtën në “Selman Stërmasi” në Kategorinë e Parë, në një fushë që sidomos në pjesën e fundit të sezonit ishte tejet e amortizuar.

Për më tepër, stadiumi në fjalë është pjesë e projekteve të qeverisë dhe FSHF-së për një rikonstruksion të plotë. “Elbasan Arena”, ku Dinamo luajti pjesën më të madhe të ndeshjeve sezonin që ishte pjesë e Superiores, do të ketë pak hapësira, sepse ekipi vendës është ngjitur në Kategorinë e Parë. Në këto kushte, Kamza mbetet mundësia më e mirë për Dinamon dhe drejtuesit e klubit e kanë marrë në konsideratë seriozisht.

Në këtë stadium blutë luajtën një ndeshje sezonin aktual, atë me Besën, ku fituan 1-0, ndërkohë që kanë luajtur edhe kur ishin në Superiore disa ndeshje. Së shpejti pritet të ketë një akord mes drejtuesve të Dinamos dhe të stadiumit të Kamzës për sezonin e ardhshëm.

DERBET NË “AIR ALBANIA”

Përjashtim pritet të bëjnë ndeshjet derbi, që mendohet të luhen në stadiumin “Air Albania”. Blutë do të jenë 4 herë klubi pritës gjatë sezonit të ardhshëm, 2 herë me Partizanin dhe 2 herë me Tiranën, kështu që këto 4 ndeshje është menduar të luhen në stadiumin më të mirë në Shqipëri. Ky është plani paraprak i klubit kryeqytetas.

SHTËPIA NË ARBANË

Sezonin e ardhshëm ndryshon situata në lidhje me kompleksin stërvitor të Dinamos, që nuk do të ketë nevojë të kërkojë fusha të lira nëpër Tiranë. Blutë tashmë kanë kompleksin e tyre të ri në Arbanë, një nga investimet më të mëdha të presidentit Ardian Bardhi. Në momentin që skuadra do të grumbullohet për nisjen e përgatitjeve verore, pritet që të jenë gati edhe dy fushat stërvitore, pasi pjesa tjetër e investimit ka përfunduar tashmë.

Në këtë kompleks do të stërvitet skuadra e parë dhe ato të moshave, duke e lehtësuar jo pak punën e klubit.

FATJON RUPI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"