“Derbi, tregues i potencialit të Apolonisë”, ish-trajneri Papuçiu rrëfen emocionet e finales së 1998-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 14:28

“Derbi, tregues i potencialit të Apolonisë”, ish-trajneri Papuçiu rrëfen emocionet e finales së 1998-ës

Apolonia dhe Lushnja ndër vite kanë dhuruar emocione të veçanta futbollistike mes tyre, adrenalinë, luftë të ndezur. “Armike të përbetuara” në fushë, por po aq “fair” jashtë saj. Ekskluzivisht për “Panorama Sport” flet një nga figurat më të shquara të futbollit fierak, Dhimitër Papuçiu, ish-trajneri që i ka dhuruar Kupën e Shqipërisë Apolonisë në 1998-ën.

Dhimiter Papuciu

“Ju falënderoj që më kthyet pas në vite, në kujtime që më përlotin. Nuk e kam parë si suksesin tim, por të skuadrës. Punoja me të paharrueshmin ‘Xhela’ (Vangjel Capo), ishtrajnerin tim, dhe ai më besonte fort. Ishte gati ëndërr një finale për Apoloninë, aq më tepër ndaj Lushnjës, që pak kohë më parë ishte trajnuar nga një ish-kampion bote, Mario Kempes.

Dua t’ju rikthej emocionet e atij goli. Ishte produksion origjinal i një pune dyjavore vetëm për atë moment tekniko-taktik. U tërhoq Haxhiaj nga roli i ‘pykës’, topin e mori Bare, u kthye Haxhiaj në formë ‘U’- je e pastaj një marrjeje, një goditje dhe rrjetë. Ajo kupë u bë trampolinë për shumë lojtarë tanët, që shkuan në ekipe më me peshë, si Haxhiaj e Jahiqi te Vllaznia, Sinani te Tomori, Nuredini e Ruko te Flamurtari e të tjerë jashtë Shqipërisë”, tregon Papuçiu.

Më tej, ai fokusohet te ndeshja e nesërme me Lushnjën, që luhet në Ballsh. “Shpresoj që spostimi i ndeshjes në Ballsh të mos ketë ndikim negativ për Apoloninë, por të jetë tregues i potencialit të saj. E shoh si një ndeshje të barabartë, sepse Lushnja është një ‘kockë e fortë’, por besoj që Apolonia ia del.

Këshillë për trajnerin Mërgjyshi dhe skuadrën? Ai është trajner i mirë dhe e njeh skuadrën. I ka mundësitë ta ngjisë në Superiore, por duhet të krijojë një ekip më agresiv dhe me mendësi të fortë fituesi”, thekson mes të tjerash ishtrajneri i Apolonisë, Dhimitër Papuçiu.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"